“Unë besoj vetëm te SPAK”, Vasjari: Frika që kam për Shqipërinë

Si pritet të jetë viti 2020 për Shqipërinë dhe shqiptarët? Këtë pyetje gazetari Sokol Balla ua drejtoi katër analistëve të ftuar në “Real Story”, për të cilën, Arian Vasjari tha se Shqipëria po përballet me një plagë të madhe, largimin e të rinjve nga vendi. Sipas tij, ky problem po e shndërron Shqipërinë nga një vend me demokraci pa institucione në demokraci pa popull. “Marr shkas nga ajo që u tha për këtë model ekonomik. Një analizë e thjesht e fakteve më çon në konkluzionin se strukturat dhe superstrukturat ekonomike kur ndërtohen, është e vështirë të shkallmohen. Janë këto struktura që pastaj ndërtojnë dhe strukturat politike. Madje këto ndërtojnë dhe strukturat morale”, tha analisti.

Sipas tij, nëse sot në shoqërinë shqiptare ka hedhur rrënjë ajo ideja e rrufjanit për të bërë karrierë, kjo është reminishencë e atij modeli që ne na është imponuar. “Ne jemi një hap larg që superstrukturat e korruptuara ekonomike që janë në marrëdhënie me politikën, janë futur deri aty sa ne do na kondicionojnë për të ardhmen tonë. Unë kam frikë se ne kemi kaluar nga faza e demokracisë pa institucione, në fazën e demokracisë pa popull. Plaga jonë është se shqiptarët nuk ndiejnë dot më atraksion për Shqipërinë. Të rinjtë shqiptar nuk ndërtojnë dot një projekt në Shqipëri. Unë kam të bëjë me student, e kam të vështirë të gjej një që do të ndërtojë të ardhmen e tij në Shqipëri. Ne po shkojmë te demokracia pa popull. Kjo arratisje, nuk është fluks emigrator, na heq çdo lloj argumenti. Ky është një vend që për popullin e tij nuk vlen më. Mua kjo më shqetëson”, tha Vasjari.

Duke shprehur skepticizmin edhe për funksionimin e Reformës në Drejtësi, ku sipas tij po bëhen përpjekje për të politizuar segmente të caktuara të Reformës në Drejtësi, Arjan Vasjari mbetet optimist vetëm për funksionimin e SPAK. Ai tha se beson te funksionimi i kësaj strukture për shkak se është nën kontrollin e ndërkombëtarëve. Ndaj, në përgjigje të pyetjes se si do të jetë 2020 për Shqipërinë dhe shqiptarët, Vasjari tha se “do të  jetë një shtet më i drejtë”.

“Unë jam mbështetës i qartë i Reformës në Drejtësi. Skepticizmi im ka lindur në një përpjekje për t’i shkallmuar themelet e saj dhe për të shfaqur një dominim politik në një pjesë të reformës. Ne të gjithë këtu jemi në një rreth vicioz dhe nuk dalim dot. Ne këtu jemi viktimë të optimizmit tonë në këto 30 vjet. Për mua tre janë shtyllat kryesore për të parë shëndetin e një demokracie; pjesëmarrja, barazia dhe e drejta”.

“Unë them që në vitin 2020 kemi një pritshmëri që të shikojmë hapat e para të një demokracie të drejtë. Këtë e kam dhe e kam për shkak të SPAK. Duke qenë një strukturë që komandohet nga të huajt, që ka marrë përsipër të vendosë të drejtën. Nëse kjo strukturë realizon atë pritshmëri që unë kam, që do të thotë që të gjithë zyrtarët dhe oligarkët që kanë spekuluar me ligjin, edhe këta të shkojnë para gjykatësit dhe më pas në burg. Unë them se do të ndodh diçka e tillë. Unë them se kjo nuk e bën demokracinë tonë më të mirë, por mund ta bëjë më të drejtë”, përfundoi ai. /Realstory.al/

A është 2019 më keq se 1997? Vasjari në Real Story: Viti 2019, dramë e dramave

Bilanci politik i vitit 2019 dhe parashikimet për vitin 2020 ka qenë tema e emisionit të fundit për këtë vit në Real Story të Sokol Ballës në News 24, ku analistët Fatos Lubonja, Skënder Minxhozi, Arian Vasjari dhe Robert Rakipllari kanë dhënë këndvështrimin e tyre si për vitin që lamë pas, por edhe ato që po vjen, duke bërë edhe një krahasim nëse viti 2019 ishte më keq se viti 1997?

Për analistin Arian Vasjari, i ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës në “News 24”, shqiptarët po përjetojnë dramën e dramave. Ai thotë se Shqipëria ka pësuar regres demokratik.

“Vetë përpjekja për të ndërtuar një paralele me 1997 tregon dekadencën e tmerrshme ku ne jemi. Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur 22 vjet më parë dhe nëse ne do të pranojmë që jeta e racës njerëzore në tërësi por edhe jeta e një demokracie nuk është gjë tjetër, përpos se hapësira mes dy ngjarjeve e nëse ne ndërtojmë si referencë të parë vitin 1997 dhe si referencë të dytë 2019 atëherë 22 vjet që kanë kaluar, paskan kaluar kot në këtë vend. Mjafton vetëm kjo si analizë për të thënë se ne sot jemi në një regres demokratik edhe më të madh sesa viti 1997”, tha Vasjari.

Arian Vasjari theksoi se nëse në vitet e para të demokracisë kishte tmerre, por projektohej e ardhmja, sot më 2019 nuk mund të bësh dot plane për ardhmëri e nuk ka perspektivë. “Jemi në regres demokratik, sepse unë them që problemi ynë më i madh është se na është perfeksionuar antidemokracia në këtë periudhë. Atëherë ishim më të paditur, më pak të ditur në demokraci dhe iluzioni që ndoshta më 1997 u ndërtua ose projeksioni ynë në dekadat e ardhshme ishte se ne do të reflektojmë, por se askush nuk mendonte se demokracia jonë më 2019 do të ishte në këto standarde që është sot. Mua më bind se sot Shqipëria është sot në një moment antidemokracie edhe më të thellë. 2019 në fakt është si dramë demokracie, që nisi me djegien e mandateve dhe përfundoi si tragjedi civile. Vizioni im është se pas shkurtit 2019, ne na zuri poshtë demokracia dhe pas tërmetit të 26 nëntorit faktikisht na zu poshtë edhe natyra. Por është një datë për mua që heq çdo alibi se të këqijat tona vijnë nga jashtë ose vijnë nga natyra ose nga jashtë. Ne jemi vetë e keqja dhe këtu s’kam asnjë kriticizëm të sëmurë se është bërë modë kritika. Në rrugën tonë të demokracisë, ka pasur ngjarje të errëta, por diku ndërtonim një dritëz, diku mbanim shpresat, unë them se në këtë moment ne nuk ndërtojmë dot as shpresë. Kjo mendoj unë është një regres thelbësor, krahasuar edhe me vitin 1997. Viti 1997, me gjithë tragjizmin e saj, në fund të fundit, pasi sistemuam demokracinë, ndërtuam vizion e projekt për të ardhmen. Sot mendoj se as projekt për të ardhmen nuk ndërtojmë dot. Unë mendoj se shoqëria dhe politika ecin në një sistem binar, paralel. Kjo që ka ndodhur këtë vit ka pasoja që do i ndjejmë gjatë. Tregon se ne praktikisht kemi qenë një fake demokraci. Në këto gati 28 a 30 vjet. E keqja më e madhe është se sot unë personalisht e kam të vështirë që edhe vetë të ndërtoj një perspektivë ose të ardhme në këtë vend, imagjinoje si thonë ata 43 përqind e të rinjve që duan të ikin nga ky vend. Dhe kjo është drama e mbi dramave në këtë vend. Dhe çdo diskutim tjetër që në bëjmë mbi parlamentin, presidentin, zgjedhjet, standardet të gjitha etj nuk kanë asnjë lloj vlere. Shqiptarët janë një popull që nuk e duan Shqipërinë. Dhe nuk janë ata shkaku, ata janë pasoja e një demokracie, që për mua sot është absolutisht nën rrënoja”, u shpreh Vasjari.

Rindërtimi pas tërmetit, Vasjari pesimist: Nuk do i zgjidhim kollaj pasojat

Analisti Arian Vasjari foli me nota pesimiste, lidhur me pasojat dhe menaxhimin e situatës pas tërmetit. Në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Arian Vasjari tha se tërmeti nxori zbuluar “kapitalizmin e kamufluar”. Ai shtoi se “pushteti lokal dhe ai qendror”, gjithashtu dolën zbuluar dhe u tregua se kanë dështuar.  “Tërmeti zbuloi kapitalizmin ton të kamufluar. Tërmeti zbuloi dështimin e pushtetit lokal dhe atij qendror. Tërmeti bëri kolaudimin e politikës dhe kapitalizmit. Bumi i ndërtimeve ishte fllusk. Kapaciteti i politikës për ta administruar ka kapuar kuotat e tij fatale”, tha Vasjari.

Arian Vasjari nuk beson se nga situata aktuale, duke iu referuar klasës politike, do të ketë të fituar. Ai u shpreh se nga kjo situatë tragjike nuk ka të fituar, ndërsa shtoi se pasojat në politikën shqiptare do të vazhdojnë gjatë.  “Unë nuk shikoj fitimtar në këtë histori tragjike. Kam dyshime të forta, se deri në sot jemi përballur me dëme materiale. Me dëmet politike të tij do të ndeshemi në një kohë të gjatë. Ne duhet të jemi shumë të sinqertë me ata fatkqinj. Ky është një kod i zi, ne nuk do i zgjidhim kollaj pasojat e këtij tërmeti. Mua më duket e tmerrshme që mbi tërmetin ka debate politike. Politika jonë e ka bërë kapitalizmin antihuman. Jam pesimist në këtë dëshpërim të madh që na ka kapur të gjithëve”, tha Vasjari.

Ndërkohë, ai i quajti iluzione pritshmëritë e mëdha për ndihma nga Europa. Vasjari solli në kujtesë rastin e tërmetit në Akuila në Itali, ku Europa kontribuoi vetëm me rreth 1 miliardë euro, ndërkohë që dëmet llogariteshin mbi 22 miliardë euro. “Kjo e ndihmave nga Europa është një iluzion fatal. Shpresat që ne duhet të kemi te ndërkombëtarët, për të kaluar këtë histori, nuk duhet të kemi pritshmëri. Në Akuila dëmi ishte rreth 22 miliardë euro, ndërkohë që Europa dha vetëm 1 miliardë euro. Ne do të kemi shumë probleme. Ne kemi ligj që është bërë para pesë muajsh për mbrojtjen civile. Ai ligj është jo i shkelur me këmbë, por i grisur. Nuk shikoj fitues në këtë tragjedi”, tha Vasjari. /Realstory.al

Vasjari: Meta, dy shkelje të rënda të Kushtetutës

Analisti Arian Vasjari u shpreh në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24, se Ilir Meta ka bërë dy shkelje të rënda të Kushtetutës. Sipas tij, Meta nuk duhet të shkarkohet për dekretin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe të 13 tetorit. “Kam përshtypjen se është orientuar nga çështje më pak problematike. Për këto unë nuk do ta shkarkoja presidentin. Kujt i referohem? I referohem dekretit për zgjedhje. Këto janë gjithësesi shkelje. Dua të them jo shfuqizim i dekretit. Fakti që Presidenti ka anashkaluar, konsultimin me partitë politike, është një shkelje. Po mendoj se Presidenti për këtë shkak nuk mund të shkarkohet sepse ka argumenta”, tha Vasjari.

Ndërkohë, sipas Vasjarit, dy janë shkeljet e rënda të Kushtetutës nga Ilir Meta. Shkelja e nenit 86, që tregon se  “kryetari i shtetit përfaqëson unitetin e popullit” dhe “ka hyrë në konflikt me parimin e neutralitetit”. Sipas Arian Vasjarit, këto dy pika, janë arsye të forta pse Ilir Meta nuk duhet të jetë më President. “Çështja e shfuqizimit dhe dekretimit duke anashkaluar partitë politike, për mua nuk është shkelje e rëndë. Ajo çfarë është shkelje e rëndë e Presidentit të Republikës, neni 86 është neni i cili; kryetari i shtetit 1; përfaqëson unitetin e popullit; 2 ka hyrë në konflikt me parimin e neutralitetit. Kjo është shumë e rëndë. Është fakti që zoti Meta ka rrëzuar nenin 86 të Kushtetutës dhe ka rrëzuar parimin e neutralitetit të vendit”, tha Vasjari.

Ndërkohë, analisti Eduard Zaloshnja u shpreh se do Gjykata Kushtetuese do të jetë ajo që do të thotë fjalën e fundit. Megjithatë, sipas tij, shkarkimi i presidentit, para se të bëhen ndryshimet kushtetuese, do të krijojë probleme të mëdha elektorale në vend. “Unë kam dëgjuar të dyja palët, por në fund të fundit arbitri përfundimtar është Gjykata Kushtetutese. Edhe Palmer këtë tha; 30 qershori duhet të bëhet, por duhet të krijohet Gjykata Kushtetuese. Politikisht unë them se do shkarkohet. PS e ka ndarë mendjen për ta shkarkuar. Politikisht shoh një problem të madh për zgjedhjet e ardhshme. Krijohet një tension i madh, nga pikëpamja elektorale do krijojë probleme. Unë nuk jap dot opinion, unë si ekspert elektoral mund të them se kjo do të krijojë një problem të madh, nëse nuk ndryshohet Kushtetuta”, tha Vasjari./Realstory.al/

Skip to toolbar