Policia e Lezhës arrestoi 4 persona të cilët vodhën banesë e një shtetaseje kosovare. Në fakt, personat e arrestuar vepronin si grup i strukturuar, duke kryer vjedhje banesash, raporton policia. Këta shtetas, kishin vjedhur banesën e shtetases F.M. në Shëngjin, ndërsa policia është njoftuar në kohë reale duke organizuar kapjen e tyre.
Në momentin që shërbimet e Policisë janë afruar në adresën e dhënë, autorët janë larguar me shpejtësi me automjet duke përfituar edhe nga errësira.
Policia është vënë në ndjekje dhe ka bërë të mundur që brenda një kohe të shkurtër, rreth 20 minuta, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Antagut”, në dalje të Shëngjinit, të bllokojë automjetin, së bashku me personat që qarkullonin në të.
Gjatë kontrollit fizik dhe në automjet, të ushtruar nga Policia, këtyre personave iu gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 aparat celular i vjedhur në banesë, një trapan që shërben për hapjen e dyerve, 2 palë doreza, 4 kaçavida dhe 3 radio si ato të Policisë.
Në vijim të veprimeve, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Anton Frroku, 49 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin; Rushan Hysi, 25 vjeç, banues në Tepelenë; Hodo Sinanaj, 28 vjeç, banues në Tiranë dhe Ardian Selamani, 48 vjeç, banues në Lezhë.
Këta shtetas dyshohet se kanë kryer edhe vjedhje të tjera në qarkun Lezhë e më gjerë dhe në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e tyre.
Gjithashtu, shtetasit Anton Frroku, në biznesin e tij, një lokal nate në Ishull, Shëngjin, nga punonjës të OSHEE-së iu konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës sëShkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.