Si në 1997: SHBA s’njohin Metën President

Vetëm pak orë pasi Presidenti Ilir Meta nxori dekretin e tij të ri, me një datë të re për zgjedhjet gjithëpërfshirëse, atë të 13 tetorit, ka ardhur edhe reagimi i SHBA. Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohin zyrtarisht 30 qershorin si datë legjitime të zgjedhjeve , duke hedhur poshtë kështu në mënyra zyrtare dekretin e ri të Metës. Kjo deklaratë e fortë erdhi  nga zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer. Ky qëndrimi i SHBA-ve riktheu edhe njëherë në vëmendje 1997,ku për herë të dytë nuk njeh një president të Shqipërisë. Në 1997 nuk njohu Berishën për trazirat e kohës dhe sot nuk njeh Metën me dekretin e tij të ri për datën e zgjedhjeve. Palmer ka deklaruar edhe krijimin e Gjykatës Kushtetuese menjëherë pas zgjedhjeve, kjo do t’i jap fund krizës institucionale, të krijuar me dekretet e presidentit Meta.

“Zgjedhjet do te zhvillohen me 30 qershor dhe shpresojmë që të zhvillohen të qeta dhe transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe të shpresojmë që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen përmes institucioneve.”

Kjo deklaratë e Plamer është bërë për VOA, intervista do jepej te premten. Avancimi me një ditë, është reagim ndaj dekretit të sotëm. Praktikisht duke mos njohur dekretin e 13 tetorit SHBA nuk njeh më vendimmarrjen e Ilir Metës. De facto kjo është mosnjohje e presidentit. Një precedent ky i ngjashëm me zgjedhjen e Sali Berishës president në mars 1997 në mes të kaosit të piramidave dhe shkërmoqjes së shtetit. SHBA nuk e njohu atë zgjedhje. Ilir Meta shpesh ka përmendur skenare kaosi si të vitit 1997. Tani profecia pjesërisht ju realizua. /realstory.al

Meta-Rama ironi me letra: Hajde në të gdhirë. Jam në fushatë

Kryeministri Edi Rama ka shkruar një Twitter në orët e mbrëmjes të së mërkurës, vetëm pak pasi publikoi letrën që Ilir Meta i dërgonte për ta ftuar për takim, duke nisur prej orës 5 të mëngjesit të së enjtes. Në reagimin e dytë, kreu i qeverisë ka paralajmëruar se Presidenti Ilir Meta do të nxjerr një tjetër dekret për zgjedhjet. “E meqë ra llafi tek loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit se pas asaj çmendurie pres edhe një tjetër. Se ç’kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet në 30 qershor”, shkruan Rama.

Pas këtij momenti, Presidenca bëri një reagim zyrtar, nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi, i cili konfirmon ftesën e Presidentit për Kryeministrin, gjithashtu dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.  Kryetari i PD-së ka pranuar të shkojë në presidencë, lajm të cilin e konfirmon zëdhënësi i Metës. Takimi është vendosur të mbahet në orën 09:00 të mëngjesit, ndërsa është konfirmuar edhe refuzimi i Kryeministrit Rama, por ftesa mbetet e hapur, duke filluar nga ora 05:00 deri në orën 13:00 të mesditës.  Burime të Realstory.al, konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës se takimi i Presidentit me dy liderët kryesor të PS dhe PD, ka për qëllim konsultimin për dekretimin e një date të re zgjedhjesh, gjë të cilën, Meta pritet ta bëjë të enjten.

Në fakt, Ilri Meta e ka paralajmëruar këtë gjë, pasi pas dekretit për çdekretim të datës së zgjedhjeve më 10 qershor, Presidenti nisi takimet me aleatët e opozitës. Këto takime, pavarësisht se kishin fokus dialogun dhe zgjidhjen e krizës, ishin më shumë për të gjetur një gjuhë të përbashkët për vendosjen e një date të re për zgjedhjet, e cila do ti krijonte mundësinë edhe opozitës për futjen në zgjedhje.

Megjithatë, vendosmëria e Kryeminstrit Edi Rama për të mos njohur anulimin e zgjedhjeve, dhe nga krahu tjetër kushti i Lulzim Bashës për të mos pranuar negociata pa largimin e Edi Ramës, bëri që situata politike të merrte rrjedhë tjetër. Tashmë në lojë janë futur ndërkombëtarët, të cilët kanë pranuar të njohin 30 qershorin si datë të mbajtjes të zgjedhjeve lokale, ndërsa, siç ka paralajmëruar Realstory.al, pas zgjedhjeve do të nis dhe procesi i dialogut qeveri-opozitë. Ndërkohë, Meta, tashmë i mbetur vetëm dhe jashtë vëmendjes së ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës, duket se po përgatitet për një lëvizje të re, nxjerrjen e një dekreti, për caktimin e një date të re zgjedhjesh.

Mero Baze: Pse Perëndimi filloi të flasë sot, pro 30 Qershorit

Nga Mero Baze

Philip T. Reeker, asistent sekretar për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të mbajë zgjedhjet më 30 qershor. Në një bisedë telefonike mes tyre, Philip T. Reeker ka këmbëngulur për mos bërjen e asnjë hapi pas, në zhvillimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Para SHBA, ministri i Jashtëm italian ka telefonuar Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, duke theksuar nevojën e shmangies së dhunës më 30 qershor.

Ndërkohë Bashkimi Europian në Tiranë, ka përcjellë mesazhe të qarta për 30 qershorin tek Rama dhe Basha, përmes takimeve nga vetë ambasadori Soreca, dhe pritet që gjatë javës të rrisin presionin për shmangien e dhunës dhe hapjen e rrugës për zgjedhjet.

Ofensiva e Perëndimit nisi menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që konstatoi pavlefshmërinë absolute të Dekretit të Presidentit.

Kolegji Zgjedhor është gjykata më e lartë dhe  e vetme në Shqipëri, që gjykon rreth akteve administrative për zgjedhjet, dhe Kolegji ka respektuar Presidentin, duke u marrë me aktin e tij, pasi nuk e ka lënë Dekretin në ajër, pa gjykim mbi efektin që ka për zgjedhjet.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese dhe spekulimi me këtë mungesë, kishte lënë të dyzuar qëndrimin e Perëndimit, duke mos bërë deklarata interpretuese për fuqinë juridike të aktit të Ilir Metës.

Vendimi i Kolegjit, i jep shanse çlirimit të energjive diplomatike të Perëndimit për të kanalizuar zgjidhjen e krizës tek 30 qershori dhe më pas tek zgjidhjet që mund të jepen, për të shmangur përsëritjen e këtij precedenti të pashembullt kundër demokracisë në historinë e vendeve pluraliste.

Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor nuk ankimohen dot askund më. Ajo është “Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese” për zgjedhjet.

Presidenti Ilir Meta pritet të reagojë nesër në mëngjes ndaj këtij vendimi. Natyrisht nuk ka surpriza, se ai është kundër tij.

Por problemi i Presidentit është se, gjithë vendimet anti-kushtetuese që ka marrë deri më sot, i ka marrë nën garancinë, se meqë nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe meqë ajo u prish nga reforma në drejtësi, ai mund të bëjë ç’të dojë.

Tani ka një gjykatë zgjedhjesh që gjykon aktet administrative që prekin ato dhe presidenti Meta gjendet para një vendimi gjykate, të cilin është i detyruar ta zbatojë.

Në të kundërt, ka vetëm një rrugë. Ai mund të japë dorëheqje, siç dhe i këshillojnë. Ky akt politikisht e nxjerr korrekt, pasi nuk e pranon vendimin e Kolegjit, por dhe shmang përballjen politike me shumicën parlamentare, kur ta shkarkojnë në sallë.

Kjo është kostoja më e ulët me të cilën mund të përballet me Perëndimin dhe me zgjedhjet e 30 qershorit. Çdo vendim tjetër, do t’i kushtojë më shumë.

Përgjimet, Rama padit Bild: Cenoi dinjitetin e vendit

Kryeministri Rama nuk tërhiqet nga padia ndaj gazetarit gjerman Peter Tiede, të Bild. Ai ka njoftuar nëpërmjet Twitter se sapo ka autorizuar një avokat gjerman për të nisur procesin gjyqwsor pwr publikimet e Bild.

“Sapo i kam dhënë prokurën avokatit gjerman Matthias Prinz, për nisjen e procesit gjyqësor mbi publikimet e Bild! Gjykatat gjermane le ta vendosin kush ka të drejtë e kush ka faj në këtë mes. E bëj sepse shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën nga drejtësia e atij vendi pa hije”, u shpreh kryeministri në Twitter.

Kreu i qeverisë deklaron se publikimi i këtyre audio-përgjimeve, ku ai përmendet për herë të parë, ka cenuar jo vetëm dinjitetin e tij, por edhe të vendit.

Rama ka konfirmuar bisedën e bërë me Arben Keshin, duke theksuar se në atë komunikim nuk ka asgjë të gabuar dhe se do e bënte sërish, po njësoj.

KQZ nis shpërndarjen e fletëve të votimit për KZAZ-të

Pesë ditë nga mbajtja e procesit zgjedhor për pushtetin lokal, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e fletëve ë votimit. Gjatë kësaj të marte materialet zgjedhore janë shpërndarë për KAZA-të e Vlorës, Fierit, Krujës dhe Elbasanit. Shpërndarja e fletëve të votimit dhe materialeve të tjera zgjedhore, të nevojshme për procesin zgjedhor, është bërë me mjete të Ministrisë së Mbrojtjes.

Për zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë në dispozicion 3 606 815 vletë votimi, të cilat janë prodhuar jashtë vendit, psi në Shqipëri ishte i pamundur prodhimi i tyre. Pavarësisht situatës politike, deri më tani nuk raportohet që të ketë pasur probleme në shpërndarjen e fletëve të votimit në katër KZAZ-të që janë shpërndarë deri më tani.

Fletët e votimit do të vijojnë të shpërndahen gjatë gjithë këtyre ditëve në të gjitha KZAZ-të e vendit, me qëllim që ditën e shtunë ato të jenë gati për tu dërguar në Qendat e Votimit në çdo cep të territorit të republikës ku ka qytetarë për të votuar.

Ndërkohë, në krahun tjetër, Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë shprehur qëndrimin për pamundësimin e zgjedhjeve më 30 qershor, duke ngritur struktura për bllokimin e procesit. Për këtë arsye, opozita ka nxjerrë një Qarkore, e cila është mohuar që ekziston dhe që ka dalë nga zyrat e PD-së, por që në fakt, veprimet në bazë të drejtuesve të kësaj partie, kanë treguar të kundërtën, Qarkorja ekziston.

Nga Kukësi, Elbasan, Skrapar dhe Selenicë, janë angazhuar për bllokimin e zgjedhjeve, ndërsa deklarata më e ashpër ishte ajo e ish-deputetit të PD-së, Aurel Bylykbashi, që bënte thirrje deri në vëllavrasje për pamundësimin e zgjedhjeve.

Shqiptarët i ‘tremben’ zgjedhjeve, por mbi gjysma e tyre do votojë në 30 qershor

Në një situatë  ku politika ndodhet në krizë të thellë, madje edhe institucionale në lidhje me dekretin e presidentit Meta, që Kolegji Zgjedhor e hodhi poshtë në një mënyrë indirekte duke njohur 30 qershorin si datë të zgjedhjeve lokale, duket se i gjithë ky tension ka ndikuar edhe tek populli shqiptar.

Dhuna e ushtruar në protesta dhe në ambientet ku janë vendosur disa KZAZ ,  duket se i ka stepur një pjesë të popullsisë në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në votim.

GPF Inspiring Research, një institut italian që merret me sondazhe ka zhvilluar një të tillë lidhur me situatën politike në Shqipëri. Sondazhi i publikuar nga Report TV ka dhënë përgjigjet për disa nga pyetjet e ngritura një prej të cilave ishte:  Për cilin motiv nuk do të votoni në zgjedhjet e 30 qershorit?

Shqiptarët kanë paraqitur si arsye për mospjesëmarrje në zgjedhje se i druhen incidenteve dhe përleshjeve të paralajmëruara nga opozita. 8.6 % të shqiptarëve i druhen paralajmërimeve të opozitës për të penguar procesin zgjedhor.  6.8% e tyre argumentojnë se nuk marrin pjesë në zgjedhje pasi tremben se vota e tyre nuk do mbetet e fshehtë.  12.9% thonë se janë dakord me protestat e opozitës, ndërsa një përqindje e madhe 71.7% shprehen se duke mos marrë pjesë në zgjedhje të gjitha partitë nuk mund të jenë zgjedhje të rregullta.

Ndërsa në lidhje se pjesëmarrjen në votimi ajo që ra në sy ishte më shumë se gjyma ose 55.7% e tyre thonë se do votojnë ndërsa 34% e tyre shprehen se nuk do të marrin pjesë në zgjedhje. Ndërkohë që 10.3% nuk kanë vendosur akoma nëse do votojnë apo jo më 30 qershor.

Rama: Basha, të njëjtën histori sa herë ka zgjedhje, por nuk dorëzohem

Nga Durrësi, kryeministri Rama tha se Lulzim Basha ka të njëjtën histori sa herë afrojnë zgjedhjet, ai do të largohet dhe kërkon që ta marrë fitore në tavolinë përmes marrëveshjeve, duke hedhur akuza se nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe prandaj nuk merr pjesë. “Edhe në 2017 të njëjtën gjë bëri, erdhi poshtë zyrës time, këndoi himnin, tha fjalimin dhe zhdukej më pas.’ tha Rama gjatë takimit elektoral në Durrës.

‘U bënë të gjitha përpjekjet që Basha të futej në zgjedhje, iu lutëm jo vetëm unë por edhe ndërkombëtarët deri sa ju sos durimi. Ndërkombëtarët më thanë në 2017 futu vetëm në zgjedhje se me Bashën nuk mundemi dot, po unë nuk u ndala. Iu luta deri sa më në fund arritëm një marrëveshje dhe Luli mori jo pak por gjysmën më të rëndësishme të qeverisë. Mirëpo marrëveshja i bëri më keq, se sa më mirë. Sot në 2019 ai përsërit të njëjtin refren por këtë herë duke e çuar kërcënimin deri në djegie të mandateve.” – tha Rama

Rama cilësoi se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe kjo gjë është e padiskutueshme. “ Këto zgjedhje do të vendosin kufirin ndarës se nuk do të ketë më politikanë mbi ligjin, që me proteste tyre mund të bëjnë çtë duan me zgjedhjet.’ Madje Rama shtoi me ironi se në këto zgjedhje, edhe pse nuk merr pjesë, Basha do të dal e do të thotë se ishte fitues, pasi do të numëroj demokratët që nuk morën pjesë në zgjedhje.

Rama nuk i ka kursyer akuzat as për presidentin Meta, duke e cilësuar si shkaktarin e thellimit të krizës politike në vend. Përmes ironisë, Rama tha se Meta u tremb as shumë  sa anuloi zgjedhjet me arsyen se “në Shqipëri do bëhet nami”.

“Kemi një sistem drejtësie që nuk fshihesh më, sa i gjatë je, sa i vogël je… të gjithë të barabartë, problem i madh shumë se ke qenë apo je president, punë e madhe se je apo ke qenë kryeministër, drejtësia të merr dhe të çon aty ku e ke vendin. Këtë nuk kanë si ta pranojnë lehtësisht as Saliu as Meta. Prandaj duan ta marrin peng Shqipërinë. Dhe kjo është arsyeja pse dhunës në rrugë i shkon paralel dhuna që ushtron presidenti nga zyra. Dhe del presidenti e thotë anuloni zgjedhjet se do bëhet nami, po kujt i thua që do bëhet nami? Ata që bëjnë namin i ke në shtëpi. Kush do e bëjë namin Luli, po Lulit një fishkëllimë t’i bëjë Saliu, t’i thotë “Lul në shtëpi”, s’ka më Lul.” – tha Rama nga Durrësi

Rama nuk la pa përmendur edhe përgjimet duke i cilësuar si baltë të hedhur mbi kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dakor. Kryeministri bëri një vlerësim për punën që Dako ka bërë në 12 vite në krye të qyteti duke e transformuar atë tërësisht. ‘Dako fitoi në një kohë kur në pushtet ishte Saliu me të gjithë skuadrën më të mirë që ka pasur PD-ja në historinë e saj dhe mekanizmat e saj që ju e dini si përdoreshin në kohën e tij. Kur Dako filloi mbi Olldashin dhe të tjerët mendoni se nuk do të mundte dot Grida Dumën me Salianjin.”

Takimi elektoral i kryeministrit Rama në Durrës u shoqërua me protestat e militantëve të opozitës, ashtu siç Basha kishte urdhëruar pas 21 qershorit. Në krye të protestës ishin  ish-deputetët e PD-së për këtë qark dhe kryetari i degës së PD në Durrës, Ferdinand Xhaferri, por edhe përfaqësues të tjerë të opozitës si Agron Duka dhe të tjerë.

Duke marrë shkas nga kjo protestë, kryeministri Rama nuk i kurseu ironitë, duke i kujtuar kreut të degës së PD në Durrës, Xhaferrit premtimet që ka bërë kur konkurronte për Bashkinë e Durrësit përballë Dakos. “Do ishte kënaqësi e madhe që në Durrës të kishim një kandidat të PD-së që të na tregonte për Durrësin, përveç se të rrisin cilësinë e diellit, që ata e kanë në program dhe ne nuk e kemi” tha Rama për Xhaferrin.

Bashkitë e Opozitës: Nuk do lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor

Opozita refuzon të njohë vendimet e një gjykate të miratuar prej saj në Kodin Zgjedhor, atë të Kolegjit Zgjedhor, që në unanimitet të plotë me 5 vota pro, vendosi që zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, duke rrëzuar dekretin e presidentit Meta për anulimin e tyre.

Në të njëjtën linjë ishin edhe bashkitë që drejtohen nga opozita, kur ditën e hënë për herë të dytë u kanë dërguar letër KQZ për të larguar materialet zgjedhore nga KZAZ-të, nga ambientet që administrohen prej tyre, me arsyetimin se njohin dekretin e presidentit Meta se zgjedhje nuk do të ketë më 30 qershor.

Bashkia e Devollit dhe ajo e Pogradecit ka çuar një letër të dytë në drejtim të KQZ, ku kërkojnë “shfuqizimin e aktit të caktimit të Qendrave të Votimit, duke cilësuar se nuk do të lejojë futjen e materialeve zgjedhore në ambientet që administrohen nga bashkia.” Bashkitë opozitare njoftojnë se kanë shfuqizuar aktin administrativ për listat e zgjedhësve, një kërkesë që kreu i PD-së Lulzim Basha e kërkoi pas protestës së 21 qershorit. Në letrën e tyre Bashkia e Devollit dhe ajo e Pogradecit deklarojnë se “Zaptimi i ambienteve në administrim të bashkisë nuk do të tolerohet dhe nuk do të lejohet futja e materialeve zgjedhore. Nëse kjo ndodh, materialet zgjedhore do të asgjësohen. Shfuqizohet akti administrativ për vendndodhjen e Qendrave të Votimit në ambiente private dhe se do të vendosen punonjës të bashkisë për ruajtjen e tyre. “

Ndërsa Bashkia Kukës ka vendosur që të padisë anëtarët e KZAZ, pasi janë duke mbajtur peng ambientet që i takojnë bashkisë. Bashkia Kukës ka paditur për shpërdorim detyre anëtarët e KZAZ numër 11, pasi vazhdojnë të mbajnë të bllokuara, në mënyrë të paligjshme, mjediset në Shkollën e Mesme “Havzi Nela”.

Pavarësisht se anëtarët e KZAZ-së kanë marrë dijeni për shkak të detyrës, për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore, ata vijojnë të mbajnë të bllokuar një objekt në pronësi të Bashkisë Kukës dhe kanë penguar Bashkinë në ushtrimin e detyrës së saj” thuhet në padinë e dorëzuar në Prokurorinë e Kukësit.

Xhelal Mziu, kryetari i Bashkisë Kamëz, i ka kthyer përgjigje Komisionit Qendror Zgjedhor në lidhje me zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ku sqaron se në Kamëz ato nuk do zhvillohen. “Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka tagër ligjor që të gjykojë mbi Dekretet e Presidentit për sa i përket datës së zgjedhjeve. Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rezervat e tij ligjore për Dekretet e Presidentit, mund t’i drejtohet këtij institucioni (Presidentit). Zbatimi i Dekretit të Presidentit nga ana e qeverisjes vendore Bashkia Kamëz, është një detyrim ligjor dhe aq më tepër kushtetues.” thuhet ndër të tjera në letrën që Bashkia Kamëz i ka dërguar KQZ.

New York Times dhe Washington Post: Zgjedhjet më 30 qershor

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjen më 30 qershor ka tërhequr vëmendjen e dy prej mediave prestigjioze amerikane, New York Times dhe Washington post, të cilat kanë lexuar vendimin e dhënë nga institucioni më i lartë i drejtësisë për zgjedhjet. Vendimi i organi suprem të drejtësisë për zgjedhjet vuri “vulën”, këtë të hënë, se zgjedhjet do të mbahen duke mos pranuar kërkesën për çregjistrim e Partisë së Unitetit kombëtar nga lista zgjedhore.

Kolegji rrëzoi kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar, për tu çregjistruar, si pasojë e dekretit të presidentit. Tashmë edhe ligjërisht, dekreti i Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nuk njihet si i vlefshëm.

Në një shkrim “New York Times” dhe “Washington post” cilësuan se “Kolegji Zgjedhor në Shqipëri ka vendosur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve lokale të dielën duke shmangur lëvizjen e presidentit Meta, për t’i anuluar ato. Kolegji Zgjedhor votoi në mënyrë unanime, me 5 vota pro dhe asnjë kundër, se Partia e Unitetit Kombëtar, e cila kërkoi të çregjistrohet bazuar në veprimin e Presidentit Ilir Meta, duhet të marrë pjesë në zgjedhjet e së dielës. Presidenti Meta anuloi mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, duke pasur frikë se votimi do të ishte “jodemokratik” pa partitë opozitare që e kanë bojkotuar atë.

Ky vendim u cilësuar anti-Kushtetues dhe parlamenti, prej 140 vendesh ka filluar një procedurë të gjatë për të rrëzuar Metën, edhe pse vetë socialistët nuk kanë 94 vota që do të kishin nevojë cilësojnë mediat e huaja.”

Realstory ka zbuluar të hënën strategjinë që do të ndjekë qeveria kundër dekretit të Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe rrjedhimisht argumentet për shkarkimin e tij.

Në dokumentin e qeverisë përcaktohen të gjitha nenet që ka shkelur Presidenti dhe si duhet të veprohet ligjërisht në një rast të tillë, bazuar kjo në vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, por edhe në nenet e Kodit Zgjedhor.

Dokumenti sjell në vëmendje faktin se në Kushtetutë janë përcaktuar qartë kompetencat e Presidentit që është vetëm ajo e përcaktimit të datës së zgjedhjeve dhe jo anulimi i tyre. Një tjetër argument që përdor qeveria është se presidenti zgjat në mënyrë antikushtetuese mandatin e të zgjedhurve vendorë. 

PS: Kolegji foli qartë, zgjedhjet më 30 qershor

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka deklaruar se Kolegji Zgjedhor e bërë të qartë për të gjithë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor. Në një reagim të tij në Twitter, Balla tha se vendimi i Kolegjit Zgjedhor duhet të respektohet nga të gjitha palët. 

“Tani është e qartë! Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 30 qershor! Të gjitha palët duhet të respektojnë Kolegjin Zgjedhor të Shqipërisë që urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.” shkruan Balla, i cili e shoqëron postimin me një shkrim të prestigjiozet New York Times për vendimin që Kolegji Zgjedhor vendosi për mbajtjen e zgjedhjeve duke mos njohur dekretin e presidentit Meta për anulim të tyre. Më herët RealStory.al solli shkrimin e plotë të “New York Times” dhe “Washington post”, ku të dyja cilësojnë se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor.

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky vendim ishte një fitore e ligjit dhe një ditë me bereqet, pasi vetë gjyqtarët e Saliut dhe Ilirit vendosën 5 më 0 që zgjedhjet të  mbahen më 30 qershor. Edhe vetë gjyqtarët e tyre e kanë kuptuar se nuk mund të luhet me demokracinë sipas oreksit të presidentit shtoi Veliaj.

“Një ditë me bereqet për drejtësinë dhe për demokracinë në Shqipëri. 5 me 0. Gjyqtarë të emëruar nga Saliu, gjyqtarë të emëruar nga Ilir Meta, jo gjyqtarët e reformës së re në drejtësi. Ata s’i kemi parë akoma, por edhe gjyqtarët e emëruar nga ata vetë arrijnë të kuptojnë se nuk mundet demokracia të jetë një sport që ndryshon sipas oreksit të presidentit”, tha Veliaj.

Më herët edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka komentuar vendimin e marrë të hënën nga Kolegjit Zgjedhor për të lënë në fuqi 30 qershorin si datën e zgjedhjeve vendore. Balluku ka deklaruar se vendimi i Kolegjit i jep fund amullisë së krijuar nga dekreti i Metës dhe se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Tani ky është një vendim i formës së prerë dhe është i pakontestueshëm.

 “Rëndësi kanë vendimet kushtetuese, vendimi i Kolegjit është i pakontestueshëm. Ne ndodhemi në fushatë zgjedhore të dekretuar nga Presidenti Meta. Në këtë rast mund të ishte dhe Gjykata Administrative, por Kolegji mendoj se ka të drejtën të shprehet në raste të tilla. E gjitha amullia e ngritur nga data e dekretit të Metës sot është larguar dhe kemi një vendim të qartë se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Interpretimi i këtij vendimi është i pavend nga të gjithë ne”, është shprehur ministrja.

Sa i takon aksionit opozitar, i cili do të vijojë gjatë kësaj jave në të gjithë Shqipërinë, ministrja Balluku ka deklaruar se opozita prej muajsh po bën kërcënime, por duhet të bëjnë kujdes se po nxisin luftë dhe veprime jodemokratike.

“Zgjedhjet më 30 qershor nuk i vendosi qeveria Rama dhe as PS, janë zgjedhje brenda afateve kushtetuese të dekretuara nga Meta. Se çfarë do bëjë Shehi, nuk është në kuadër të një diskutimi serioz. Kërcënime të tilla janë bërë prej muajsh. Shehi apo kushdo tjetër nuk i ka seriozisht këto bërjet e luftës, duhet të kenë kujdes kur nxisin luftë dhe veprime jodemokratike”, është shprehur Ministrja Balluku.

Kolegji Zgjedhor vendosi të hënën të rrëzojë kërkesën e Idajet Beqirit për t’u çregjistruar nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit, duke rrëzuar në këtë mënyrë edhe dekretin e Metës për të anuluar zgjedhjet. Me këtë vendim Kolegji lë në fuqi vendimin për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor. Vendimet e kolegjit në bazë të Kodit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe të zbatueshme nga të gjithë.  

Skip to toolbar