Basha konfuz: Duhet ndryshim, fituam në 30 qershor, Rama Ik

Lulzim Basha ka patur të hënën një ditë të ngjeshur takimesh me aleatët. Aksioni opozitar pas mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit, tashmë është më konfuz se kurrë. PD është praktikisht pa asnjë pushtet, humbi dhe bashkitë, të cilat në fakt ishin furnizuesi kryesor i opozitës me protestues, prej shkurtit deri në qershor. Tani që zgjedhjet u mbajtën dhe kryebashkiakët e opozitës duhet të largohen, për ti lënë vendin të zgjedhurve të PS, opozita duhet të mendojë për aksionin e saj nëse do të vijojë të jetë në rrugë apo do të pranojë dorën e shtrirë të dialogut, ofruar nga kryeministri Edi Rama.

Në fakt, gjatë  takimeve të aleatve me Bashën, u la të kuptohet se protestat mund të jenë një alternativë e aksionit opozitar. Por, vetë Basha, duket se nuk është më me këtë mendim, të paktën publikisht nuk e shprehu në daljen për shtyp që pati nga Selia Blu, mbrëmien e së hënës. Por, Basha, ndonëse nuk e njeh 30 qershorin si ditë zgjedhjesh, ai i njeh një meritë kësaj date, pasi ka kuptuar se “shqiptarët duan ndryshim”.

Në fakt, Lulzim Basha përmendi ndryshimin shpesh në fjalimin e tij, por asnjë fjalë për rrugën se si do të vij ky ndryshim, asnjë fjalë për rezistencë, asnjë fjalë për protesta. “Ndryshimi është qëllimi im më i madh. 85% e shqiptareve duan ndryshim. Kjo është e vetmja vlerë e asaj që ndodhi dje”, tha Basha. Megjithatë, gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha, ndonëse i tërhequr nga gjuha e ashpër ndaj kundërshtarit, u shpreh përsëri se Rama duhet të largohet.

“Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon: Edi Rama duhet të largohet dhe të hetohen të gjithë ata që janë kapur duke manipuluar zgjedhjet me krimin. Dhe 30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje te lira dhe të ndershme. Edi Rama duhet refuzuar siç e refuzuat ju. Ai nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drej të ardhmes”, u shpreh Basha.

Raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet Basha e lexon si konfirmim të kauzës së opozitës, duke u shprehur se 30 qershori e nxori më të fortë PD-në. “Votimet ishin të paligjshme dhe tani ky është fakt i pranuar nga të gjithë. Farsa dështoi. PD doli më e forte dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Të gjithë së bashku si qytetarë jemi sot më të bashkuar se kurrë më parë dhe më të fortë se kurrë më parë. Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 qershori”, u shpreh Basha.

Në fakt, PD nuk doli më e fortë nga 30 qershori. Basha, tashmë që nuk ka më asnjë pushtet lokal, duket se më shumë se sa Edi Ramës, po i trembet zërit kundër brenda së djathtës. Ndaj, 30 qershorin vijon ta quajë si fitore, të tijën, të PD-së, të Shqiptarëve.

Vangjel Tavo: Në Gjirokastër kanë votuar 15.6%, ja skema jonë për rezultatet e sakta!

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka folur në një lidhje direkte për “Real Story”, ku ka treguar për gazetarin Sokol Balla, se sipas tij, në qarkun e Gjirokastrës, në mungesë të shifrave për Tepelenën, mendohet që kanë votuar rreth 15.6% e votuesve. “Kanë votuar rreth 15.6% në rang qarku. Në rang qarku jemi diku te 29.5% më pak në krahasim me zgjedhjet lokale të 2015”, u shpreh Vangjel Tavo.

Sipas ish-deputetit të LSI-së, shifrat e opozitës janë nxjerrë pasi në çdo qendër votimi ka pasur persona të caktuar, të cilët kanë mbajtur shënim emrat e votuesve me lista emërore. Në këtë mënyrë, opozita, sipas Vangjel Tavos, pretendon se ka shifrat reale të votuesve të cilët kanë marrë pjesë këtë 30 qershor në zgjedhje.  

“Ne jemi jashtë sistemit, të tjerët votojnë, duke qenë se nuk kemi anëtar në komisionet e qendrave të votimit, morëm masat si opozitë, në çdo qendër votimi kemi vendosur  njerëz me lista emërore të njerëzve që votonin. Këto janë listat e bëra nga anëtarët e LSI në të gjithë qendrat e qarkut, përveç Tepelenës të cilët nuk janë lejuar. Në Goranxi personi që unë kisha vendosur është zbuar dhe dhunuar. Është dhunuar nga komisionerët e PS dhe policia nuk ka reaguar”.

Në fund, Vangjel Tavo u shpreh se nëse shifrat zyrtare që do të japë KQZ do të krenspodojnë me ato të opozitës, procesi do të quhet i rregullt, në të kundërt, Tavo shprehet se ka pasur manipulim.

“Unë them që këto janë rezultatet që duhet të jenë në procesverbalet e qendrave të votimit. Këto janë të çekuara. Kemi dhe pamje filmike të njerëzve që kanë shkuar për të votuar. Ky është rezultati real i njerëzve që kanë shkuar të votojnë. Në rast se nuk del i njëjti rezultat ka manipulim dhe jam gati të ballafaqohem. Nëse KQZ konfirmon shifrat tona, unë nuk them asnjë gjë. Përvec se komisionerët kanë punuar mirë. Nëse del kështu, do të thotë që Partia e Punës së Shqipërisë fitojë”, tha Tavo.

Aldo Bumçi për Real Story: Jemi të përgjegjshëm, nuk pengojmë votuesit

Opozita ka zgjedhur të protestojë paqësisht këtë të diel zgjedhjesh, duke shmangur skenarin e dhunës të parashikuar më herët. Në një lidhje direkte për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, ish-deputeti demokrat, Aldo Bumçi, u shpreh se PD do të rikthehet te protestat pas datës 30 qershor. Bumçi tha se PD nuk do të pengojë asnjë zgjedhës për të votuar.

PD do bëj pas 30 qershorit atë që bëri deri më 30 qershor. Sot i vetmi aktor i përgjegjshëm është vetëm PD. Kemi organizuar protesta masive, kishte sinergji. Ne i frenuam protestat, jemi të ndërgjegjshëm sepse nuk duam të ketë asnjë dëme. Ne nuk do pengojmë askënd, është një protestë simbolike, ky vend nga këto zgjedhje e rëndon krizën”.

Aldo Bumçi shtoi se kriza kërkon zgjidhje të shpejt, duke u shprehur se durimi do të marrë fund një ditë. “Ky vend ka nevojë urgjente për zgjidhje. Ne kemi ofruar zgjidhje, nuk ka pasur dëme në katër muaj protesta. Kjo përgjegjshmëri nuk do vazhdojë gjatë nëse Edi Rama nuk i hap rrugë zgjidhjes që kërkojnë të gjithë. Nuk mund të ketë zgjedhje pa opozitën. Pra sot ne jemi në shumicë në këtë vend. Ne nuk kërkojmë ti hedhim benzinë zjarrit. Kjo krizë kërkon zgjidhje të shpejt në të kundërt durimi do përfundojë”.

Foto/ Molotovët që dogjën KZAZ-në e Vaut të Dejës

Të enjten në mbrëmje, disa dhjetra militantë të Partisë Demokratike të udhëhequr dhe urdhëruar nga zyrtarë të kësaj partie dhe drejtues të bashkisë Vau i Dejës, i vunë flakën materialeve zgjedhore të KZAZ-së së kësaj bashkie.

Ngjarja ishte më e rënda e regjistruar deri më sot, pasi materialet zgjedhore dolën tërësisht jashtë funksionit, të paktën ato që shpëtuan, ndaj KQZ-ja u detyruar të riprintonte fletët e votimit nga e para. Megjithatë, ngjarja i kushtoi pozitën si kryetar bashkie, Zef Hilës, i cili u shkarkua  nga Qeveria për aktin e rëndë të dhunimit dhe pengimit të zgjedhjeve.

Ndërkohë, Realstory.al ka siguruar foto exclusive të bombave molotov që u përdorën për djegien e shkollës “Ndre Mjeda”, ku ishte vendosur KZAZ Nr.6, që i përkiste bashkisë së Vaut të Dejës.

 Në fotot e siguruara nga Realstory.al tregojnë shishe plastike të mbushura me lëndë djegëse, që në pamjet të parë duket benzinë, të cilës i është lidhur edhe një kapsolle e fuqishme, e cila shërben për të shpërthyer dhe ndezur lëndën djegëse.

Masat e policisë për zgjedhjet, Dervishaj: Tubimet gjatë heshtjes zgjedhore janë të paligjshme

Policia e Shtetit ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me masat e marra për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 30 qershor. Drejtori i Policisë së Rendit Publik, Albert Dervishaj gjatë deklaratës së tij foli edhe për tubimet e kërkuara nga bashkitë që drejtohen nga opozita për tubime pa orar dhe pa vend përcaktimi nga periudha 27 qershor deri me 2 korrik. Dervishaj tha se këto tubime nëse bëhen gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore do të cilësohen të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal, që parashikon masën nga 1-5 vite burg.

“Theksoj se gjatë ditëve të fundit nga subjekte politike janë dërguar njoftime në disa struktura vendore të policisë, nëpërmjet të cilave kërkohet organizimi dhe zhvillimi i tubimeve apo protestave në territorin e disa njësive të qeverisjes vendore, pa ndërprerje nga data 27.6.2019 deri në datën 02.07.2019, si dhe pranë KZAZ- ve e Qendrave të Votimit në territorin e disa bashkive. Kujtoj së në pikën 2 të nenit 77 të Kodit Zgjedhor përcaktohet se: “Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, zhvillimi i mitingjeve ose veprimtarive të tjera zgjedhore…”.  Sa më sipër sqaroj së çdo organizim dhe zhvillim i tubimeve dhe protestave në datat 29 dhe 30 Qershor 2019, data që korrespondojnë me periudhën e “heshtjes zgjedhore”, janë të kundërligjshme dhe të dënueshme nga ligji penal. Sipas dispozitave të këtij Kodi, këto vepra penale kanë si masë dënimi atë me burgim nga një deri në pesë vjet.” – tha Dervishaj,

Drejtori i Policisë së Rendit Publik tha më tej se janë marrë të gjitha masat në mënyrë që ditën e diel, më 30 qershor të ketë një votim sa më të qetë dhe të rregullt duke siguruar rendi publik. Dervishaj deklaroi se Policia e Shtetit ka që në shkurt të 2019 që detajon këtë plan masazh për të garantuar suksesin e çdo aktiviteti elektoral, të garantojë ruajtjen e qendrave të votimit, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe sigurimin e vendeve të numërimit të votave, gjatë këtij procesi.

“Për sigurimin e rendit janë trajnuar 7.779 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra të ndryshme gjatë zgjedhjeve. 5.876 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa 281 automjete civile, që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë. Për sigurimin e 5.417 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet të punonjësve të Policisë.” – tha Dervishaj

Dervishaj foli edhe për personat e përfshirë në lidhje me sulmet ndaj KZAZ, të cilët do të hetohen për veprat penale që lidhen me procesin zgjedhor. “Në këto ngjarje janë përfshirë 250 autorë, nga të cilët 59 janë arrestuar 138 ndiqen në gjendje të lirë dhe 53 persona janë shpallur në kërkim.”

 Dervishaj tha gjithashtu se  nga momenti i hapjes së qendrave të votimit në orën 07:00 deri në momentin e mbylljes së tyre në orën 19:00, ndalohet qëndrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër e personave në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit.

SHBA: Do monitorojmë 30 qershorin, dialogu për krizën dhe reformat pas zgjedhjeve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reguar këtë të premte për procesin zgjedhor të 30 qershorit. Me një komunikatë për shtyp publikuar në faqen zyrtare, SHBA kërkon distancim të opozitës nga aktetet e dhunës ditën e zgjedhjeve,  pasi në të kundërt ata do të mbajnë përgjegjësi përpara ligjit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë, zyrtarëve të qeverisë, agjencive të sigurisë dhe qytetarëve shqiptarë që të sigurohen që zgjedhjet e 30 qershorit të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe transparente. Ne nxisim udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo dhe të gjitha llojet e dhunës, apo çdo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Dhuna nuk është një mënyrë legjitime e të shprehurit politik. Ata që përfshihen në akte dhune duhen hetuar me të gjithë fuqinë e ligjit”, shprehet ambsada.

Duke theksuar se SHBA-të do të kenë vëzhguesit e saj të dielën për të monitoruar procesin zgjedhor, shprehet, se pas datës 30 qershor, partitët politike të ulen për të dialoguar duke i dhënë fund krizës politike në vend. Kështu, SHBA, kërkon ngritjen e GJykatës Kushtetuese me gjykatës që kanë kaluar Vettingun, nisjen e punës për Reformës Zgjedhore dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Ne nxisim udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve të së dielës, të rikthejnë vëmendjen e tyre në forcimin e institucioneve demokratike shqiptare dhe zbatimin e ligjit, përfshirë edhe ecjen përpara me ngritjen e një Gjykate Kushtetuese të drejtuar nga gjykatës të cilët e kanë kaluar vetingun. Miratimi i reformave zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi janë thelbësore për aspiratat europiane të Shqipërisë dhe për ngritjen e demokracisë së fortë që i shërben të gjithë shqiptarëve”, përfundon deklarata e SHBA.

Sondazh, A do merrni pjesë në votime në 30 qershor?

Ditën e dielë, më 30 qershor, Shqipëria shkon në zgjedhje lokale, ku do të zgjidhen drejtuesit e Bashkive për katër vitet e ardhshme, dhe përfaqësuesit në Këshillin Bashkiak. E veçanta e këtyre zgjedhjeve lokale është se opozita është larguar dhe nuk do të marrë pjesë, me arsyetimin se zgjedhjet nuk do të jenë të ndershme dhe janë të kapura nga krimi. Kjo bën që Partia Socialiste të garojë e vetme në zgjedhjet e 30 qershorit në shumicën e bashkive, me përjashtim të disa bashkive ku në garë është futur edhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit.

Thellimit të krizës iu shtuan edhe dekretet e presidentit Meta, i cili shfuqëzoi datën 30 qershor dhe me dekretin e fundit zgjodhi një datë të re për zgjedhjet lokale, atë të 13 tetorit. Si Meta dhe Opozita nuk e njohin datën 30 qershor si datë zgjedhjesh dhe kanë bërë thirrje për bojkotim të saj nga qytetarët.

Këto dekrete u cilësuan në kundërshtim me ligjin nga KQZ, Kolegji Zgjedhor, SHBA dhe kuinti i ambasadorëve. Mazhoranca, e mbështetur nga ndërkombëtarët, kanë bërë thirrje që qytetarët të dalin në zgjedhjet e 30 qershori, pasi ato janë të ligjshme dhe do të jenë të qeta.

Po ju si do të veproni? Do të dilni të votoni më 30 qershor? Apo do të votoni më 13 tetor, datën e re të zgjedhjeve që vendosi presidenti Meta?  Jepni mendimin tuaj në sondazhin e realstory.al

Në 30 qershor a do merrni pjesë në votime?

Bashkia Shkodër në punë të dielën, Rama: E çuditshme për një bashki që ka 4 vjet që fle gjumë

Kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me urdhrin e  Bashkisë Shkodër, që nxjerr punonjësit e saj në punë edhe ditën e dielë.  Rama shkruan në twitter se ky është një urdhër i pakuptimtë për të çuar në punë punonjësit në ditë pushimi, kur kjo bashki ka 4 vjet që fle gjumë.  Madje ai i drejtohet Bashës nëse ky urdhër është dhënë nga vetë ai, apo Voltana Ademi e ka dhënë me kokën e saj. Në reagim nuk kanë munguar edhe ironitë e Ramës kundrejt kryebashkiakes Ademi, duke e cilësuar si molotokratja (për shkak të dëshirës së saj për të hedhur molotov në protestat e opozitës) apo Qamile Haxhiu që është tërësisht në shkelje të ligjit me pengimin e procesit zgjedhor më 30 qershor.

“Dhe meqë jemi tek dora jote e fshehur dhe gurët e tu të hedhur, po këtë shkresën e kësaj Qamile Haxhiut të Shkodrës e ke urdhëruar ti apo e ka bërë në kokë të vet kjo molotokratja? Dil sqaroje Artist ç’është ky pasion për punë në ditë pushimi në një bashki që ka 4 vjet në gjumë!” – shkruan Rama

Ky urdhër është parë si një pengesë e Voltana Ademit për të penguar punonjësit bashkiak të dalin në zgjedhje, pasi orari i punës është nga ora 07:00-19:00, i njëjtë me atë të qendrave të votimit kur janë hapur. 

Veliaj: SHBA vulosi zgjedhjet e 30 qershorit

Në mbyllje të fushatës së tij elektorale në Tiranë nga Sheshi Skëndërbej, Erion Veliaj se 30 qershori nuk u vulos vetëm nga mazhoranca dhe ligji, por edhe nga të gjithë ndërkombëtarët. Madje edhe vetë Amerika doli e tha se njeh 30 qershorin si datë të zgjedhjeve tha Veliaj, duke injoruar dekretin e Metës.

Deri sot mund të kishte njerëz që mund të kishin dyshime, mund të kishte njerëz që kishin hamëndësime, mund të kishte njerëz që kishin një ndrojë, por e tha KQZ, e tha Gjykata, e tha edhe Amerika: Në datën 30 qershor Tirana dhe e gjithë Shqipëria do të shkojë të votojë për punën dhe jo për dhunën, do të shkojë të votojë për ndërtimin dhe jo për shkatërrimin, do të shkojë të votojë për dashurinë dhe jo për zjarrin, do të shkojë të votojë për ta çuar Tiranën dhe Shqipërinë lart dhe jo ta ulim poshtë dhe ta rrënojmë atë. Do votojmë djem dhe vajza që në emër të PS-së do të kemi shumicën në Këshillin tonë Bashkiak për të marrë vendimet tona të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Veliaj kërkoi votën e qytetarëve në mënyrë që Tirana të vijojë përpara në rrugën e saj të transformimit të nisur në këto 4 vite. “Për mua dhe për skuadrën time, ka qenë një privilegj, ka qenë një mision dhe ka qenë një bekim i jashtëzakonshëm t’iu shërbeja në këto 4 vite si shërbëtor i Tiranës dhe i tironsve. Por mezi pres nëse më jepni besimin mua dhe skuadrës ne të fillojmë 4 vite të tjera.”

Shmanget presidenca, e pyesin për Palmer, flet për Engel

I pyetur nga mediat në lidhje me deklaratën e shkurtër që u dha nga VOA, e zotit Palmeri, duket se presidenca ka vendosur t’i shmanget pyetjes. Në vend të Palmer, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka vendosur të reagojë për një deklaratë të dhënë pak orë më herët nga kongresmeni amerikan Eliot Engel. Engel konfirmoi atë që tashmë dihej, SHBA njeh 30 qershorin dhe se vendi duhet t’i thotë mjaft krizave sa herë ka zgjedhje. Presidenca tha në njoftimin  saj se bën të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike,  të lira dhe të ndershme.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës. Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e  Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z.Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian.’ – thuhet në reagimin e presidencës.

Në fakt kjo shmangie e presidencës për t’iu përgjigjur deklaratave të Palmer ishte e pritur. Palmer gjatë një interviste për VOA deklaroi hapur dhe në mënyrë de facto që SHBA nuk njohin presidentin Meta dhe aq më pak dekretin e tij të fundit për vendosjen e datës së re të zgjedhjeve më 13 tetor. Palmer tha se zgjedhjet janë më 30 qershor dhe krijimi i Gjykatës Kushtetuese do të vendos zgjidhjen e krizës institucionale.

Skip to toolbar