Durrës, bashkia jep 10 milion lekë për dëmet e tërmetit

Këshilli bashkiak në Durrës miratoi 10 milion lekë, që do të përdoren për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i rënë të shtunën më 21 shtator.

Në mbledhjen e pasdites të së hënës, anëtarët e Këshillit Bashkiak në Durrës, kanë dhuruar pagën e tyre të muajit shtator, që do t`i bashkëngjitet fondeve të grumbulluara për përballimin e shpenzimeve për dëmet e tërmetit.

Të dielën, më 22 shtator, Bashkia e Tiranës miratoi 20 milion lekë si fond solidariteti për Bashkinë e Durrësit. Qyteti i bregdetar dhe zonat rurale të tij, pësuan dëmet më të mëdha nga tërmeti që goditi vendin në 21 shtator.

Prej lëkundjeve të tokës, në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, janë dëmtuar mbi 1500 banesa, ku përfshihen dhe shumë pallate.

Durrësi ishte qyteti më i prekur, pasi tërmeti 5.8 ballë i datës 21 shtator e pati epiqendrën shumë pranë qytetit bregdetar, rreth 6 km në thellësi të detit Adriatik.

Tërmeti fake, “Të nisin hetimet”

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku, “kërkoi nga Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vlerësimin e menjëhershëm ligjor në lidhje me dyshimet për përhapjen në publik të informacioneve të rreme që ngjallin panik dhe pasiguri tek qytetarët”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ky reagim, i numrit një të organit të akuzës, vjen një ditë pasi në media u shpërndanë informacione të rreme se të dielën në “orën 23:30, sipas parashikimeve të një sizmiologu grek, Shqipëria do të goditej nga një tërmet i madh”. Ky lajm ngjalli panik te qytetarët e Tiranës, të cilët braktisën shtëpitë e tyre, duke dalë në mesin e natës në rrugë e sheshe.

Lajmi rezultoi “fake news”, ndërsa organet shtetërore e përgënjeshtruan dhe paralajmëruan se “personat dhe mediat përgjegjëse do të mbajnë përgjegjësi ligjore” për përhapjen e informacionit të rremë. Lajmi u shpërnda nga disa portale në Tiranë, “Syri.net”, gazeta “Shekulli online” dhe portali “360 gradë”.

Policia shoqëroi në komisariat dy gazetarë për sqarimin e publikimit të lajmit të rremë. Ndërkohë, portali “Syri.net”, kërkoi falje mëngjesin e të hënës për publikimin e lajmit, por u shpreh se i referohej një lajmi të publikuar më herët në Top Channel. Megjithatë, ky televizion hodhi poshtë deklaratën e “Syri.net”, duke u shprehur se “nuk e kemi thënë një gjë të tillë”.

Në Tiranë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti, do t’i ndërtojë biznesi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion veliaj, ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile, për të bërë raportimin e situatës. Gjatë fjalës së tij, Veliaj ka kërkuar nga grupet e punës në terren që të punojnë për normalizimin e situatës, duke shkuar në çdo familje të prekur nga tërmeti.

“Kjo është sfida që kemi tani, kthimi në normalitet; tërmetin nuk e kemi në dorë, kthimin në normalitet, solidaritetin, rimëkëmbjen, pastrimin dhe rikuperimin e humbjeve, këto i kemi vetë në dorë dhe do bëjmë maksimumin”, u shpreh ai. Më tej, Veliaj ka treguar hapat që duhet të ndjekin qytetarët e prekur nga tërmeti, të cilët kanë pësuar dëme në banesa.

“Duhet të jemi më të qartë, hapat janë: shkon te njësia administrative, aty listohesh, inventarizohet dëmi, plotësohet formulari, pastaj ju bëni lidhjen me ekipin tonë të vlerësimit. Ekipi i vlerësimit plotëson dokumentacionin dhe më pas i gjithë fondi, që kaloi dje, pjesëtohet sipas nevojave”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës është shprehur se për shtëpitë e prekura nga tërmeti, do të bashkëpunohet për ndërtimin me biznesin privat, ndërsa ka hedhur idenë që pallatet e dëmtuara rëndë, të rindërtohen nga e para, duke u kthyer në banesa sociale edhe për familje të tjera. “Do të nisim një binjakëzim, ku secili do të adoptojë nga një shtëpi; nuk i kushton askujt dy shtëpi në Zall-Herr, në Ndroq e kështu me radhë, tek komuniteti i sipërmarrjes e biznesit”, shtoi  Veliaj.

“Për Pallatet Sovjetike, struktura vërtet mund të jetë në rregull, por ato gjithsesi mbeten pallate me mballoma. Mund t’ia vlejë që ato të rizhvillohen dhe secili të marrë nga një apartament; mund t’ia vlejë që t’i zhvillojmë si banesa sociale, pra të prishim 3-katëshet dhe t’i bëjmë 5-katëshe, duke fituar edhe disa apartamente të tjera, për të tjerë njerëz në nevojë nga zona e Kombinatit, “Misto Mames”, Yzberishtit. Pra aty mund t’ia vlejë një zgjidhje afatgjatë”, theksoi Veliaj. Ndërkohë, ai shtoi se janë marrë të gjitha masat edhe për rifillimin e mësimit nesër nëpër shkolla.

Meta nuk beson qeverinë

Pas panikut të krijuar nga një lajm “fake news” se vendi do të përfshihej nga një tërmet me përmasa të mëdha, ka reaguar dhe Presidenti Ilir Meta. Me një shkrim në rrjetet sociale, Meta, duke përgjithësuar problemin e lajmit “fake” dhe anashkaluar emrat konkretë nën akuzë, me të cilët kalon çdo fundjavë, ka kërkuar bashkëpunim dhe solidaritet nga “institucionet, politika, shoqëria dhe media, duke ruajtur frymën e qetësisë”. “Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerëson ruajtjen e qetësisë nga të gjithë dhe rëndësinë e frymës së bashkëpunimit dhe solidaritetit njerëzor, pa përjashtim, nga aktorët institucionalë, politikë, shoqërorë dhe mediatikë, për normalizimin e plotë të situatës, pas tronditjeve të ditëve të fundit”, ka deklaruar ai.

Më tej, Meta kërkon përgjegjshmëri për evidentimin e pasojave të dëmeve. Presidenti duket mosbesues te institucionet shqiptare, të cilët kanë kompetencën ligjore për të bërë vlerësimin e dëmeve materiale të tërmetit, si dhe Instituti i Ndërtimit, specialistët e të cilit do të duhet të vlerësojnë sigurinë e banesave të ndërtuara. Në këtë frymë mosbesimi, Meta kërkon ndihmë nga jashtë, duke i sygjeruar qeverisë që të ftojë Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të përcaktuar sigurinë dhe rezistencën e banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara.

“Transparenca dhe përgjegjshmëria maksimale për evidentimin e pasojave është tepër e rëndësishme në këto momente. Në veçanti, vlerësimi teknik i banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara është tepër i domosdoshëm për të ardhmen. Ndaj duke vlerësuar dhe solidaritetin e vendeve partnere dhe Bashkimit Europian, Presidenti Meta i kërkon qeverisë të ftojë zyrtarisht edhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që ka kapacitetet e duhura për të përcaktuar sigurinë dhe rezistencën e banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore”, shkruan ndër të tjera Meta.

Në fund, Meta kërkon që të mos keqpërdoret situata, duke u shprehur se kjo nuk është rruga e duhur, ndërsa përsëritë thirrjen për solidaritet. “Keqpërdorimi nga kushdo i kësaj situate, nuk është rruga e duhur për të përballuar një shqetësim të përgjithshëm, në mënyrë të bashkuar dhe të përgjegjshme, vetëm në interes të qytetarëve të traumatizuar nga tronditjet dhe pasojat në banesat e pronat e tyre. Të gjithë duhet të shtojnë kontributet pozitive dhe solidare në bazë të përgjegjësive institucionale, politike, shoqërore dhe qytetare”, përfundoi Meta kamzhikun e butë për opozitën, kryesisht LSI, e cila ka qenë e ashpër këto ditë ndaj qeverisë.

Qeveria, “tërmet” tërmetit fake

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka bërë deklarata të forta duke thënë se do të dënohen të gjithë personat që shpërndajnë Fake News dhe shkaktojnë panik tek qytetarët. Braçe, gjatë një deklarate për mediat, dënoi lajmin e rremë për tërmetin të publikuar në portalin Syri.net, ndërsa shtoi se ligji në këto raste do të funksionojë me të njëjtën forcë që lajmi shkaktoi panikun tek qytetarët e Tiranës.

Numri dy i qeverisë theksoi se gjithçka është bërë qëllimisht nga ky portal, ndërsa shtoi se siguria publike u sfidua në kufijtë e kaosit nga një rrjet i prodhimit dhe shpërndarjes së lajmeve të rreme me qëllim.

Dje shoqëria shqiptare, siguria publike dhe kombëtare, ligji penal, u sfidua, u kërcënua, në kufijtë e kaosit, me dhunë dhe plaçkitje të mundshme nga lajmi i rremë i fabrikuar qëllimisht nga Syri.net, media online, shembull i gazetarisë së njëanshme, kriminale, politike dhe të kapur. Por kërcënimi serioz i rendit kushtetues, sigurisë publike dhe kombëtare kërkon të njëjtën vendosmëri për t’u përballur ligjërisht me lajmet e rreme, prodhuar në media dhe shpërndarë nga një rrjet kriminal dhe që dje shkaktoi panikun më të madh që mund të kishte pasoja shumë të rënda për jetën e qytetarëve dhe pronën. Çdo germë në atë lajm ishte e qëllimshme dhe ishte e rreme. Autorët e këtij lajmi të rremë dhe zotëruesit e këtij rrjeti kriminal të përhapjes së këtyre lajmeve të përballen me ligjin me fuqinë 5.8 ballë me intensitet 8 ballë. Të bëjnë ç’të duan të sajojnë alibitë e asaj që ndodhi, çdo gjë është e faktuar. Forca e ligjit do i japë fund këtij fenomeni njëherë e mirë. Loja me lajmet e rreme që kërcënon jetën e qytetarëve do të marrë fund tani ligjërisht edhe për një arsye tjetër, për t’i dhënë lirinë qytetarëve të marrin informacion e duhur.” tha Braçe

Braçe gjithashtu bëri të ditur se shteti në nivel qendror dhe vendor po shërben me të gjithë fuqinë e tij në terren pranë qytetarëve për t’u ardhur në ndihmë për problemet që kanë pas tërmetit.

Pas publikimit të lajmit të rremë që terrorizoi qytetarët mbrëmjen e djeshme nga portali Syri.net dhe Shekulli se në orën 23:30 do të binte një tërmet 6 ballë, policia shoqëroi për të marrë në pyetje kryeredaktorin e portalit Syri. net Artan Cena, por edhe gazetarët Aurel Rakipllari, Ermal Rizain dhe Gelsi Bakollarin. Gjithashtu u shoqërua edhe gazetarja e Shekullit, Daniela Grica.

“Tërmeti “fake” krijoi panik”

“U krijua një situatë paniku, që përfshiu të gjitha kategoritë shoqërore. Shumë qytetarë iu drejtuan telefonave, duke kërkuar informacion më shumë. Ndonëse u munduam të sqaronim se ishte një spekulim, rasti konkret krijoi një panik të madh te qytetarët, që braktisën banesat e tyre dhe dolën në shesh”. Kështu sqaroi Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, në News 24, në lidhje me tërmetin e rënë dy ditët e fundit. Çako është shprehur se të dielën pasdite, pas shpërndarjes së lajmit “fake news”, shumë qytetar kanë kërkuar informacion pasi ishin në panik.

“Ministrja e Mbrojtjes, së bashku me ekspertin, sqaruan mbrëmë, duke thënë se është e pamundur që të parashikohet një fenomen i tillë. Nga të gjitha komunikimet me ekspertët, në mënyrë kategorike nuk ka mundësi për parashikim të një tërmeti të mundshëm, as për kohën dhe as kapacitetin”, tha Çako.

Më tej, duke folur për pasojat dhe vlerësimin e dëmeve të tërmetit, Çako është shprehur se tani fillon puna më e vështirë për shtetin. Sipas tij, në terren janë 62 grupe pune me ekspertë, inxhinierë dhe personalitete të tjerë, që janë në gatishmëri. Sipas tij, pritet që të nisë vlerësimi i dëmeve dhe më pas do të bëhet dhe shpërblimi për qytetarët e prekur.  

“Janë më të vështira fazat që pasojnë për strukturat tona. Fakti konsiston në detyrimin për të qenë më pranë qytetarëve. Ata kthejnë kokën nga ekonomia dhe këtu është momenti më kritik. Ne jemi të detyruar të jemi prezent, pasi do duhet t’iu vijmë në ndihmë qytetarëve për të evidentuar të gjitha dëmet që janë shkaktuar. Janë faza që kërkojnë dhe investim financiar”.

“Shteti ka qenë i gjithi në këmbë, dje janë marrë kontakte me familjarët. Janë kontaktuar nga 62 grupe, me ekspertë, me inxhinierë dhe personalitete të tjerë, që kanë ofruar ngrohtësinë e shtetit dhe gatishmërinë për t’i kompensuar. Pas saj, do fillojë faza e tretë, që është më e rëndësishmja, e që ka të bëjë me grupet e vlerësimit, që do bëjnë vlerësimin e përcaktimit ligjor të dëmit me ekspertë, ku më pas do vijë dhe shpërblimi. Tirana dhe Durrësi kanë qenë zonat më të prekura”, ka thënë Çako.

Tërmeti 6 ballë është fake, Xhaçka: Panik kriminal, do ndiqen penalisht

Pas lëkundjeve të tërmetit të regjistruara në orën 22:08 minuta me magnitudë 4.4 ballë, qytetarët e Tiranës kanë dalë nga shtëpitë e tyre. Në fakt, situatën e ka rënduar dhe më tepër një lajm ‘fake news’, i përhapur në rrjetet sociale ku pretendohet se sipas sizmiologut grek, në orën 23:30 të ditës së dielë do të ketë një tjetër lëkundje toke të fuqishme. Ky lajm është përgënjeshtruar nga Ministria e Mbrojtjes, e cila është shprehur se kushdo që përhap panik bën një akt kriminal dhe do të përballet me ligjin.

“Prej disa minutash qarkullon në disa portale dhe rrjete sociale një lajm i rremë mbi parashikimin e një tërmeti me përmasa në orën 23:30. I bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, të mos bien pre e njoftimeve të tilla keqdashëse dhe përhapëse paniku pasi nuk ka asnjë parashikim të tillë shkencor nga asnjë institucion shkencor. Gjithçka që po tentohet të bëhet për të përhapur panik te qytetarët është kriminale. Përgjegjësit do ndiqen penalisht”, thuhet në deklaratë.

Bilanci, Xhaçka: 915 banesa të dëmtuara, shteti në këmbë

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka bërë një bilanc të situatës, një ditë pas tërmetit të fuqishëm që tronditi vendin. Në një dalje për mediat, Xhaçka u shpreh se të gjitha strukturat janë angazhuar në terren për të përballuar situatën. Sipas ministres, dëmet e shkaktuara nga tërmeti kanë qenë më modeste se sa mund të priteshin nga një tërmet i këtyre përmasave, duke theksuar se kryesorja ishte fakti që lëndimet në njerëz nuk ishin serioze për jetën.

 “Është një lajm vërtet pozitiv që sot, 24 orë pas ngjarjes sizmike kryesore, informacioni i plotë mbi situatën në terren, na konfirmon që, dëmet kanë qenë shumë më modeste sesa mund të kishim pritur nga një tërmet i atyre përmasave. Më kryesorja, nuk ka pasur asnjë rast lëndimi serioz të qytetarëve. Pavarësisht kësaj, dua t’i siguroj qytetarët që të gjithë institucionet e shtetit shqiptar janë që dje pasdite në krye të detyrës, dhe do të vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë në ditë, deri në përfundimin e kësaj situate”, tha Xhaçka. Më tej, ministrja u shpreh se në terren janë angazhuar qindra forca ushtarake dhe mbi 1400 efektivë të Policisë së Shtetit, ndërsa janë zhvilluar mbi 295 misione shërbimi.

“Vetëm në numrin 112 kanë ardhur mbi 1100 telefonata gjatë ditës së sotme dhe mbi 950 raste janë ndjekur e asistuar, ndërkohë që në rastet e mbetura, qytetarëve u është dhënë përgjigje për shqetësimin dhe nuk ka qenë i nevojshëm asistimi i mëtejshëm. Në total, në rajonin Tiranë Durrës këto ekipe janë mbështetur nga 25 autoambulanca që vazhdojnë të qëndrojnë në gatishmëri edhe tani që flasim. Ekipet mjekësore gjatë 24 orëve të fundit kanë asistuar në 295 misione për t’ju ardhur në ndihmë banorëve edhe pse fatmirësisht, në thuajse 100% të rasteve bëhej fjalë për situata mjekësore jo të rënda dhe që s’kanë pasur nevojë për ndjekje të mëtejshme”, tha Xhaçka.

Ndërkohë, më shumë se 24 orë pas tërmetit, Ministrja Xhaçka ka dhënë edhe një shifër për numrin e banesave dhe pallateve të dëmtuara nga tërmeti. Në total janë 915 banesa e pallate të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa sipas ministres, familjet e prekura janë kontaktuar dhe vazhdojnë të kontaktohen për t`iu ardhur në ndihmë.

“Të gjithë familjet e prekura, në secilën prej 915 banesave dhe pallateve të dëmtuara, janë kontaktuar ose po kontaktohen nga ekipe, të cilave u janë atashuar edhe specialistë të institutit të ndërtimit, psikologë dhe punonjës socialë. Dua ta theksoj që, sipas raportimeve të deritanishme, në pjesën dërrmuese të këtyre rasteve bëhet fjalë për dëmtime të lehta, kryesisht plasaritje të suvasë apo mureve. Gjithsesi, ato godina qe ndërkaq jane te evidentuara me dëmtime me serioze do të verifikohen me prioritet nga ekspertët, të cilët do të japin edhe akt verifikimin teknik që përcakton nëse ato jane te banueshme apo jo”, tha ministrja.

Tërmeti, Mogherini: BE, gati të ndihmojmë Shqipërinë

Pas Komisionerit Johanes Hahn, ka ardhur dhe reagimi i Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Punët e Jashtme, Federica Mogherini, e cila ka shprehur solidaritet për Shqipërinë, pas tërmetit të së shtunës. Në një komunikatë zyrtare, e publikuar nga Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, Mogherini shprehet se ka pasur një bisedë me Kryeministrin Edi Rama. Ajo i ka shprehur mbështetjen shefit të qeverisë, duke theksuar se BE është gati të ofrojë ndihmë për Shqipërinë.

“Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, i shprehu solidaritet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas një seri tërmetesh shkatërruese që goditën Shqipërinë, duke plagosur dhjetëra njerëz dhe duke shkaktuar dëme jashtëzakonisht të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë. Në kontaktin e tyre, Përfaqësuesja e Lartë uroi shërim të shpejtë për të gjithë të dëmtuarit”.

“Ajo gjithashtu nënvizoi gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ofruar ndihmë, edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. Ndërsa Kryeministri Edi Rama anuloi udhëtimin e tij për në New York për javën ministrore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai do të zëvendësohet nga Ministri në Detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, në darkën që Përfaqësuesja e Lartë mban sot me krerët e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën e publikuar nga ambasadori i BE.

Tërmeti, të hënën s`ka mësim në Tiranë, Durrës dhe Elbasan

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka lajmëruar se dita e hënë do të jetë pushim për nxënësit e shkollave të qarkut Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Shahini u shpreh se ky vendim është marrë pas konsultimeve me psikologë, pas gjendjes së krijuar nga tërmeti.

“Duke e marrë këtë parasysh, si dhe duke dëgjuar me shumë respekt sugjerimet e psiokologëve të ndryshëm që na kanë kontaktuar dje dhe sot, kemi vendosur që: Dita e nesërme për të gjithe nxënësit e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, të jetë pushim!  Ditë pushimi të jetë njëkohësisht edhe për prindërit e nxënësve të shkollave 9-vjecare, të cilët punojnë në administratë shtetërore. Fatmirësisht, situata ne terren paraqitet drejt normalizimit, por që familjet e afektuara të tejkalojnë ankthin e djeshëm, u pa e arsyeshme që nxënësit e zonave të lartpërmendura bashkë me prindërit e tyre që punojnë në administratë shtetërore, ta kalojnë ditën e nesërme të lirë e të qëndrojnë me njëri-tjetrin”, njoftoi ministrja.

Ajo ka folur edhe për dëmet e shkaktuara nga tërmeti në disa shkolla. Sipas Shahinit, në Tiranë, Durrës dhe Elbasan ka pasur dëmtime në 2 shkolla, të cilat kanë probleme serioze, ndërsa në 98 të tjera ka pasur plasaritje të mureve dhe fasadave. Ministrja u shpreh se gjithçka është nën kontroll.

“Për fatin tonë të mirë, janë vetëm dy objekte shkollore që kanë pësuar dëmtime në masën që të mos jetë e sigurt hapja e shkollës të hënën. Një nga këto shkolla është klasë vartëse e shkollës qendër “Berxullë”, me numër të vogël nxënësish të cilëve do t’i sigurohet transporti për t’i dërguar në shkollën qendër. Ndërsa shkolla tjetër, është prapë shkollë vartëse në Tiranë, por do të bëjmë njoftimin për këtë shkollë pasi të marrim konfirmimin final nga Bashkia Tiranelë për gjendjen e saj. 98 shkolla të tjera kanë pësuar dëmtime si plasaritje fasadash, në muret e brendshme të shkollave apo ato të jashtme – pjesa kryesore e të cilave janë sanuar dhe pastruar gjatë ditës së sotme nga ekipet e bashkisë.  Pra, dua t’ju siguroj, se insfrastruktura shkollore është gati për të vazhduar normalisht mësimin qysh nesër”, tha Shahini.

Skip to toolbar