“Tërmeti “fake” krijoi panik”

AKTUALITET


“U krijua një situatë paniku, që përfshiu të gjitha kategoritë shoqërore. Shumë qytetarë iu drejtuan telefonave, duke kërkuar informacion më shumë. Ndonëse u munduam të sqaronim se ishte një spekulim, rasti konkret krijoi një panik të madh te qytetarët, që braktisën banesat e tyre dhe dolën në shesh”. Kështu sqaroi Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, në News 24, në lidhje me tërmetin e rënë dy ditët e fundit. Çako është shprehur se të dielën pasdite, pas shpërndarjes së lajmit “fake news”, shumë qytetar kanë kërkuar informacion pasi ishin në panik.

“Ministrja e Mbrojtjes, së bashku me ekspertin, sqaruan mbrëmë, duke thënë se është e pamundur që të parashikohet një fenomen i tillë. Nga të gjitha komunikimet me ekspertët, në mënyrë kategorike nuk ka mundësi për parashikim të një tërmeti të mundshëm, as për kohën dhe as kapacitetin”, tha Çako.

Më tej, duke folur për pasojat dhe vlerësimin e dëmeve të tërmetit, Çako është shprehur se tani fillon puna më e vështirë për shtetin. Sipas tij, në terren janë 62 grupe pune me ekspertë, inxhinierë dhe personalitete të tjerë, që janë në gatishmëri. Sipas tij, pritet që të nisë vlerësimi i dëmeve dhe më pas do të bëhet dhe shpërblimi për qytetarët e prekur.  

“Janë më të vështira fazat që pasojnë për strukturat tona. Fakti konsiston në detyrimin për të qenë më pranë qytetarëve. Ata kthejnë kokën nga ekonomia dhe këtu është momenti më kritik. Ne jemi të detyruar të jemi prezent, pasi do duhet t’iu vijmë në ndihmë qytetarëve për të evidentuar të gjitha dëmet që janë shkaktuar. Janë faza që kërkojnë dhe investim financiar”.

“Shteti ka qenë i gjithi në këmbë, dje janë marrë kontakte me familjarët. Janë kontaktuar nga 62 grupe, me ekspertë, me inxhinierë dhe personalitete të tjerë, që kanë ofruar ngrohtësinë e shtetit dhe gatishmërinë për t’i kompensuar. Pas saj, do fillojë faza e tretë, që është më e rëndësishmja, e që ka të bëjë me grupet e vlerësimit, që do bëjnë vlerësimin e përcaktimit ligjor të dëmit me ekspertë, ku më pas do vijë dhe shpërblimi. Tirana dhe Durrësi kanë qenë zonat më të prekura”, ka thënë Çako.



Skip to toolbar