Terminali i pasagjerëve në Portin e Vlorës ka përfunduar rikonstruksionin duke dyfishuar kapacitetet përpunuese duke ndikuar në shkurtimin e kohës së pritjes. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e ka quajtur investimin si shumë të rëndësishëm për shkak të numrit gjithmonë e më të madh të udhëtarëve dhe jahteve që kalojnë përmes këtij porti.
Balluku kërkoi shtimin e kompanive që operojnë në linjën Vlorë-Brindisi, për të përmirësuar shërbimin që marrin qytetarët. “Ne duhet të kërkojmë edhe kompani të tjera që ofrojnë shërbimin e lundrimit për pasagjerët, sepse mungesa e konkurrencës ka sjellë që cilësia e shërbimit nuk është ajo e duhur. Ne duhet të krijojmë një konkurrencë të pastër dhe kompani të tjera duhet të aksesojnë qytetin e Vlorës që të rrisim cilësinë që i ofrojmë qytetarëve. “ –tha Balluku