“Nuk menduam për zgjedhjet, por për gjeneratën e ardhshme”. Tirana qytet miqësor për fëmijët

Në Tiranë u zhvillua të premten konferenca ndërkombëtare “Qytetet miqësore për fëmijët” ku merrnin pjesë disa nga emrat më të njohur në botë në fushën e urbanistikës, UNICEF e përfaqësues të organizatave të ndryshme që merren me mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në fjalën e tij kryebashkiaku Veliaj renditi disa nga transformimet e Tiranës, për t’i shërbyer sa më shumë fëmijëve. Ai tha se pavarësisht se fëmijët nuk votojnë dhe nuk paguajnë taksa, ata e meritojnë të kenë një qytet miqësor me ta.

 “Sot 2/3 e kalamajve duan të bëhen kryetar bashkie. Por ajo që është e rëndësishme është fakti që fëmijët kanë filluar të mendojnë që tani si funksionon pastrimi, si funksionon gjelbërimi, si funksionojnë kopshtet, shkollat, çerdhet. Jam shumë i lumtur sot që ia kemi mbërritur kësaj dite ku fëmijët janë bërë një epiqendër e jetës sonë publike dhe ashtu si në familjet tona i kemi sytë tek këta, ashtu si një familje e madhe në qytetin tonë gjithashtu i kemi kthyer sytë tek fëmijët. Në fillim fare më thoshin, more çe keni këtë fiksim te kalamajtë, kalamajtë as nuk votojnë, as nuk paguajnë taksa? Qartazi pse i kemi kaq të dhunshme politikat sot është shumë prej këtyre njerëzve kur kanë qenë fëmijë s’kanë pas fëmijëri dinjitoze dhe vijnë shumë idhnakë dhe shumë të dëshpëruar nga fëmijëria e tyre dhe vazhdojnë tërë jetën me të njëjtin hidhërim dhe me të njëjtin helm që nuk mbaron dhe është një cikël dhune që përsëritet në shoqërinë tonë. Argumenti ynë ishte vërtet fëmijët nuk paguajnë taksa dhe vërtet fëmijët nuk votojnë, por ndoshta duke investuar tani te fëmijët fillojmë për herë të parë të mos mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por fillojmë të mendojmë pak për gjeneratën e ardhshme dhe të sigurohemi që ky cikël nuk përsëritet”, tha ai.

Veliaj theksoi se përkundër zërit të një minorance që protestoi për ndërtimin e këndit të lojërave te Liqeni Artificial, shumica fitoi, dhe tashmë në të gjithë qytetin janë ndërtuar kënde të reja lojërash, që dikur ishin hapësira të zëna nga ndërtimet informale.

Veliaj: Do shembet çdo objekt pa leje. Mos kujtoni se jam në fushatë e s’e kam mendjen

Pavarësisht se javën e ardhshme nis zyrtarisht fushatën zgjedhore, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thotë se do ta ketë gjithmonë vëmendjen dhe se nuk do të tolerojë ndërtime pa leje.

Duke komentuar aksionin e djeshëm të policisë Bashkiake, në zonën e Selvisë në kryeqytet, Veliaj e ka cilësuar si të papranushme ndërtimin e objekteve pranë monumenteve kulturore, dhe ka thënë se do të shemben të gjitha ndërtimet pa leje.

 “Nuk ka asnjë sekret, kemi marrë një angazhim publik: nuk mundet që Vojo Kushi të ketë dhënë jetën mbi tank, kurse ne bëjmë një lokal mbi Vojo Kushin, si ai mbi tank. Po ta dinte Vojo Kushi se po e jepte jetën për këto lloj sjellje, do e kishte menduar dy herë hedhjen mbi tank. Le të bëhemi njerëz seriozë: kush ndërton mbi monumente kulture, kush ndërton mbi lapidarë, kush ndërton mbi vende që kujtojnë dhe përkujtojnë figura të historisë tonë, do të duhet t’i bëjë llogaritë mirë”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se fakti që vendi është periudhë elektorale, kjo nuk do të thotë se do krijohen lehtësira për krijimin e objekteve pa leje, përkundrazi do të jenë akoma më të ashpër. Sipas tij, ky është një tregues që do të vërtetojë se nuk bëhen kompromise me ligjin apo kundrejt votave.

“Nëse dikush mendon se meqë unë javën tjetër filloj fushatën nuk do e kem mendjen tek ndërtimet pa leje në qytet, gabohet shumë rëndë. Do të jemi akoma më të ashpër në fushatë, për të treguar se nuk bëjmë kompromis me asnjë votë për një të babëzitur, për një grykës. Mund të jetë ish-deputet, mund të jetë njeri me pushtet, mund të jetë laci i lagjes, mund të jetë një i fortë, mund të jetë një gangster, nuk më intereson hiç! Fushatës do t’i kushtoj të gjithë vëmendjen e rëndësishme, por nuk do lë mangët asnjë gjë të qytetit. Po kush mendon se muaji i fushatës është muaji i rrumpallës dhe për një grusht votash unë do të toleroj dikë që kërkon t’i hipë Vojo Kushit sipër, si ai tankut, e ka shumë gabim”, deklaroi Veliaj.

Ndaj, ai nënvizoi se ashtu si objektet pa leje të ndërtuara mbi monumentin e Vojo Kushit në Rrugën e “Dibrës”, Bashkia e Tiranës do të veprojë edhe me çdo ndërtim tjetër pa leje apo që është ndërtuar në kundërshtim me çdo normë qytetare mbi objekte historike apo monumente të kujtesës.

“Njësoj si te Selvia do ta pësojnë të gjithë ata që guxojnë të përdorin situatën e fushatës si moment ku mendojnë se bashkia nuk e ka mendjen dhe mund të bëjmë ndërtime pa leje. Do ta pësojnë jo vetëm ndërtimet pa leje, por mbi çdo gjë që është ndërtuar në ndërtim pa leje, edhe gjërat që ka poshtë. T’i vënë mendjen kokës dhe mos mendojnë se nuk do kemi mendjen në menaxhimin e qytetit gjatë 30 ditëve të fushatës”, u shpreh Veliaj.

PS çel fushatën në “shtëpinë” e Veliajt

Partia Socialiste ka zgjedhur “shtëpinë” e Veliajt për të nisur zyrtarisht fushatën elektorale më 1 Qershor. Pas shtyrjes me një ditë të çeljes së fushatës, PS ka zbuluar edhe vendin se ku do të bëhet tubimi hapës.

Nga burime pranë selisë rozë mësohet se çelja e fushatës do të bëhet në Parkun Olimpik, një investim i premtuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili është realizuar gjatë këtij mandati dhe vlerësuar së fundmi edhe ndërkombëtarisht. Sipas të dhënave, për takimin hapës të fushatës janë njoftuar të gjithë kandidatët për kryetar bashkie dhe të gjithë kandidatët për këshilltarë.  

Takimi hapës do të organizohet ditën e shtunë, 1 qershor, në orën 17.00. Fillimisht ishte njoftuar se fushata do të hapej më 31 maj, por opozita kishte njoftuar se protestën e radhës do ta mbante po atë ditë. Pas këtij vendimi të opozitës, vetë kryeministri Rama njoftoi se çelja zyrtare e fushatës do të shtyhej me një ditë dhe do të organizohej më 1 qershor. Pasi Partia Socialiste ka vendosur që të hapë zyrtarisht fushatën më 1 qershor, edhe Partia Demokratike ka zgjedhur të ndryshojë datën e protestës së radhës, duke caktuar 2 qershorin si ditën kur do të zhvillohet protesta e shtatë kombëtare. Sipas opozitës, shkaku i shtyrjes së kësaj proteste është se data 31 maj është vendosur si Nata e Kadrit nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Tashmë, Partia Socialiste duket se ka vendosur përfundimisht, jo vetëm datën dhe orën, por edhe vendin se ku do të realizohet takimi hapës i fushatës. Parku Olimpik është një kompleks modern, i cili në muajin prill të këtij viti u vlerësua me çmimin e Arkitekturës Publike Komerciale për Evropën Juglindore.

24 orë ujë në ditë, Bashkia nis punën në Bovillë

Së shpejti duket se shtepitë e Tiranës do të furnizohen me ujë gjatë 24 orëve të ditës. Të paktën kështu premton kryebashkiaku Veliaj, i cili njofton nisjen e punimeve për dyfishimin e kapaciteteve të Bovillës.

 “Ky nuk është një instalacion arti. Me hapjen e motit, hapet sërish fronti i punës për dyfishimin e impiantit të ujit në Bovillë pas 30 vitesh nga investimi i parë kur Tirana kishte vetëm 250 mijë banorë! Kemi dyfishuar ujin në Tiranë këto 4 vjet, e çojmë në 24 orë/ditë me këtë investim”, shkruan Veliaj në Tëitter.

Paralelisht me investimet për burime të reja dhe për impiantin në Bovillë, Bashkia e Tiranës ka nisur një sërë investimesh të rëndësishme në këto katër vite dhe për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, i cili për shkak të mungesës së vëmendjes dhe abuzimeve, ishte kthyer në një kulluese makaronash.

“Isha çerr i vogël kur ajo bënte namin”. Veliaj, video me këngëtaren e njohur

“Unë isha një çerr i vogël kur ‘Spirit Voice’ bënte namin në Tiranë”. Kështu thotë kryebashkiaku Veliaj në një video të shpërndarë në Instagram ku ai shfaqet në krah të Soni Malajt. Veliaj i fton të gjithë qytetarët e Tiranës të ndjekin sonte në kryeqytet te Amfiteatri te Liqeni  një koncert të Soni Malajt së bashku me Majk nga Kosova.

 “Unë isha një çerr i vogël kur ‘Spirit Voice’ bënte namin në Tiranë, ka ardhur koha kur Soni Malaj të bëjë namin prapë për këtë gjeneratën e re”, thotë para kamerës Veliaj.

90 vende të lira pune në Bashkinë e Tiranës. Kriteri që duhet të plotësoni

Janë 90 vende të lira pune në Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiaku Veliaj thotë se kriter parësor janë notat e larta.

Veliaj ka qenë sot i pranishëm në panairin e punës “Work & Study”, ku bëri të ditur se bashkia e Tiranës është e hapur për të punësuar të rinj me rezultate të larta në studime. Ai tha se vendet e lira të punës janë në administratën e Bashkisë, por edhe në drejtoritë e Tiranës.

“Bashkia e Tiranë ka 90 vende pune të lira, përfshirë këtu edhe drejtoritë. I kemi dhënë fund praktikave pa para. Nuk ka më skllevër. Tani kanë nisur praktikat ku studentët do të paguhen”, tha Veliaj.

Kur bëhet fjalë për Ajolën, Lali, jo vetëm që është romantik, por bën dhe humor

Veliaj njihet si njeri spontan dhe sportiv, por di të jetë romantik dhe të bëjë edhe humor në rrjet. Në një foto të publikuar në instagram nga fotografi i tij Gent Onuzi, Veliaj ka bërë një koment shumë origjinal.

“Shumë yll kjo goca, po ky i marumi kush o”, shkruan Veliaj poshtë fotos së tij me Ajolën.

Ata të dy ishin të pranishëm në Ballon Vjeneze të zhvilluar pak ditë më parë në Tiranë dhe shkëlqyen me paraqitjen e tyre.

Brenda majit, gati karta e studentit. Ja përfitimet

Megjithëse ishte një shërbim që duhet ta ofronin universitetet, më në fund karta e studentit do të përgatitet nga ministria e Arsimit në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe do të jetë gati muajin e ardhshëm.

Erion Veliaj dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini prezantuan sot modelin që do ketë Karta e Studentit dhe që do të nisë të shpërndahet shumë shpejt për studentët.

Veliaj në fjalën e tij, tha se bënë realitet një premtim të pambajtur të universiteteve.

“Bashkia e ka patur mundësinë t’i janë dum kësaj çështjeje, por me autonominë e universiteteve, kjo detyrë i kaloi universiteteve. Kur universitetet nuk e bënë, atëherë thamë po e bën bashkia. Secila bashki, sipas shërbimeve që ofron, do të bëjë kartën. Sot prezantojmë dy modelet e para të kartës dhe do donim shumë që Brenda muajit maj, secili prej jush, të kishte Kartën e Studentit. Nëse shkoni në një galeri apo kinema, ulja përfitohet menjëherë duke skanuar kartën. Nëse s’doni ta mbani me vete kartën, kemi edhe një version elektronik të saj, nëpërmjet telefonit”, tha Veliaj.

Edhe ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi se karta e studentit është një premtim i bërë që prej një dekade, por që nuk është përmbushur pasi universitetet nuk kanë kryer detyrimet e tyre.

 “Është një premtim i para një dekade. Ka qenë edhe një kërkesë në ligjin e arsimit të lartë që nga viti 2007. Ekziston në ligjin e 2015. Në mënyrë që karta të realizohej do të duhej të kishte një bashkëpunim më të mirë mes universiteteve dhe institucioneve, për të pasur mundësi për të bërë marrëveshjet. Karta nuk përfshin vetëm uljet që merren nga kompanitë, por edhe shërbimet që përfitohen. Deri tani universitetet nuk kanë qenë shumë aktive në pjesën e tyre. Kemi marrë përsipër që Ministria bashkë me Bashkinë e Tiranës të realizojë kartën e studentit”, tha ministrja Shahini.

“Të tregojmë se kompromisi mund të arrihet”

Drejtoresha për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në EEAS, Angelina Eichhorst ka qenë sot e pranishme në Tiranë ku ka marrë pjesë në  Forumin Ballkanik për Shoqërinë Civile. Në fjalën e saj ajo i ka bërë thirrje palëve për dialog, për gjetjen e një rruge kompromisi, ndërsa ka theksuar se bojkoti nuk i shërben askujt.

“Përmes dialogut dhe punës që ne kemi bërë sëbashku, mund të tregojmë se kompromisi mund të arrihet. Bojkoti nuk mund të jetë një instrument që duhet të përdoret. Është shumë negative të thuash ne nuk do jemi të pranishëm, ne nuk vijmë. Padyshim duhet kurajo për t’u bashkuar në tryezë, të diskutojmë dhe të ballafaqohemi me çështjet që duam të diskutojmë. Është pikërisht kjo, pse ne duhet të përdorim këto mekanizma që kanë në fokus debatin, dhe themi se debati nuk është rruga e duhur që duhet ndjekur. Kjo nuk të çon drejt standardeve demokratike. E rëndësishme është që të ketë debat në të gjitha nivelet”, tha Angelina Eichhorst.

I pranishëm në këtë forum ka qenë edhe kryebashkiaku Veliaj i cili se bashku me Drejtoreshën për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në EEAS theksuan domosdoshmërinë për bashkimin mes palëve.

 “Siç e tha edhe Erioni, ka pak nervozizëm lidhur me punët që janë bërë, disa herë ka negativitet, dhe ne gjithmonë përpiqemi të shohim më të mirën. Është shumë gjë e mirë të shohim atë që vërtet ka ndodhur, të shohim pozitivitet. Ky është një mesazh gjithashtu për Ballkanin dhe BE. Ju jeni vërtet të bashkuar, jemi në një kontinent, ndaj është shumë e rëndësishme mënyra sesi ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku, në një kontinent, në një union, në një familje. Kjo është busulla e punëve që ne duam të bëjmë sot dhe unë këtë e shoh qartësisht këtu në Ballkan.  Është e rëndësishme të shohim bashkëpunimin e thellë në të gjitha nivelet, sigurinë, politikat për fondet, edukimin, mjedisin, në të gjitha nivelet dhe unë e di që këtë do ta diskutojmë së bashku sot”, deklaroi  Angelina Eichhorst.

Së shpejti, nis ndërtimi i kampusit universitar

Në krah të kryebashkiakut Veliaj, kryeministri Edi Rama tha sot nga qyteti Studenti se së shpejti do të nisë ndërtimi i Kampusit Universitar.

Rama pa nga afër rikonstruksionin e godinave të konvikteve në qytetin Studenti, ndërsa foli për mandatin e dytë të Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

 “Paralelisht po punojmë me Bashkinë e Tiranës me kampusin, është një projekt shumë ambicioz, kemi problem serioz rimarrjen e hapësirave. Po përgatisim edhe gjithë inventarin e nevojshëm për shpronësimet ndërkohë që projekti i ndërtimit të hapësirave të reja, qoftë të natyrës rekreative, qoftë akademike është duke u realizuar. Me fillimin e mandatit të ri të Bashkisë së Tiranës do të ecim me punën për kampusin. Është një investim goxha i madh por do bëhet. Ashtu siç do fillojnë në fund të këtij viti e në fillim të vitit të ardhshëm investimet e tjera për auditorët etj”, tha Rama.

Skip to toolbar