Taksimi i profesioneve të lira, Gjykata Kushtetuese shqyrton sot padinë e opozitës

AKTUALITET


Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë sot paditë e depozituara nga opozita për shfuqizimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari.

Grupe të ndryshme interesi dhe opozita kanë reaguar ashpër për zbatimin e këtij ligji të cilët theksojnë se kjo taksë do i çon drejt falimentimit.


Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese u depozitua në shkurt 2024 nga 37 deputetë opozitës.

Ndërsa më 25 prill Gjykata Kushtetuese pranoi që të marrë në shqyrtim padinë e bërë, ndërsa në një njoftim të ndarë në faqen zyrtare njofton se kjo padi do të shqyrtohet bashkë me dy të tjera.

Kujtojmë se bëhet fjalë për padinë e depozituar në mars për shfuqizimin e ligjit nga Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Miratuar (IEKA), si edhe padia e Avokatisë së Shqipërisë për moszbatimin e ligjit si antikushtetues. Kjo është padia e tretë e depozituar në Gjykatën Kushtetuese më 19 prill, ndërsa nismës së avokatit Lulzim Alushaj iu bashkuan masivisht 400 profesionistë, si: avokat, përkthyes, financiarë, agjentë të shitjeve të pronave etj, edhe shoqata biznesi.

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Autoshkollave z. Tonin Gjinaj tha se kategorizimi i biznesit të autoshkollave, si profesione të lira, është në kundërshtim me ligjin e transportit rrugor mbi të cilat janë të rregulluara këto aktivitete. Për këtë arsye sipas tij përmbajtja e listës është antiligjore.

Në një reagim në rrjetet sociale deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se kjo është një betejë kundër një sistemi të korruptuar fiskal.

Tabaku shprehet se në Kosovë, profesionet e lira taksohen me 9%, ndërkohë që punëtorët taksohen me një progresivitet deri në 10% (pra, më poshtë se në Shqipëri). “Nëse në Shqipëri, profesionet e lira taksohen në letër me 15% deri në 23% në vendet e rajonit ky taksim është shumë më i ulët”, – shprehet ajo.

Kriza ekonomike që po kalon vendi, thekson ajo,  është një krizë me origjinë mazhorancën socialiste dhe sistemin e korruptuar fiskal që kjo mazhorancë dhe qeveri ka sponsorizuar.

“Prandaj beteja në Kushtetuese për Profesionet e Lira është në të vërtetë një betejë kundër një sistemi të korruptuar fiskal që është ngritur për të taksuar punën, dijen dhe riskun sipërmarrës ndërkohë që u fal taksat një pakice që përfiton gjithë të mirat e buxhetit, pra taksave të shqiptarëve” tha Tabaku.




Skip to toolbar