Thyen byzylykun elektronik dhe arratiset trafikanti shqiptar i kokainës në Itali

AKTUALITET


Shqiptari Dorian Petoku, ish-ortaku i Diabolik, i akuzuar se ka trafikuar tonelata të kokainës, është arratisur.

Shqiptari është arratisur të premten nga komuniteti i Sessa Aurunca, në provincën e Caserta, Itali, në të cilën ishte caktuar në tetor të vitit të kaluar. Ai ishte liruar nga burgu në bazë të ekspertizës që vërtetonte varësinë e tij ndaj drogës.

Por arratisja ndodhi një ditë pasi doli lajmi për pendimin e Fabrizio Capogna-s, një eksponent kryesor i trafikut të drogës, i cili vendosi të bashkëpunojë në hetimet e Prokurorisë së Romës për trafikun e kokainës të shqiptarëve dhe të grupit të Leandro Bennato, një grup pjesërisht i përfshirë në vrasjen e Diabolik.

Petoku ka thyer byzylykun elektronik duke shkaktuar alarmin e lidhur me policinë. Pavarësisht mbërritjes thuajse të menjëhershme të policëve,shqiptari kishte humbur çdo gjurmë. Ai mund të jetë arratisur me një makinë ose motoçikletë të drejtuar nga një bashkëpunëtor. Kamerat e vëzhgimit të objektit, për momentin, nuk kanë imazhe të dobishme. Megjithatë dyshohet për një plan të mirë-studuar, i cili, ndoshta, u shkaktua nga presioni i sekreteve të të penduarit.

Tashmë shqiptari është sërish në kërkim jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj, veçanërisht në vendin e origjinës, duke përdorur dokumente false.

Ngjitja kriminale e Petokut, me origjinë nga Lezha, nis nga fshati Acilia nën hijen e kushëririt të tij Arben Zogut, i njohur si “Riccardino” ose “Ricky”. “Dori” pas arrestimit të Zogut për trafik droge kishte trashëguar biznesin e tij. Ai mburrej në rrugë dhe në rrjetet sociale, duke treguar orët e çmuara, makinat luksoze dhe veshjet e shtrenjta.



Skip to toolbar