Arbër Çekaj, biznesmeni që u shpall në kërkim për trafikim të kokainës në kontenierët me banane në portin e Durrësit, do të ekstradohet në Shqipëri. Vendimi është marrë nga autoritetet gjermane, të cilët bën arrestimin e tij pak muaj më parë. Një gjykatë gjermane ka lejuar ekstradimin e tij, edhe pse vetë Çekaj kishte bërë disa kërkesa që kjo të mos ndodhte dhe kishte bërë edhe kërkesë për azil me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohej jeta njofton News 24.
Çekaj, biznesmeni i kompanisë “Arbri Garden”, akuzohet për trafikimin e një sasie rekord të 613 kilogramëve kokainë kolumbiane drejt portit të Durrësit. Ai është marrë i pandehur nga Prokuroria për Krime të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve kryer në bashkëpunim me menaxherin e kompanisë Donald Lushaj dhe shoferin e kamionit që transportoi kontenierët me banane nga porti i Durrësit drejt magazinave të “Arbri Garden” në Maminas.
Sasia e drogës që vinte nga Kolumbia, më e madhja e kapur ndonjëherë në vendin tonë u bllokua në mars të 2018, në kontenierët me banane që ishin porositur nga biznesmeni. Vlera e drogës përllogaritej 180 milionë euro.
Edhe pse i arrestuar para pak kohësh në Gjermani, Çekaj është akuzuar edhe nga drejtësia italiane si koka e grupit kriminal të trafikimit të drogës nga Shqipëria drejt Novaras. Rrjeti kriminal u shkatërrua pas një hetimi 2 vjeçar, ndërsa policia italiane thotë se Çekaj ishte kryetari i këtij grupi kriminal për trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali.