Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i dorëzuan çelësat e shtëpisë së re familjes Belegu në Petrelë. Kjo familje mbeti pa shtëpi pasi u shemb nga tërmeti i 21 shtatorit. Anëtarët e kësaj familje, së bashku me kryefamiljarin Xhevdet Belegu, që vuan nga probleme shëndetësore, do të festojnë festat e fundvitit në shtëpinë e tyre të re.
Shtëpia e kësaj familje u ndërtua në kohë rekord, ashtu siç kishte premtuar kryebashkiaku Erion Veliaj. Ajo u ndërtua nga një kompani private e cila mori përsipër të ndërtojë shtëpinë e familjes Belegu.
“Shtëpitë e reja siç e patë kishin rezistuar, kurse Xhevdeti rri te shtëpia e prindërve, të shtëpia e vjetër e plakut. I ranë muret. Dhe sipas porosisë tuaj për tërmetin e parë që të mbaronim çdo shtëpi, para Vitit të Ri. Prandaj ishte dhe simbolika e gjelit, që, çelësin dhe gjelin dhe një fillim i ri te shtëpia e re”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj siguroi se të gjithë banesat e reja do të plotësojnë të gjithë standardet. Shtëpia e tyre e re 3+1, plotëson më së miri të gjithë nevojat për strehim të familjes Belegu e cila ka tre fëmijë.