Të riun e sollën pa zemër nga Barcelona, Gjonaj i kërkon llogari Spanjës

AKTUALITET


Ministrja Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim online me homologun e saj spanjoll ku i ka kërkuar ndjekjen me prioritet të letërporosisë drejtuar autoriteteve spanjolle për rastin Saimir Sulës, të cilit i hoqën zemrën në një spital.

Letërporosia e autoriteteve shqiptare është nisur më datën 1 shkurt por sot ka mbërritur në Spanjë, ku pritet që të fillojnë hetimet për 31 vjeçarin. Më pas letërporosia do t’i kalojë Prokurorisë së Përgjithshme të Spanjës për ekzekutim.


“Gjithashtu Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj i kërkoi homologut spanjoll, z. Juan Carlos Campo Moreno ndjekjen me prioritet të ekzekutimit të kërkesës shqiptare për ndihmë juridike të dërguar nga Ministria e Drejtësisë më datë 09.02.2021 në lidhje me procedimin penal të filluar nga Prokuroria e Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të Shitblerjes së paligjshme të organeve, në kuadrin e hetimeve lidhur me shtetasin Saimir Sula, i cili ka ndërruar jetë në Hospital del Mar të Barcelonës në Spanjë dhe verifikimeve që po kryhen lidhur me rezultatet e autopsisë së bërë” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Në letërporosi prokuroria shqiptare ka 10 kërkesa për autoritetet spanjolle, mes të cilëve edhe të gjendet shkaku pse mungon zemra e shtetasit Saimir Sula. 31-vjeçari ka ndërruar jetë në spitalin ‘Hospital Del Mar’ në Barcelonë Spanjë dhe ka ardhur në Tiranë pa zemër. Mungesa e zemrës u konstatua në Tiranë.

Në dosje thuhet se 31-vjeçari Saimir Sula jetonte në Spanjë me motrën e tij. Në maj 2020 Sula shkoi për test COVID-i dhe rezultoi negativ, ndërkaq i bënë ekzaminime të tjera. Në dosje sqarohet se Saimiri vuante nga probleme mendore pasi kishte halucinacione dhe një mjeke psikiatre i shkonte një ditë po dhe një ditë jo në shtëpi.

Pasditen e 8 majit 2020 Saimiri kishte temperaturë dhe shkoi në spital. Atje u verifikua se nuk kishte COVID, pasi testi doli negativ, megjithatë qëndroi në spital. Gjatë kohës që qëndroi në spital zbulohet se ai i ka shkruar motrës mesazhe të dhimbshme si “Hajde më merrni, po më marrin frymën, po vdes”. Të nesërmen kur motra shkoi për ta marrë nga spitali, i komunikuan se zemra e tij kishte ndaluar. Kjo ka bërë që Majlinda Sula të dyshonte dhe urgjentisht ka kërkuar kartelën mjekësore.

Spitali i Barcelonës  e ka regjistruar vdekjen e Saimir Sulës, si natyrale dhe mjekët shqiptarë e kanë konstatuar mungesën e zemrës këtu. Ka qenë insistimi i së motrës që ka zbuluar mungesën e zemrës pasi trupi i vëllait të saj ka mbërritur me avion nga Spanja.




Skip to toolbar