Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, foli në A2 CNN rreth sitautës së krijuar nga tërmeti. Soreca tregoi së pari momentet e para të tragjedisë që preku Shqipërinë. Ai tha se kontaktin e parë e kishte pasur me kryeministrin Edi Rama mëngjesin e 26 nëntorit, dhe më pas u vu në lëvizje për të ofruar asistencën e BE. “Së pari, i dërgova një mesazh për të kuptuar situatën. Për pak orë, ne patëm atë qendrën tonë të përgjigjeve ndaj emergjencave, të cilët kishin biseduar me të gjithë kryeqytetet e BE. Ky është një sistem tejet efikas, ku menjëherë kryeqytetet tregojnë gatishmërinë e tyre”, tha Soreca.
Duke folur për mekanizmin e emergjencave të BE, ai tregoi detaje se si ky mekanizëm u vu në lëvizje në kohë rekord, duke sjellë në Shqipëri grupet e kërkim-shpëtimit nga disa vende të BE. “Kjo qendër punon 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Kështu që ata kanë mundësinë të kontaktojnë të gjitha shtetet anëtare gjatë gjithë kohës. Kështu që kur vjen një kërkesë nga një shtet anëtar apo një shtet kandidat si Shqipëria, është njësoj për ne. Fillon puna në mënyrë të menjëhershme. Është një listë njerëzish që mund të japin përvojën e tyre. Reagimi nga shumë njerëz ka qenë i menjëhershëm”, tha Soreca.
Tani, që procesi i vlerësimit të dëmeve vijon, ambasadori i BE foli dhe për rindërtimin. Ai u shpreh se fondi prej 15 milionë euro që dha Komisioni Europian janë vetëm hapi i parë i ndihmës së Bashkimit Europian për Shqipërinë, ndërsa tha se Konferenca e Donatorëve që do të zhvillohet në Shqipëri në fund të janarit, pritet të mbledh rreth 300-400 përfaqësues të nivelit të lartë të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, institucioneve finaciare dhe shteteve të ndryshme.
“Ne jemi të nderuar që do të organizojmë këtë konferencë. Kjo konferencë do të ndodhë në Shqipëri, duke marrë në konsideratë që do të jenë 300-400 përfaqësues të nivelit të lartë të organizatave ndërkombëtare, të institucioneve ndërkombëtare financiare, të shteteve të ndryshme. Ne besojmë që do të organizohet nga fundi i janarit, pasi ne besojmë që ky proces i vlerësimit të dëmeve pas kësaj fatkeqësie të jetë kryer në mënyrë që të jemi të sigurt për shifrat. Presidentja e Komisionit do të marrë pjesë në këtë konferencë. Angazhimi është për 15 milionë euro që janë për Shqipërinë dhe kjo është pjesë e angazhimit tonë. Ky është hapi i parë fare për ndihmën për Shqipërinë”, tha Soreca.
Por, ambasadori ka një këshillë për institucionet shqiptare në lidhje me vlerësimin e dëmeve. Sipas tij, sa më mirë të përpilohet raporti, do të ketë më shumë mundësi që donatorët të shohin se në cilët zëra do të sjellin para. “Mendoj se në varësi të raportit që do të përpilohet. Sa më i mirë që të jetë ky raport aq më shumë do të kenë mundësi donatorët të shohin se nga cilët zëra do të mund të sjellin para”, tha Soreca. Ndërsa në fund ai bëri dhe një vlerësim të menaxhimit të situatës nga ana e strukturave shtetërore dhe qeverisë shqiptAre.
“Qeveria e Shqipërisë ka reaguar ndaj tërmetit në mënyrë të menjëhershme. Është krijuar mekanizmi me ministrin Çuçi, me kolegë të tjerë të qeverisë dhe natyrisht që mund të ketë dobësi si në çdo proces. Ashtu siç e thash edhe më parë, edhe në këtë proces është pjesa e vlerësimit pas situatës që do të shikojmë. Në fakt, Shqipëria do të duhet të ketë edhe një mekanizëm pikërisht për Mbrojtjen Civile, një mekanizëm të fortë për të reaguar në lidhje me këto situata. Kjo konferencë donatorësh do të ndihmojë edhe për këtë gjë”, përfundoi Soreca.