Meta-Rama ironi me letra: Hajde në të gdhirë. Jam në fushatë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka shkruar një Twitter në orët e mbrëmjes të së mërkurës, vetëm pak pasi publikoi letrën që Ilir Meta i dërgonte për ta ftuar për takim, duke nisur prej orës 5 të mëngjesit të së enjtes. Në reagimin e dytë, kreu i qeverisë ka paralajmëruar se Presidenti Ilir Meta do të nxjerr një tjetër dekret për zgjedhjet. “E meqë ra llafi tek loja e letrave të Ilir Metës, ju kam thënë pas antidekretit se pas asaj çmendurie pres edhe një tjetër. Se ç’kam një ndjesi që do ta bëjë, po për këtë do flasim nga e hëna e më tej se tani kemi vetëm një punë: Zgjedhjet në 30 qershor”, shkruan Rama.

Pas këtij momenti, Presidenca bëri një reagim zyrtar, nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi, i cili konfirmon ftesën e Presidentit për Kryeministrin, gjithashtu dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.  Kryetari i PD-së ka pranuar të shkojë në presidencë, lajm të cilin e konfirmon zëdhënësi i Metës. Takimi është vendosur të mbahet në orën 09:00 të mëngjesit, ndërsa është konfirmuar edhe refuzimi i Kryeministrit Rama, por ftesa mbetet e hapur, duke filluar nga ora 05:00 deri në orën 13:00 të mesditës.  Burime të Realstory.al, konfirmuan mbrëmjen e së mërkurës se takimi i Presidentit me dy liderët kryesor të PS dhe PD, ka për qëllim konsultimin për dekretimin e një date të re zgjedhjesh, gjë të cilën, Meta pritet ta bëjë të enjten.


Në fakt, Ilri Meta e ka paralajmëruar këtë gjë, pasi pas dekretit për çdekretim të datës së zgjedhjeve më 10 qershor, Presidenti nisi takimet me aleatët e opozitës. Këto takime, pavarësisht se kishin fokus dialogun dhe zgjidhjen e krizës, ishin më shumë për të gjetur një gjuhë të përbashkët për vendosjen e një date të re për zgjedhjet, e cila do ti krijonte mundësinë edhe opozitës për futjen në zgjedhje.

Megjithatë, vendosmëria e Kryeminstrit Edi Rama për të mos njohur anulimin e zgjedhjeve, dhe nga krahu tjetër kushti i Lulzim Bashës për të mos pranuar negociata pa largimin e Edi Ramës, bëri që situata politike të merrte rrjedhë tjetër. Tashmë në lojë janë futur ndërkombëtarët, të cilët kanë pranuar të njohin 30 qershorin si datë të mbajtjes të zgjedhjeve lokale, ndërsa, siç ka paralajmëruar Realstory.al, pas zgjedhjeve do të nis dhe procesi i dialogut qeveri-opozitë. Ndërkohë, Meta, tashmë i mbetur vetëm dhe jashtë vëmendjes së ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës, duket se po përgatitet për një lëvizje të re, nxjerrjen e një dekreti, për caktimin e një date të re zgjedhjesh.




Skip to toolbar