Tirana u jep fund pushimeve të shtunën, duke u nisur për të kryer fazën përgatitore në qytetin turistik turk, Antalia. Klubi bardheblu njoftoi të premten se grupi i lojtarëve së bashku me stafin teknik, do të nisen të dielën për në Antalia, ndërsa të shtunën do të kryejnë një seancë stërvitore në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”.
Në Turqi, Tirana do të qëndrojë dy javë nën drejtimin e trajnerit Emanuel Egbo. Gjatë përgatitjeve dimërore për rifillimin e kampionatit, Tirana ka planifikuar edhe zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore. Kështu, takimi i parë do të jetë në datën 8 janar kundër ekipit turk të Alaniaspor.
Takimi i dytë do të zhvillohet ndaj hungarezve të Mezokovezdi ndërsa në datën 15 janar do të luaj kundër Korona Kielce nga Polonia. Këto ndeshje do ti shërbejnë trajnerit Egbo për të kolauduar ekipin për rinisjen e kampionatit. Ndërkohë, në Turqi pritet të udhëtojnë dhe ekipe të tjera të Superligës, teksa Partizani dhe Kukësi e kanë konfirmuar deri më tani.