Zgjidhja e krizës, Basha: PPE kërkon të ulemi për dialog me Ramën

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehet se Shqipëria dhe shqiptarët kanë mbështetjen e fortë të drejtuesve të BE-së dhe kryetarëve të shteteve dhe qeverive anëtare. Sipas tij, gjatë takimeve që zhvilloi në Kongresin e Partive Popullore Europiane, i është komunikuar mbështetja nga drejtues të partive simotra të PD në Europë. Duke cituar rezolutën e miratuar nga PPE, ku shprehet mbështetja për hapjen e negociatave, Basha shprehet se Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet, duke nisur nga zgjidhja e krizës.

Kryedemokrati shprehet se “Partia Popullore Europiane nxit partinë në pushtet dhe opozitën në Shqipëri të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për të tejkaluar menjëherë këtë krizë të thellë politike përmes dialogut dhe miratimin konsensual nga partitë politike, të një reforme elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR që shtron rrugën drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, thotë Basha.

Më tej, kryedemokrati citon disa pjesë të tjera të rezolutës së PPE, që në thelb janë kushtet e Bundestagut gjerman për procesin e hapjes së negociatave, duke nisur hetimi për blerjen e votave, te ngritja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë e deri te dënimin e personave me rekorde kriminale, prfshirë dhe ata që ushtrojnë funksione publike. Në fund, Basha thekson se: “PPE demonstron mbështetjen e qartë  për integrimin europian të Shqipërisë dhe bën thirrje për zgjidhjen e krizës së rëndë politike e cila sa vjen e po thellohet me shumë”.

Lëvizja “Basha Ik” dhe presioni i aleatëve, tërhiqet Basha: Koha të zgjidhim krizën

Gjatë një takimi me banorët  e Fushë-Arrëzit, Lulzim Basha u ka thënë demokratëve të kësaj zone, se “Partia Demokratike i fiton zgjedhjet, kurdo që të mbahen ato”. Kreydemokrati e ka cilësuar, sipas tij, “refuzimin që shqiptarët i bën Edi Ramës në 30 qershor, si një aleancë të madhe politike, që ka njohur ndonjëherë Shqipëria”.

“Përmes 6 muajsh protestash i kemi dhënë kurojo çdo shqiptari, kemi vetëdijësuar çdo shqiptar dhe sot pas 30 qershorit, nuk janë vetëm sondazhet ato që tregojnë PD dhe aleatët fitues të zgjedhjeve të ardhshme, të lira e të ndershme kurdo që të mbahen ato, por është vetë përmasa e 30 qershorit. Janë 85 përqind e shqiptarëve të cilët ushtuan me refuzimin e tyre në 30 qershor, thirrjen kombëtare: “Rama ik” dhe vulosën kësisoj aleancën më të madhe politike që ka njohur Shqipëria dhe shqiptarët që nga vitit 1992″, është shprehur Basha, sipas një komunikate shpërndarë nga zyra e shtypit e Selisë Blu.

Duke folur për 30 qershorin, Lulzim Basha pretendon se rezultati i zgjedhjeve ka treguar që Edi Ramën e kanë ‘braktisur dhe socialistët’. “Me 30 qershor Edi Ramën dhe regjimin e tij e kanë braktisur edhe socialistët e ndershëm. 30 qershori është dita e bashkimit më të madh “Rama ik”, por është edhe një klithmë, një kushtrim për ndryshim”, është shprehur Basha.

Në fund, të mesazhit të shpërndarë nga PD, mësohet se Lulzim Basha ka është shprehur se tani ka ardhur koha që t`i jepet zgjidhje krizës, që sipas tij është e tmerrshme. “Prej nesh shqiptarët kërkojnë më shumë se denoncime, më shumë se përballje, kërkojnë më shumë siguri për të nesërmen dhe rrugën e ndryshimit të vërtetë ku gjithkush do të jetë më mirë. Tani ka ardhur koha ti ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo krizë e tmerrshme dhe ta shndërrojmë shumicën 85 përqind  “Rama ik”, në shumicën e re qeverisëse që do ti prijë transformimit ekonomik dhe politik të vendit”, ka thënë Basha.

Por, kjo është hera e parë, që Lulzim Basha shprehet se ‘ka ardhur koha që t`i ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljen nga kriza’. Pasi, në qëndrimet që ka mbajtur deri më sot, Lulzim Basha është shprehur i vendosur se “nuk ka zgjidhje të krizës pa zgjedhje të lira e të ndershme dhe pa Edi Ramën”. Ky qëndrim i ndryshuar i kryedemokratit vjen vetëm pak ditë, pasi Realstory.al (lexo shkrimin) publikoi një shkrim për lëvizjen “Basha ik”, që pritet të fillojë në fund të muajit gusht apo fillim të shtatorit, nga demokratë që kanë shprehur qëndrimin kritik të Lulzim Bashës.

Gjithashtu, ky qëndrim, i kreut të PD-së, vjen edhe pas presionit të aleatëve të tij, që ndryshe nga Basha, kanë kërkuar dialog me Edi Ramën dhe zgjidhje të krizës. Ndërkohë, kujtojmë, se këtë të diel, dekreti i Ilir Metës për zgjedhjet e 13 Tetorit, bie zyrtarisht edhe për shkak të djegies së afateve kushtetuese për regjistrimin e subjekteve politike në garë.

Basha do ndihmën e PS: Hiqni Ramët, kriza zgjidhet!

Lulzim Basha ka dalë në një konferencë për shtyp mbrëmjen e së shtunës ku është shprehur se qeveria dhe propaganda e saj po punojnë për të minimizuar, atë që sipas kreut të PD, është krimi i vjedhjes së votave në Durrës dhe Dibër. “Qëllimi i parë i propagandës është mohimi në mënyrë flagrante se në Dibër dhe në Durrës kanë ndodhur krime, duke e paraqitur marrëdhënien dhe bashkëpunimin krim-politik si marrëdhënie të pafajshme, pa qëllime kriminale”, tha Basha. Kreu i opozitës u shpreh se pjesë e kësaj strategjie është sulmi i opozitës, përmes atyre, që sipas Lulzim Bashës, janë akuza të montuara politike.

Përmes pretendimit se vjedhja e zgjedhjeve nuk është gjë në lidhje me krimet e tjera të politikës. Si pjesë e kësaj strategjie sulmohet opozita, deri edhe me akuza të montuara politike, që qytetarët të mendojnë se janë të gjithë njësoj dhe marrëdhënia mes vrasësve dhe trafikantëve me qeveritarët nuk është ndonjë tmerr i madh”, tha Lulzim Basha. Kreu i PD shtoi më tej se zgjidhja e krizës kalon nga çmontimi i mekanizmit të bashkëpunimit krim-politikë, pasi, sipas Bashës, me këta njerëz nuk mund të negociohet.

Kriza ku jemi nuk është krizë që ka lindur nga shkaqe dhe procese politike. Ajo është krizë që ka lindur nga shkaqe kriminale dhe nga procesi kriminal i bashkëpunimit të qeverisë dhe Partisë Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës me krimin e organizuar. Për këtë arsye zgjidhja e krizës politike kalon nga çmontimi I mekanizmit të bashkëpunimit të strukturuar krim-politikë. Politikisht këta njerëz nuk mund dhe nuk duhet të jenë pjesë e asnjë procesi. Me këta njerëz nuk mund të diskutohet, negociohet apo arrihet marrëveshje politike”, shprehet Lulzim Basha, duke shtuar se “gjithë ata që janë përfshirë në bashkëpunimin kriminal midis krimit dhe politikës, pa asnjë përjashtim duhet të dalin para drejtësisë”, shtoi ai.

Basha, gjithashtu dërgon dhe një mesazh në fund të fjalimit të tij, drejtuar atyre, që sipas tij, janë njerëzit e ndershëm në PS. Basha u kërkon socialistëve “që të bëjnë presion për pastrimin e partisë së tyre nga ndikimi i krimit dhe figurat e krimit”, deklaroi ai.

Basha në rrugën e arsyes, Meta “lan duart” nga dhuna, Rama gati për dialog. A thua paqja afër?

Lulzim Basha jep sinjalin e parë se është gati për të bërë një marrëveshje politike për zgjedhjen e krizës në vend? Nga selia Blu, Basha foli këtë të enjte pasdite në një konferencë për shtyp, ku dha sinjale se mund të futet në rrugën e dialogut, por ai vendos një kusht të ri. “Asnjë hap politik, asnjë zgjidhje politike në Shqipëri nuk do të bëhet pa patur në themel të saj ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë vjedhur votat e shqiptarëve. Asnjë marrëveshje politike për daljen nga kriza nuk do mund të arrihet, nëse pika numër 1 e saj nuk është ndëshkimi i vjedhësve të votave”, tha Basha. Por deri dje, Basha nuk fliste për marrëveshje. Deri dje Basha fliste vetëm për një gje: pika numër 1, ishte një tjetër: Rama ik. Në deklaratë gjithsesi Basha e klasifikoi Kryeministrin si kreun e bandës, por duket se fokusi ishte tek pergjimet dhe jo tek akuzat politike. Dhe tek përgjimet e BILD, emrat e përfolur janë të tjerë….

Nëse i sheh gjërat kështu, edhe dalja e Arta Markut të enjten në Kuvend, ishte si dalje nën presion për të shpejtuar hetimet e të famshmeve dosje 339 dhe 184. Duke sikur palët janë në kërkim të dhënies së sinjaleve dhe garancive për një marrëveshje të mundshme, të negociuar sigurisht nga ndërkombëtarët.

Nëse dëshiron t’i besosh jo vetëm intuitës, jo vetëm deshirës se mirë që ky vend të mos shkojë për lesh, të paktën duhet t’i besosh fakteve. Dhe fakt është se dhunë të enjten nuk pati. Askund. Edhe Voltana, ndryshoi qendrim me shpejt sesa c’do ndryshonte modelin e flokëve. Tani ajo thotë se do të marshojë qetesisht kundër Ramës të enjten ne darkë.

Pra, lexuar ndryshe, Edi Rama dhe Lulzim Basha, pavarësisht shumë ndasive, po arrijnë në një pikë të përbashkët, ndëshkimin e krimeve elektorale. Këtë ka kërkuar Rama publikisht prej ditës që kanë dalë përgjimet, këtë po kërkon sot dhe Basha. Deklarata e Ramës e bërë mbrëmjen e së mërkurës fliste pwr vullnetin e tij pwr dialog, megjithwse kaloi heshturazi nën zë nga shumë media, ndonëse edhe për shkak të publikimit të audiopërgjimeve të reja të nxjerra nga gazeta gjermane Bild.

Gjithsesi deklarata e Bashës është ndoshta sinjali i parë nga Selia Blu se mundësia për marrëveshje është rritur. Cuditërisht pak më herët, në të njëjtën valë ishte edhe Presidenti Meta. Guerrilas për dhjetë ditë rresht, deklarata e të enjtes ishte shumë më ndryshe. Ajo i referohej dekretimit te shfuqizimit të zgjedhjeve në kohën e shkuar. Dekreti sipas tij për  “ruajtjen e stabilitetit dhe shmangien e konfliktit civivil në vend”, nuk doli sipas pritshmërive. Ndaj, këtë të enjte edhe kreu i shtetit kërkoi që palët të ulen në dialog, pasi sipas tij nuk është koha për matje force. pasdite krerët e kishës katolike (të cilët që prej vitit 1991 kanë luajtur rol zbutës në momente krizash historike), bënë thirrje që të “harrohen britmat kërcënuese, dhe të nisin ato pajtuese”.

Nëse i lexon me kujdes, të tre liderët kryesor, pavarësisht se deri më sot kanë bërë “thyerje krahu”, duket se nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë historike ta çojnë vendin në një konflikt civil me pasoja në jetë njerëzish. Të tre, ndoshta e kanë kuptuar (fatkeqësisht më vonë se të gjithë), se ky zhvillim, nuk do t`i sillte askujt përfitime politike, ndoshta do të ishte fundi politik i të treve, por jo në të njëjtën radhë! Ndaj, arsyeja duket se po fiton terren, vetëm se tashmë duhet që dikush të bëjë hapin e parë konkret drejt dialogut. Nëse këto sinjale do jenë reale, do testohen mbremjen e së enjtes nëse Rama do kontestohet paqësisht në Shkodër, dhe një ditë më pas edhe në Tiranë. Prej dy ditësh pritej një ndërhyrje e fortë ndërkombëtare. Mesa duket rruga nga Uashingtoni në Tiranë, doli më e shkurtër sesa ajo për në Korenë e Veriut. Jo vetëm nga numri i kilometrave. /realstory.al/ 

Kadilli në Real Story: Edhe dhune, po të jetë e nevojshme

Zgjidhja e krizës politike në vend ishte kryefjala e emisionit të hënës në “Real Story” i Sokol Ballës në Vizion Plus, një çështje e cila çdo ditë po bëhet edhe më e nxehtë, teksa afron data 30 qershor, e dekretuar nga Presidenti për zgjedhjet vendore. Të ftuar në “Real Story” për të diskutuar mbi këtë çështje ishin Fatbardh Kadilli i PD, Petro Koçi i PS dhe dy analistët, Arian Vasjari dhe Arion Sulo.

Debati mes dy përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës ka qenë me nota të larta, ku Kadilli deklaroi se nëse do të jetë e nevojshme për të plotësuar kërkesat e opozitës dhe për t’i dhënë zgjidhje krizës, do të organizojë edhe dhunë. Sipas tij, opozita vijon të tregojë vendosmëri në kauzën e saj. “Për ne nuk është fare çështje diskutimi data 30 Qershor. Është vetëm një afat për të zgjidhur krizën që të mos kalohet në një krizë tjetër më të madhe. Padyshim qe zgjidhja e kësaj krize do të jetë politike. Kemi pasur protestën e datës 11 maj, ku kemi treguar edhe forcën, siç kemi pasur dhe protestën e 13 majit apo 25 majit ku u tregua vendosmëria”, tha ish-deputeti i PD, Kadilli. Ai komentoi edhe çështjen e çeljes së negociatave, që sipas tij, do të ishte lajmi më i mirë për opozitën, sepse do kishte më shumë kontroll për qeverinë, por sinjalet janë për dështim të qeverisë për hapjen e negociatave. Ai vijoi të theksonte pikërisht qëndrimin e PD, ku zgjedhje nuk do të kishte pa dorëheqjen e Ramës. “Nuk e kemi rrezuar dot deri më tani, por do ta rrëzojmë me të gjitha mënyrat. Zgjidhjet politike evitojnë përplasjen me popullin. Nëse nuk e do zgjidhjen politike, përballu me popullin. Nuk kam turp unë që të them që e organizoj dhunën po të jetë puna”, deklaroi Kadilli, duke rënë ndesh edhe me deklarat e derisotme të ndërkombëtarëve.

Ish-deputetit të PD iu kundërpërgjigj përfaqësuesi i PS, Petro Koçi, duke deklaruar se Basha ka bërë disa veprime të papranueshme edhe brenda partisë së tij. “Nëse strategjitë e PD do të ishin ndryshe, edhe mundësitë për dialog do të ishin më të lehta”, deklaroi Koçi, duke shtuar se shkaku i krizës është mospërputhja e ambicies së Bashës me realitetin elektoral. Madje, duke iu përgjigjur Kadillit për deklaratat mbi organizimin e dhunës, Petro Koçiu shpreh se “Mentaliteti anti-shtet i PD, shfaqet disa herë gjate këtyre muajve dhe synon vendosjen e pushtetit në tavolinë.

Kurse analisti Vasjari e shikon zgjidhjen të vështirë dhe sipas tij nuk mund të shkohet në zgjedhje me këtë situatë. “Sistemi është me një këmbë dhe nuk mund të shkohet në zgjedhje me një këmbë”, deklaroi Vasjari.

Nga ana tjetër, për këtë situatë, gazetari Arion Sulo e shikon kryeministrin Rama në pozitë shumë të vështirë. “30 Qershori nuk është diskutuar asnjëherë nga Edi Rama. E ka thënë, data e zgjedhjeve nuk preket. Pas 30 Qershorit do të jetë i vetëm dhe pa opozitën”, deklaroi Sulo.

Skip to toolbar