Tirana ka 100 vjetorin, Mema: Të bëjmë më të mirën për festuar me titullin kampion

SPORT


Tre ditë pasi mundi Luftëtarin 3-0 në ndeshjen hapëse të kampionatit, Tirana rikthehet përsëri në “Selman Stërmasi”, për të luajtur ndeshjen e radhës në Superligë. Të martën në orën 19:00 ekipi bardheblu do të përballet me Teutën, që gjithashtu e nisi me fitoren kampionatin këtë sezon. Trajneri Ardian Mema ka dalë në konferencë për shtyp një ditë para ndeshjes, ku është shprehur se ndeshja ndaj ekipit durrsak, do të jetë nga më të vështirat e sezonit.

“Nesër është një nga ndeshjet më të vështira, por unë besoj te ekipi. Kemi lojtar me kualitete, do të jetë ndeshje e fortë. Duhet ta menaxhojmë mirë, pasi nesër kemi testin real. E njëjta situatë është edhe për kundërshtarët. Ne do t’i përgjigjemi kalendarit, por është edhe periudhe e nxehtë”, ka thënë Mema.


Më tej ai ka folur për pritshmëritë që ka nga skuadra, duke u shprehur se Tirana do të fitojë një trofe këtë sezon, pse jo dhe titullin, duke pasur parasysh faktin që feston 100 vjetorin e krijimit si klub. “Tirana është mësuar me titullin edhe pse ka 10 vite pa titull. Tirana ka 100 vjetorin dhe për këtë duhet të bëjmë më të mirën, por nuk fitohet vetëm duke thënë se është 100-vjetori. Ndeshjet duhet të merren hap pas hapi”, ka thënë Mema.

Në fund ai ka folur dhe për formacionin dhe përzgjedhjen që ka bërë midis dy sulmuesve, Michael Nggo dhe Ismael Dunga. Sipas Memës, nuk do të ketë kurrë një formacion fiks, por do të shihet në varësi të ndeshjeve. “Formacioni nuk do të jetë gjithmonë i njëjti. Ndoshta Ngo dhe Dunga do t’i shohim gjatë sezonit, por Hasani është numri 10 dhe nga sezoni i kaluar, e vështirë ta ndërroj. Unë shpresoj që nesër të ketë edhe më shumë tifozë”, u shpreh trajneri bardheblu.




Skip to toolbar