Pjesa më e bukur e derbit të së premtes mes Partizanit dhe Tiranës, ishte padyshim spektakli i dhuruar në tribuna. Të dyja tifozeritë, sikur të ishin koordinuar mes tyre, mesazhet dhe koreografitë e ndeshjes ia kushtuan viktimave të tërmetit dhe solidariteti njerëzor për tragjedinë që goditi Shqipërinë. Të parët e nisën tifozët e Partizanit. Në fillim të ndeshjes, ata shpalosën një banderolë të madhe ku shkruhej:
“Muret do të ringrihen sërish, ëngjëjt do të kujtohen përgjithmonë”, ndërsa formuan edhe numrin “51”, për viktimat e tërmetit. Gjithashtu, para nisjes së ndeshjes, në fushën e “Air Albania Stadium”, u mbajt dhe një ceremoni nderimi për “heronjtë e heshtur” të kësaj tragjedie. Përfaqësues të Ushtrisë, Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Zjarrfikës përshëndetën tifozët duke parakaluar në tapetin e blertë. Më pas, në pjesën e dytë, tifozët e Tiranës shpalosën gjithashtu disa banderola me mesazhe solidariteti.
“Tërbimi i tokës gjakun na zgjoi, lot për kë iku mes nesh më s’qëndroi. Po dhimbja e fortë na dha pakëz liri, sërish e tregoi Kosovën- Shqipni”, ishte ky mbishkrimi që ultrasit bardheblu shpalosën në stadium. Këto mesazhe morën duatrokitje nga të gjithë tifozët në stadium, duke treguar edhe njëherë mirënjohjen për të gjithë ata që iu gjendën pranë Shqipërisë në ditë të vështirë. Ndërkohë, tifozët e Partizanit shpalosën edhe një tjetër banderolë, dedikuar Kosovës dhe Iliridës (trojeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut).
“Kufijtë janë në letër, por zemrat s’kanë kufij, Kosovë dhe Iliridë bashkë jemi 1”. Një ndeshje “Fair play”, si në fushë ashtu dhe në tribuna, që lë pas rivalitetin e një ndeshje derbi dhe shfaq anën njerëzore të mirënjohjes dhe respektit, për të gjithë ata që Shqipërisë iu gjendën në ditë të vështirë. E po ashtu, një ndeshje që duket se rikthen buzëqeshjen në kryeqytetin shqiptar, që kaloi ditë të vështira së bashku me zona të tjera të prekura nga tërmetit.