Qeveria, “tërmet” tërmetit fake

AKTUALITET


Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka bërë deklarata të forta duke thënë se do të dënohen të gjithë personat që shpërndajnë Fake News dhe shkaktojnë panik tek qytetarët. Braçe, gjatë një deklarate për mediat, dënoi lajmin e rremë për tërmetin të publikuar në portalin Syri.net, ndërsa shtoi se ligji në këto raste do të funksionojë me të njëjtën forcë që lajmi shkaktoi panikun tek qytetarët e Tiranës.

Numri dy i qeverisë theksoi se gjithçka është bërë qëllimisht nga ky portal, ndërsa shtoi se siguria publike u sfidua në kufijtë e kaosit nga një rrjet i prodhimit dhe shpërndarjes së lajmeve të rreme me qëllim.


Dje shoqëria shqiptare, siguria publike dhe kombëtare, ligji penal, u sfidua, u kërcënua, në kufijtë e kaosit, me dhunë dhe plaçkitje të mundshme nga lajmi i rremë i fabrikuar qëllimisht nga Syri.net, media online, shembull i gazetarisë së njëanshme, kriminale, politike dhe të kapur. Por kërcënimi serioz i rendit kushtetues, sigurisë publike dhe kombëtare kërkon të njëjtën vendosmëri për t’u përballur ligjërisht me lajmet e rreme, prodhuar në media dhe shpërndarë nga një rrjet kriminal dhe që dje shkaktoi panikun më të madh që mund të kishte pasoja shumë të rënda për jetën e qytetarëve dhe pronën. Çdo germë në atë lajm ishte e qëllimshme dhe ishte e rreme. Autorët e këtij lajmi të rremë dhe zotëruesit e këtij rrjeti kriminal të përhapjes së këtyre lajmeve të përballen me ligjin me fuqinë 5.8 ballë me intensitet 8 ballë. Të bëjnë ç’të duan të sajojnë alibitë e asaj që ndodhi, çdo gjë është e faktuar. Forca e ligjit do i japë fund këtij fenomeni njëherë e mirë. Loja me lajmet e rreme që kërcënon jetën e qytetarëve do të marrë fund tani ligjërisht edhe për një arsye tjetër, për t’i dhënë lirinë qytetarëve të marrin informacion e duhur.” tha Braçe

Braçe gjithashtu bëri të ditur se shteti në nivel qendror dhe vendor po shërben me të gjithë fuqinë e tij në terren pranë qytetarëve për t’u ardhur në ndihmë për problemet që kanë pas tërmetit.

Pas publikimit të lajmit të rremë që terrorizoi qytetarët mbrëmjen e djeshme nga portali Syri.net dhe Shekulli se në orën 23:30 do të binte një tërmet 6 ballë, policia shoqëroi për të marrë në pyetje kryeredaktorin e portalit Syri. net Artan Cena, por edhe gazetarët Aurel Rakipllari, Ermal Rizain dhe Gelsi Bakollarin. Gjithashtu u shoqërua edhe gazetarja e Shekullit, Daniela Grica.




Skip to toolbar