Tërmeti, Basha sjell propozime të reja, pezullim për 5 taksa

POLITIKË


Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka kërkuar marrjen e 5 masave me efekt të menjëhershëm ndaj biznesit të dëmtuar materialisht dhe financiarisht nga tërmeti. Kjo kërkesë e Bashës ka rdhur pas takimeve që ai ka pasur në Durrës me përfaqësues të biznesit, ku kryesisht konsistojnë në përjashtime nga taksat, tarifat vendore dhe kontributet, deri në rikuperimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

“Pas një konsulte me përfaqësuesit e Asamblesë së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit propozoj përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore, përjashtim nga tatim fitimi, pezullim të kontributeve të sigurimeve shoqërore, përjashtim nga TVSH dhe pezullim dhe fshirje të pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit”, deklaroi Basha, duke shpjeguar edhe kohën gjatë të cilës duhet të ndërmerren këto masa.


Masat e propozuara dhe afatet

– Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore  gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.

– Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.

– Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.

– Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.

– Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Kërkesa për bankat

Gjithashtu, kreu i PD i bëri thirrje sistemit bankar të riskedulojnë këstet e kredive në periudhën e rindërtimit për operatorët ekonomikë në zonat e prekura. “Kjo paketë e thjeshtë dhe realiste është ndihma më e mirë që mund ti jepet sipërmarrjes për rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë në zonat e goditura. Nga kjo varen mijëra vende pune dhe të ardhurat e dhjetëra mijëra familjeve”, deklaroi Basha. Më herët, ai propozoi që të anulohen koncesionet për t’i ardhur në ndihmë personave të prekur nga tërmeti, por kjo u mohua nga kryeministri Rama, i cili tha se koncesionet do të vazhdojnë, por edhe rindërtimi do të realizohet.




Skip to toolbar