Kadilli në Real Story: Edhe dhune, po të jetë e nevojshme

Më të fundit


Zgjidhja e krizës politike në vend ishte kryefjala e emisionit të hënës në “Real Story” i Sokol Ballës në Vizion Plus, një çështje e cila çdo ditë po bëhet edhe më e nxehtë, teksa afron data 30 qershor, e dekretuar nga Presidenti për zgjedhjet vendore. Të ftuar në “Real Story” për të diskutuar mbi këtë çështje ishin Fatbardh Kadilli i PD, Petro Koçi i PS dhe dy analistët, Arian Vasjari dhe Arion Sulo.

Debati mes dy përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës ka qenë me nota të larta, ku Kadilli deklaroi se nëse do të jetë e nevojshme për të plotësuar kërkesat e opozitës dhe për t’i dhënë zgjidhje krizës, do të organizojë edhe dhunë. Sipas tij, opozita vijon të tregojë vendosmëri në kauzën e saj. “Për ne nuk është fare çështje diskutimi data 30 Qershor. Është vetëm një afat për të zgjidhur krizën që të mos kalohet në një krizë tjetër më të madhe. Padyshim qe zgjidhja e kësaj krize do të jetë politike. Kemi pasur protestën e datës 11 maj, ku kemi treguar edhe forcën, siç kemi pasur dhe protestën e 13 majit apo 25 majit ku u tregua vendosmëria”, tha ish-deputeti i PD, Kadilli. Ai komentoi edhe çështjen e çeljes së negociatave, që sipas tij, do të ishte lajmi më i mirë për opozitën, sepse do kishte më shumë kontroll për qeverinë, por sinjalet janë për dështim të qeverisë për hapjen e negociatave. Ai vijoi të theksonte pikërisht qëndrimin e PD, ku zgjedhje nuk do të kishte pa dorëheqjen e Ramës. “Nuk e kemi rrezuar dot deri më tani, por do ta rrëzojmë me të gjitha mënyrat. Zgjidhjet politike evitojnë përplasjen me popullin. Nëse nuk e do zgjidhjen politike, përballu me popullin. Nuk kam turp unë që të them që e organizoj dhunën po të jetë puna”, deklaroi Kadilli, duke rënë ndesh edhe me deklarat e derisotme të ndërkombëtarëve.


Ish-deputetit të PD iu kundërpërgjigj përfaqësuesi i PS, Petro Koçi, duke deklaruar se Basha ka bërë disa veprime të papranueshme edhe brenda partisë së tij. “Nëse strategjitë e PD do të ishin ndryshe, edhe mundësitë për dialog do të ishin më të lehta”, deklaroi Koçi, duke shtuar se shkaku i krizës është mospërputhja e ambicies së Bashës me realitetin elektoral. Madje, duke iu përgjigjur Kadillit për deklaratat mbi organizimin e dhunës, Petro Koçiu shpreh se “Mentaliteti anti-shtet i PD, shfaqet disa herë gjate këtyre muajve dhe synon vendosjen e pushtetit në tavolinë.

Kurse analisti Vasjari e shikon zgjidhjen të vështirë dhe sipas tij nuk mund të shkohet në zgjedhje me këtë situatë. “Sistemi është me një këmbë dhe nuk mund të shkohet në zgjedhje me një këmbë”, deklaroi Vasjari.

Nga ana tjetër, për këtë situatë, gazetari Arion Sulo e shikon kryeministrin Rama në pozitë shumë të vështirë. “30 Qershori nuk është diskutuar asnjëherë nga Edi Rama. E ka thënë, data e zgjedhjeve nuk preket. Pas 30 Qershorit do të jetë i vetëm dhe pa opozitën”, deklaroi Sulo.




Skip to toolbar