Ç’po ndodh në Kamëz? Flakë në godinën e bashkisë, dyshohet se…

Një zjarr ka përfshirë këtë pardite Bashkinë e Kamzës. Ish-kryebashkiaku Xhelal Mziu publikon videon nga bashkia, ku duket tymi dhe flaka në hyrje të institucionit. Sipas ekipeve zjarrfikëse, flakët kishin rënë në një prej kokave të kondicionerëve që ndodheshin në pjesën e strehës në hyrje të institucionit. Mësohet se një prej kondicionerëve ka pësuar shkëndijë elektrike duke shkaktuar kështu zjarrin.

 Ndërkohë, punonjësja e kësaj bashkie, Nertila Koka tha se zjarri nuk ka dëmtuar asnjë pjesë të godinës, ndërsa të hënën do të nisë puna.

“Nuk ka asnjë lloj pasoje. Incidenti u kontrollua në kohë, ka qenë incident pa pasoja. Ditën e hënë do të jenë të hapura, pasi kemi shumë punë dhe do iu shërbejmë qytetarëve”, tha ajo.


	

Zjarr pranë ‘Antenave’ në Devoll, terreni i vështirë pengon zjarrfikëset

Një zjarr ka rënë në zonën e Çardhakut në afërsi të antenave në Devoll. Zjarri ka djegur një sipërfaqe me bimësi e shkurre, ndërsa ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë malor.

Nga zjarri nuk ka të lënduar apo banesa të prekura, ndërsa Bashkia Devoll po punon për shuarjen e flakëve me forca në terren.

Nga detyra si gardian burgu tek biznesi, policit i digjet makina: Ja ku dyshoj

Një makinë tip “Benz” me targa AA 958 KS është përfshirë nga flakët në lagjen ‘Nënë Tereza’ në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa makina është shkrumbuar plotësisht.

Makina është në pronësi të Nikoll Prengës, i cili është me detyrë gardian në burgun e Shënkollit në Lezhë.

Nga hetimet e deritanishme ka dyshime se ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme, pasi mund të ketë lidhje me detyrën e policit apo biznesit që ai zotëron. Mjeti ishte i parkuar jashtë shtëpisë së efektivit si zakonisht, kur shpërtheu në flakë.

Për ngjarjen ka reaguar edhe efektivi Prenga i cili tha se ka dyshimet e tij dhe i ka treguar në polici. Efektivi mohoi për mediat se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën e tij, ndërsa tha se ka konflikte pronësie për një biznes që ai disponon.

“Për mua është për t’u parë, se makina ime nuk ka pasur probleme teknike. S’ka pasur asnjë problem elektrik. Është për t’u parë gjithçka. Unë punoj në këtë burg, s’kam asnjë shkak për arsye detyre, por ngelet për t’u parë. Nuk kam asnjë konflikt pune. Kur nuk sheh njeri, dhe nuk ke parë e dëgjuar gjë, si vë dot gishtin kujt…Mund të kemi konflikte të vogla, por jo të mëdha. Ne kemi një biznes të vogël këtu dhe disa persona janë futur jashtë gjërave ligjore, sa i përket të drejtave pasurore. Ne i kemi paralajmëruar se janë futur gabimisht, pasi kanë marrë kontrata me dokumente false, çështje që ka shkuar dhe në polici. Dyshimet janë nga të gjitha anët dhe se di, jam pak i lodhur shpirtërisht. Apeli im është që të zbardhen të gjitha çështjet të tilla. Këto janë çështje terroriste. Nëse ekziston dora e njeriut, është terroriste”, tha Prenga.

Aktualisht policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe autorëve.

Fëmijët po luanin me shkrepëse, zjarri në banesë i mori jetën 2-vjeçarit në Kurbin

Detaje të reja zbulohen nga ngjarja tragjike e djegies së një shtëpie në fshatin Sanxhak të Kurbinit, ku mbeti i vdekur 2-vjeçari. 7 fëmijët e familjes po luanin me shkrepëse pas shtëpisë ku ndodhej dhe një kasolle e vjetër, që familja e përdorte si magazinë. Ka qenë pikërisht loja e fëmijëve me shkrese që dyshohet se i ka vënë flakën fillimisht kasolles, që u shkrumbua tërësisht.

Flakët më pas janë përhapur edhe në banesën e familjes, ku mbeti i vdekur i asfiksuar nga tymi djali 2 vjeç, i cili nuk mundi të dilte dot në kohë. Në kasolle familja grumbullonte hekurat dhe kanaçet, që më pas i shiste për të siguruar jetesën.

Zjarri ka rënë rreth orës 15:00 në banesën e shtetasit me iniciale H.Ç., ndërsa trupi i pajetë i 2-vjeçarit është gjetur nga policia në ambientet e brendshme të shtëpisë.

Digjen pyjet e Devollit, kërkohet ndihmë nga ajri

Një zjarr i madh ka përfshirë pyjet e fshatit Nikolicë në Devoll prej ditës së diel, ndërsa një sipërfaqe e madhe është shkrumbuar nga flakët. Për shkak të terrenit të vështirë ndërhyrja e zjarrfikëseve është e pamundur, prandaj po punohet me mjete rrethanore.

40 punonjës bashkie dhe 20 forca të ushtrisë ndodhen në vendin e ngjarjes për shuarjen e flakëve që vijojnë të kenë një intensitet të lartë.

Dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërkohë që është kërkuar ndihmë nga ajri për shuarjen e flakëve. Fatmirësisht zjarri nuk rrezikon banesat.

Digjen kodrat me ullishte në Berat, zjarri i qëllimshëm

Një sipërfaqe e madhe toke bujqësore e mbjellë me fiq dhe ullinj janë përfshirë nga zjarri në fshatin Duhanas të qytetit të Beratit. Pavarësisht punës e zjarrfikëseve, zjarri favorizohet nga era e fortë dhe terreni i vështirë për të ndërhyrë. Flakët kanë përfshirë të pakën 1 ha sipërfaqe të mbjellë, edhe pse po punohet nga zjarrfikëset për vënien nën kontroll të tyre.

Sipas hetimeve paraprake, zjarri dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm nga banorët e fshatit për të hapur kullota të reja.

Zjarri i madh ka shkarkuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të madhe të fshatit, duke shqetësuar banorët.

Fact Checking/ Mbi 12 raste, si u dogjën KZAZ-të me dekretin e Metës

Presidenti Ilir Meta në seancën dëgjimore përpara Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij deklaroi se dekreti për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor synonte të ndalonte gjakderdhjen dhe se fill pas firmosjes së tij u ndalën aktet e dhunës. Por pak javë kanë kaluar nga ajo kohë dhe kujtesa është ende e freskët për të mbajtur mend se ngjarjet nuk rrodhën pikërisht kështu sikurse thotë presidenti. E vërteta është se fill pas firmosje së dekretit të Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve në Shqipëri shpërtheu një valë protestash me zjarrvënie në mbarë vendin, që synonin djegien e KZAZ-ve dhe materialeve zgjedhore duke tundur si flamur dekretin e Metës.

Anulimi i zgjedhjeve nga Meta ndryshoi strategjinë e protestave të PD-së. Liderët e opozitës u tërhoqën nga protestat masive me molotov kundër kryeministrisë (pas apelit të SHBA-së dhe Palmer) dhe u shpërndanë nëpër qytetet e Shqipërisë veçanërisht aty ku ndodheshin bashkitë e djathta, ku sulmuan KZAZ-të dhe i vunë zjarrin materialeve zgjedhore. Argumenti që u përdor në të gjitha rastet si nga drejtuesit e bashkive, përfaqësuesit politikë, por edhe nga militantët dhe protestuesit e thjeshtë ishte se nuk kishte zgjedhje më 30 qershor, për shkak se presidenti i anuloi përmes dekretit.

Realstory ka bërë një kontroll të fakteve dhe ka zbuluar se pas firmosje së dekretit të Metës është paraqitur një situatë e tensionuar në qytetet të tilla, si Pogradec, Bilisht, Kukës, Çorovodë, Burrel, Kamëz, Berat, Klos, Gjirokastër, Dropull, Delvinë, Kavajë, Kamëz, Lezhë, dhe Dibër.

Më poshtë kemi përzgjedhur me data ngjarjet më të rënda:

12 qershor. Dy javë para zgjedhjeve të 30 qershorit, është sulmuar Komisioni Zonal i Administrimit Zgjedhor të qytetit të Rrogozhinës. Militantët kanë thyer fishekun e derës se kësaj qendre, ndërkohë policia ka rrethuar qendrën e KZAZ-së.

18 qershor, zjarr në KZAZ-në nr. 3 në Shkodër. Digjet shkolla Shejnaze Juka. Militantët e PD-së i vënë flakën materialeve zgjedhore. Nuk ka zgjedhje më 30 qershor, Meta i anuloi.

18 qershor, incidente janë shënuar edhe në Tropojë, ku disa shtetas kanë dëmtuar materialet zgjedhore në KZAZ  tek Muzeu Historik.

19 qershor, zyrtarët e Bashkisë së Burrelit dhe militantët e PD-së kanë sulmuar KZAZ-në nr. 16 dhe i kanë vënë zjarrin materialeve zgjedhore duke zbatuar kështu dekretin e Metës për anulimin e zgjedhjeve.

19 qershor është sulmuar dhe është tentuar të hapet edhe KZAZ nr. 27 e Bashkisë Kamëz. Policia Bashkiake e Kamzës ka tentuar të lirojë ambientet e KZAZ-së që ndodhen në shkollën “Ibrahim Rugova”, por ka hasur me Policinë e Shtetit e cila është vënë në ruajtje të ambienteve të kësaj KZAZ-je.

19 qershor. Në KZAZ-në numër 11 në Kukës e cila është vendosur në ambientet e një palestre, militantë të PD-së në bashki, kanë tentuar të hyjnë me forcë për të nxjerrë nga KZAZ materialet zgjedhore. Militantët kanë thyer edhe xhamat e palestrës. Ka pasur përplasje mes tyre dhe forcave të rendit, por situata më e rëndë është bërë kur militantët kanë marrë një kamionçinë dhe me të kërcënojnë të hapin me dhunë derën e KZAZ-së.

19 qershor. Kanë vijuar në mbrëmje tensionet në Kavajë, në KZAZ nr. 42 kur disa militantë të PD janë konfrontuar me forcat e sigurisë. I pranishëm ka qenë edhe kryebashkiaku i PD i cili ka nxjerrë në terren edhe forcat zjarrfikëse të bashkisë për të sulmuar forcat e policisë.

27 shtator, militantët e PD-së i vendosin zjarrin KZAZ-së nr.6 brenda shkollës në Vaun e Dejës. KZAZ-ja ndodhet në shkollën profesionale ‘Ndre Mjeda’ në Bushat.  KZAZ-ja u sulmua me molotv. Strukturat e PD-së janë mobilizuar në zbatim të skenarit të opozitës për të bllokuar zgjedhjet në 30 Qershor duke ndjekur modelin e Shkodrës pak ditë më parë me përplasjet që kulmuan me zjarrin që iu vendos po një KZAZ-je në shkollë.

27 qershor, incidente në KZAZ-të numër 12 dhe 13 në Lezhë. Materialet zgjedhore janë transportuar nga mjete të ushtrisë të shoqëruara nga forcat speciale të policisë. Nga ana tjetër policia bashkiake e Lezhës, e cila drejtohet nga PD ka kërkuar lirimin e ambienteve ku janë vendosur materialet zgjedhore.

28 qershor. PD tenton të futet në KZAZ-në nr. 19 në Dibër që ndodhet në palestrën e shkollës së mesme “Nazmi Rushiti”. Rreth 300 militantë janë përplasur me policinë.

28 qershor. Incidente edhe në Pogradec. Dy punonjës bashkie janë arrestuar pasi kanë mbyllur me çelës 3 shkollat dhe kopshtin, të caktuar nga KQZ si qendra votimi.

28 qershor sulmohet KZAZ 19 në Dibër. Një numër i madh mbështetësish të Partisë Demokratike ku tentuan të hyjnë me forcë. Protestuesit u përplasën fort me policinë. Të paktën gjashtë policë dhe një gazetar kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.

Edhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit, dekreti i Metës u përdor nga kryebashkiakët e djathtë si pretekst për të mos liruar zyrat për të zgjedhurit e rinj vendorë që dolën fitues nga zgjedhjet. Trazira u shënuan në Devoll e Kavajë, ndërkohë që PD ishte përgatitur për skenar dhune në të gjitha bashkitë e djathta, por më pas u tërhoq. Pra faktet vërtetojnë të kundërtën e asaj që Presidenti deklaroi një ditë më parë në komision. Dekreti i tij i hodhi më tej benzinë zjarrit, dhe nuk ndali “gjakderdhjen”./realstory.al

Flakët rrezikojnë banesat në Velipojë, në Fier digjen 5 hektarë pyje

Pavarësisht se moti është ftohur dhe vranësirat janë të pranishme në pjesën më të madhe të territorit shqiptar, duket se zjarret ende janë një kërcënim serioz. Në zonën e Fierit, një zjarr i përmasave të mëdha ka djegur rreth 5 hektarë sipërfaqe të pyjeve të Shkozës në Cakran.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forcat zjarrfikëse të Fierit dhe Patosit, të cilët kanë vënë në kontroll përhapjen e tyre dhe po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Një tjetër zjarr i madh ka rënë në vendin e quajtur Maja e Zezë, në Velipojë. Flakët kanë djegur pyje e kullota, ndërsa ndodhen shumë pranë zonave të banuara duke rrezikuar banesat.

Në shuarjen e flakëve, përveç zjarrfikëseve janë angazhuar edhe banorët e zonës.

Flakët kanë rënë në një terren të vështirë, ku po shihet edhe mundësia për të ndërhyrë me helikopter nga ajri.

Zjarr i madh në Velipojë, përhapja e flakëve rrezikon disa banesa on Vidnews.

Gjithashtu një fermë është përshirë nga flakët në Trush të Shkodrës. Nga zjarri janë shkaktuar shumë dëme materiale, ndërsa zjarrfikëset kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Dyshohet se zjarri në fermë ka ndodhur si pasojë e pakujdesisë njerëzore, ndërkohë që ekspertët në polici po kryejnë hetimet e plota.

Izraeli dhe forcat e Hezbollahut shkëmbejnë zjarr

Fundjavën që lam pa s Izraeli dhe forcat e Hezbollah kanë shkëmbyer zjarr në kufirin mes Libanit dhe Izraelit. Ka qenë grupi militant i Libanit, i mbështetur nga Hezbollah që ka sulmuar një bazë të ushtrisë izraelit dhe një automjet ushtarak, në kufirin mes Libanit dhe Izraelit. Nga ky sulm nuk raportohet të ketë pasur viktima, ndërsa mësohet se agresioni është i pari pas shumë kohësh armë pushimi.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë qenë në gatishmëri të lartë javët e fundit, për shka se udhëheqësi i Hezbollah, Hassan Nasrallah është zotuar  se do të hakmerret ndaj Izraelit për disa sulme ndaj objektivave të Hezbollah në Liban dhe Sirin fundjavën që kaloi. Mësohet se militantët e Libanit kanë gjuajtur me raketa anti-tak në drejtim të një automjeti të ushtrisë izraelit dhe një ambulance ushtarake.

Nuk ka pasur viktima, ndërkohë që kundërpërgjigja izraelite ka qenë e ashpër. Rreth 100 predha artileri dhe zjarr me helikopter, është gjuajtur në drejtim të vendit nga ku mendohet se ka ardhur sulmi i Hezbollah.

Ky është shkëmbimi më serioz ndërkufitar që nga janari i vitit 2015 kur Hezbollah vrau dy ushtarë izraelitë që udhëtonin me një xhip me një raketë anti-tank, një ditë pasi Izraeli kishte vrarë një gjeneral iranian, djalin e një komandanti të vjetër të Hezbollahut dhe disa të tjerë në një sulm ajror në Siri.

Zjarr në Krujë, digjen 4 ha pyje pishe

Një sipërfaqe rreth 4 hektarë me pyje pishe është djegur pasditen e të dielës në Krujë. Mësohet se zjarri ka rënë në fshatin Zgërdhesh, aty ku është shkrumbuar sipërfaqja pyjore.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat zjarrfikëse, të cilat pas disa orësh punë kanë arritur të shuajnë flakët.

Megjithatë, puna e zjarrfikësve është vështirësuar nga terreni i vështirë në zonën ku kishte rënë zjarri. Dyshimet e para janë se zjarri ka qenë i qëllimshëm, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë.

Ndërkohë, në qytetin e Beratit ka rënë zjarr në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, duke bërë që qyteti të mbulohet nga një re tymi. Fatmirësisht flakët e zjarrit nuk kanë pasur rrezik për tu përhapur në zonën përrreth.

Skip to toolbar