Tahiri sulmon Xhafajn: Nuk mbajti përgjegjësi për vëllain

AKTUALITET


Ka përfunduar seanca e mbrojtjes së ish ministrit Saimir Tahiri, ndërkohë që vendimi do të jepet rreth orës 16.00 të së enjtes. Në seancën gjyqësore ish ministri Tahiri ka sulmuar pasardhësin e tij në Ministrinë e Brendshme, Fatmir Xhafajn, ndërsa ka thënë se “disa ministra nuk kanë mbajtur përgjegjësi për vëllezërit e tyre, dhe unë duhet të mbajë përgjegjësi se ia shita makinën vëllait të Habilajve”.

“Po më dënoni vetëm se i kam shitur makinën njërit prej vëllezërve Habilajt. Këtu ka ministra që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezërit unë të mbaj përgjegjësi për vëllezërit e atij që i shita makinën”, tha Tahiri për rastin që i ka shitur makinën Artan Habilajt, ndërkohë që vëllai i tij Mojsi Habilaj akuzohet dhe gjykohet si kryetar i një bande të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

“Dhe sikur të isha Saimir Habilaj s’do më dënonit për vëllezërit”, tha Tahiri.

Gjatë dëshmisë në seancë Tahiri ka përmendur edhe Edi Ramën duke thënë se më 23 prill ka qenë në një drekë me të dhe jo me Habilajt.

“Kam 2 vjet që jam nën hetim, unë ministri i Brendshëm akuzohem se kam trafikuar drogë. S’ka asnjë provë. E vetmja provë është se i kam shitur makinën vëllait të Moisi dhe Florjan Habilaj, që nuk është i përfshirë në asnjë akuze kriminale. Edhe sikur të isha vëllai i Habilajve nuk kisha pse të jem fajtor se vellezerit merren me drogë. Unë kam qenë në drekë në Dajt me Edi Ramën dhe qeverinë në 23 prill dhe jo me Habilajt. Ja ku jane titujt e gazetave që e kanë publikuar dhe në foto unë me Ramën (nxjerr një foto marrë nga shqiptarja). Për mua është jeta ime në këtë proces, për ju është vetëm një proces. Me kanë vënë edhe bomba gjatë punës time. Iki ne burg vetë nëse më vërtetohen akuzat”, tha Tahiri.

Ndërsa avokati i tij Maks Haxhia kërkoi që çështja të pushohet, pasi sipas tij nuk ka vepër penale.

Megjithatë gjykata do ta japë vendimin rreth orës 16:00, ndërkohë që prokuroria ka kërkuar dënimin me 12 vite burg për ish ministrin, por në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar (ulje me 1/3).

Tahiri akuzohet për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Në përfundim të seancës së të enjtes Tahiri është pritur para gjykatës nga dhjetëra qytetarë simpatizantë të tij.

Ish ministri nuk ka pranuar të prononcohet për mediat, duke e pritur me heshtje vendimin e gjykatës.

Vëllai i ish ministrit Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj akuzohet nga PD si trafikant droge në Itali, akuza këto që janë hedhur poshtë nga Xhafaj. Por ish ministri Xhafaj nuk dha dorëheqjen nga posti edhe pas akuzave të PD-së. Ndërkohë që kur mbajti postin e ministrit të Brendshëm, fill pas largimit të Tahirit në disa raste deklaroi në media se gjatë kohës së Tahirit segmente të caktuara të policisë u bënë njësh me drogën. Duket se përgjigjen ia ka kthyer sot Tahiri./realstory.al



Skip to toolbar