Bashkitë e Opozitës: Nuk do lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor

Më të fundit


Opozita refuzon të njohë vendimet e një gjykate të miratuar prej saj në Kodin Zgjedhor, atë të Kolegjit Zgjedhor, që në unanimitet të plotë me 5 vota pro, vendosi që zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor, duke rrëzuar dekretin e presidentit Meta për anulimin e tyre.

Në të njëjtën linjë ishin edhe bashkitë që drejtohen nga opozita, kur ditën e hënë për herë të dytë u kanë dërguar letër KQZ për të larguar materialet zgjedhore nga KZAZ-të, nga ambientet që administrohen prej tyre, me arsyetimin se njohin dekretin e presidentit Meta se zgjedhje nuk do të ketë më 30 qershor.


Bashkia e Devollit dhe ajo e Pogradecit ka çuar një letër të dytë në drejtim të KQZ, ku kërkojnë “shfuqizimin e aktit të caktimit të Qendrave të Votimit, duke cilësuar se nuk do të lejojë futjen e materialeve zgjedhore në ambientet që administrohen nga bashkia.” Bashkitë opozitare njoftojnë se kanë shfuqizuar aktin administrativ për listat e zgjedhësve, një kërkesë që kreu i PD-së Lulzim Basha e kërkoi pas protestës së 21 qershorit. Në letrën e tyre Bashkia e Devollit dhe ajo e Pogradecit deklarojnë se “Zaptimi i ambienteve në administrim të bashkisë nuk do të tolerohet dhe nuk do të lejohet futja e materialeve zgjedhore. Nëse kjo ndodh, materialet zgjedhore do të asgjësohen. Shfuqizohet akti administrativ për vendndodhjen e Qendrave të Votimit në ambiente private dhe se do të vendosen punonjës të bashkisë për ruajtjen e tyre. “

Ndërsa Bashkia Kukës ka vendosur që të padisë anëtarët e KZAZ, pasi janë duke mbajtur peng ambientet që i takojnë bashkisë. Bashkia Kukës ka paditur për shpërdorim detyre anëtarët e KZAZ numër 11, pasi vazhdojnë të mbajnë të bllokuara, në mënyrë të paligjshme, mjediset në Shkollën e Mesme “Havzi Nela”.

Pavarësisht se anëtarët e KZAZ-së kanë marrë dijeni për shkak të detyrës, për anulimin e datës së zgjedhjeve vendore, ata vijojnë të mbajnë të bllokuar një objekt në pronësi të Bashkisë Kukës dhe kanë penguar Bashkinë në ushtrimin e detyrës së saj” thuhet në padinë e dorëzuar në Prokurorinë e Kukësit.

Xhelal Mziu, kryetari i Bashkisë Kamëz, i ka kthyer përgjigje Komisionit Qendror Zgjedhor në lidhje me zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ku sqaron se në Kamëz ato nuk do zhvillohen. “Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka tagër ligjor që të gjykojë mbi Dekretet e Presidentit për sa i përket datës së zgjedhjeve. Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rezervat e tij ligjore për Dekretet e Presidentit, mund t’i drejtohet këtij institucioni (Presidentit). Zbatimi i Dekretit të Presidentit nga ana e qeverisjes vendore Bashkia Kamëz, është një detyrim ligjor dhe aq më tepër kushtetues.” thuhet ndër të tjera në letrën që Bashkia Kamëz i ka dërguar KQZ.




Skip to toolbar