‘The Guardian’: Rusia po rekruton serbë dhe po i dërgon në Ukrainë

BOTA


E përditshmja britanike, The Guardian, ka zbuluar se Rusia ka planifikuar të rekrutojë qindra shtetas serbë për të forcuar ushtrinë, bazuar në deklaratat e dy qytetarëve serbë që shkuan në Rusi dhe një liste të serbëve të rekrutuar që u gjet nga gazeta britanike.

The Guardian foli me një person, identiteti i të cilit është fshehur për sigurinë e tij. Ai u prezantua si Branko. Në fillim të shtatorit, Branko hipi në një fluturim direkt nga Beogradi për në Moskë.

Pas disa ditësh, ai dhe tre shtetas të tjerë serbë u dërguan në një qendër rekrutimi ushtarak në Krasnogorsk, një qytet në periferi të Moskës, ku grupi nënshkroi kontratë me ushtrinë ruse. “Gjithçka shkoi shumë shpejt, në një ditë u bëra ushtar për Rusinë… Tani pres të më dërgojnë në Ukrainë”, ka thënë Branko.

Branko, sipas The Guardian, është pjesë e përpjekjeve të fundit të Moskës për të rekrutuar serbët për të luftuar për ushtrinë ruse në Ukrainë, ndërsa Kremlini kërkon të rikuperojë forcat e humbura.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia ka futur një sërë ligjesh për të joshur shtetasit e huaj që t’i bashkohen radhëve të ushtrisë së saj.

Serbia, një kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012, po përpiqet të balancojë lidhjet historikisht të ngushta me Rusinë dhe aspiratat për integrimin në BE.

Megjithëse numri i serbëve të rekrutuar deri më tani nuk duket të jetë mjaftueshëm i rëndësishëm për të bërë ndryshim në fushën e betejës, veprimet e Moskës rrezikojnë të tensionojnë marrëdhëniet e saj me Serbinë.

Në krye të skemës serbe të rekrutimit, një plan që dukej se ishte hartuar gjatë verës, ishte Davor Saviçiç, i cili kaloi vite duke luftuar si pjesë e inkursionit të parë të Rusisë në Ukrainë më 2014, sipas The Guardian.

Saviçiç është gjithashtu i lidhur me grupin paramilitar Wagner. Në një intervistë të 21 gushtit me prezantuesin e televizionit pro-Kremlin, Vladimir Soloviov, Saviçiç foli hapur se si u vu në krye të një njësie të shtetasve serbë në Ukrainë.

“Tani po nënshkruajmë zyrtarisht një kontratë me Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Ushtarët po kalojnë regjistrimin ushtarak në Krasnogorsk”, pati thënë ai.

Numri i saktë i serbëve që kanë nënshkruar kontratë me ushtrinë ruse mbetet i panjohur.

Dy nga 13 burrat që janë në listën e gjetur nga e përditshmja britanike, përfshirë Brankon, iu përgjigjën kërkesave të The Guardian për koment.

“Për momentin kemi rreth 60-70 persona”, ka thënë një nga serbët që është pjesë e listës, i cili po ashtu udhëtoi nga Serbia në Moskë në shtator dhe shtoi se kishte nënshkruar kontratë me “Divizionin e 106-të Ajror”.

Ai shtoi se vendosi të bashkohej me ushtrinë ruse për arsye ideologjike dhe se pagesat fitimprurëse ushtarake luajtën rol dytësor.



Skip to toolbar