Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu thotë se sistemi gjyqësor ka rritur besimin e publikut shqiptar.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Gogu u shpreh se paraburgimi mbetet një problem dhe Gjykata e Lartë, me vendimin e saj ka vendosur një standard.
Gogu shtoi se do të ndërhyhet në Kodin Penal dhe se standardi europian do të përfshihet në çdo fazë.
“Shkaku kryesor i reformës në drejtësi, ishte besimi ose mosbesimi i publikut tek sistemi gjyqësor. Vonesat ishin pasojë e kësaj problematike. Ajo që ndodhi në 10 vitet kur ne ndërtuam institucione të reja, sistemi u fut në sprovë integriteti, gjysma e magjistratëve nuk e kaloi atë sprovë, pati vakanca. Sot, ne jemi me sistem gjyqësor që qoftë për shkak të goditjes së pandëshkueshmërisë, mendoj se ka rritur besimin e publikut. Paraburgimi është problem që e ka vendosur Shqipërinë në një listë të vogël vendesh, por ka të bëjë me kulturën gjyqësore. Besoj se ky është një qasje që Gjykata e Lartë ka bërë punën e vet. Ka vendosur një standard.
Me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE, ku standardi europian duhet të përfshihet në çdo fazë, ka vend dhe po merremi me ligjet procedurale dhe materiale, ne i quajmë kode. Po, jemi duke u marrë me këtë gjë, për të forcuar garancitë procedurale të një individi në proces gjyqësor, por dhe për të respektuar të drejtat e njeriut. Përafrimi me legjislacionin e BE, është ndërhyrje thelbësore, ka të bëjë si me kodin e procedurës penale që ka nisur puna, dhe me Kodin Penal, ku puna ka avancuar goxha “, theksoi ai.
