Ndërtesa të shembura, kaos, njerëz të lënduar, ekipe shpëtimi në aksion. Kjo është pamja që ofron situata pas tërmetit që goditi mbrëmjen e së premtes Turqinë lindore duke shkaktuar të paktën 20 viktima dhe qindra të tjerë të plagosur, një pamje pothuajse identike me tërmetin e 26 nëntorit që goditi Shqipërinë dhe që shënoi 51 viktima.
Pjesa lindore e Turqisë u godit nga një tërmet me magnitudë 6.8 të shkallës riter.
Ndonëse temperaturat në këtë zonën shkonin deri në -7 gradë celsius, forcat e kërkimit vijuan gërmimet gjatë gjithë natës , ndërsa ky mëngjes i gjeti sërish duke kërkuar nën gërmadha.
Sipas autoriteteve të emergjencave Civile në Turqi, tërmeti u pasua nga më shumë se 200 goditje sizmike. Mbi 400 ekipe shpëtimi nga i gjithë shteti dhe rajoni po marrin pjesë në kërkime. Janë urdhëruar njerëzit të mos kthehen në shtëpitë e dëmtuara, ndërsa janë hapur stadiume dhe pallate sporti ku janë vendosur shtretër për strehimin e të personave të mbetur të pastrehë.