Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka parë nga afër punimet në terminalin e ri në Portin e Vlorës, ndërsa ka thënë se ai do të ofrojë shërbime më cilësore për turistët dhe do të jetë gati në nisje të sezonit turistik.
Ndërtimi i terminalit të ri, do të bëjë të mundur shtimin e kapaciteteve të përpunimit, ndërkohë që instalimi edhe i dy skanerëve për kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve do të shkurtojë ndjeshëm kohën e pritjes në këtë pikë kufitare.
Ministrja Balluku duke e cilësuar investimin e
bërë në Portin e Vlorës si pjesë të strategjisë së Qeverisë Shqiptare për
zhvillimin e transportit, theksoi se përmes këtyre investimeve synohet ofrimi i
shërbimeve në një kohë më shpejtë dhe më me cilësi për të gjithë udhëtarët dhe
turistët të cilët vizitojnë Shqipërinë.
“Investimet në Portin e Vlorës janë pjesë e
strategjisë së zhvillimit të transportit të Qeverisë Shqiptare dhe ky terminal
që ndodhet këtu, tashmë gati për t’u dorëzuar dhe gati për të nisur operacionet
në fillim të sezonit, është tregues i qartë i të gjitha vendimmarrjeve që ne
kemi bërë. Projektet të tjera si zgjerimi i kalatave apo edhe thellimi i portit
të Vlorës do të shërbejnë për të rritur numrin e pasagjerëve përmes
kapaciteteve të reja përpunuese që ky port do ketë. Shpresojmë që gjithçka të
përmbyllet sipas afateve dhe Vlora dhe gjithë zona e jugut, e cila meriton një
vëmendje të veçantë përsa i përket zhvillimit të turizmit, t’i përgjigjet kësaj
kërkese ashtu siç duhet, siç e kërkon një vend europian”, nënvizoi Balluku.
Ndërtimi i kalatës lindore në portin e Vlorës,
është një tjetër investim, i cili aktualisht është në fazë studimi dhe që
pritet të jetë gati vitin e ardhshëm, çka do të përmirësojnë edhe më
infrastrukturën në këtë pikë kufitare.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë
garantoi se me investimet e kryera dhe projektet të cilat janë planifikuar për
t’u realizuar synohet që Porti i Vlorës të kthehet në një port me parametrat e
duhur për t’u përpunuar si anijet turistike ashtu edhe ato të mallrave.
“Porti i Vlorës është një port ndërkombëtar,
këtë fakt nuk duhet ta harrojmë, dhe absolutisht mund të destinohet për anijet
turistike, pasi kjo është një zonë e cila ka si destinacion turizmin dhe është
porta për të aksesuar jugun e Shqipërisë. Megjithatë ky është një port
ndërkombëtar të cilin ne do ta sjellim sipas parametrave të duhur për të
operuar të gjitha anijet, qofshin këto edhe anijet e mallrave, qofshin këto
edhe anije turistike”, theksoi ministrja Belinda Balluku.
Porti i Vlorës është përcaktuar si Porti
kryesor për nisjen e anijeve turistike me turistë vendas dhe të huaj, me
destinacion Gadishullin e Karaburunit dhe ishullin e Sazanit. Numri i
operatorëve turistik të cilët operojnë me anije në këto destiancione ka ardhur
duke u rritur, nga 8 anije që kanë operuar në vitin 2018, për këtë sezon kanë
paraqitur kërkesë 13 operatorë.