Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi është takuar të enjten me presidentin Ilir Meta për të diskutuar për një datë të re të zgjedhjeve. Idrizi vlerësoi aktin e Metës për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa tha se gjatë takimit “I bëmë të qartë se sot nuk është dita për të diktuar për një datë të re, por për të ikur nga spiralja ku jemi futur, që po e nxjerr vendin jashtë shinave institucionale. Kokat e nxehta t’i thërrasin arsyes dhe kauza e opozitës janë zgjedhjet e lira.”
Idrizi shtoi se i takon kryeministrit Rama të ulet dhe të jap zgjidhje, pasi duhet “një pakt kombëtar me të gjitha forcat, duhet një reflektim, i bëj thirrje arsyes së kryeministrit Rama.”
I pyetur për vendimin e KQZ për të injoruar dekretin e Metës, ai tha se “Kemi parë çudira nga më të mëdhatë, e bënë KQZ si gjykatë. Për të gjithë ata që duan të kuptojnë, akti i presidentit ka natyrë individuale, por për të gjithë data e dekretimit të zgjedhjeve është e drejtë e presidentit”.