Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka munguar në seancën e sotme të gjykimit në Hagë. Ai ka pasur probleme shëndetësore, dhe e ka pasur të pamundur pjesëmarrjen. Lajmin u bë i ditur avokati i tij, Luka Misetiç.
“As unë nuk kam informacion, sekretarja më njoftoi se klienti nuk ndihej mirë dhe nuk mund të merrte pjesë në seancën e sotme. Nuk jam konsultuar fare me klientin lidhur me këtë. Mendova se ishte zgjidhur prej jush”, deklaroi avokati.
Po ashtu, në lidhje me këtë çështje u deklarua edhe gjyqtari i rastit, ku tha se Thaçi pati nevojë të konsultohet me një mjek.
“I vetmi komunikim ishte se nuk ka qenë mirë nga shëndeti dhe duhet të fliste me një mjek. Komunikoni me të nëse jep leje që të vazhdojmë pa praninë e tij”, tha gjyqtari Smith.
Seanca është duke vazhduar, ndërsa avokati tregoi se Thaçi ka dhënë leje për ta vazhduar seancën.