Një burrë ka therur me thikë tre persona në qytetin e vogël të Wolmirstedtit në Gjermani, para se policia ta vriste, kanë njoftuar autoritetet gjermane të shtunën. Tre personat e therur janë në gjendje të rëndë.
Prokuroria shtetërore nga qyteti i Magdeburgut ka thënë se sulmuesi fillimisht ka therur një të ri në një lokacion tjetër, e më pas ka sulmuar persona të tjerë teksa kalonte pranë një shtëpie ku kishte festë me rastin e fillimit të Evropianit.
“Grupi ishte duke parë ndeshjen në një shtëpi private ku i gjeti sulmuesi. Policia reagoi shpejt dhe vrau sulmuesin”, thuhet në deklaratë, siç raportohet nga agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Hetimet për motivet e mundshme të sulmit janë duke vazhduar. Disa ditë më herët, një person me prejardhje afgane theri me thikë një polic në Mannheim. Polici më vonë vdiq në spital.