Kokaina me banane, Çekaj: Policia shpëtoi trafikantët

Gjatë seancës gjyqësore në Krimet e Rënda për Arbër Çekaj dhe kokainën e gjendur në kontejnerët me banane që vinin për llogari të firmës së tij, është zbardhur dëshmia që ai dha para gjykatëseve. Prokuroria kërkoi për Çekajn 21 vite burg, por gjatë dëshmisë së tij ai kërkon pafajësi dhe se nuk ka lidhje me drogën.

Dua të theksoj se edhe në këtë rast si gjithmonë unë kam porositur banane e më kanë ardhur banane. Kontejnerët nuk janë pronë e imja, në kushte normale e në vende normale nuk ka pse të më interesojë fare se çfarë gjendet apo çfarë bëhet me pronën e huaj, kontejnerët. Pra porosita banane, erdhën banane, nuk kishte asnjë gramë drogë në banane se kilogram jo e jo, e unë prap jam në burg.” tha Çekaj gjatë dëshmisë së tij, i cili sqaroi se vajtja në Gjermani përmes Kosovës, ishte një rrugë që e bënte shpesh për shkak të biletave të ulëta të avionit. Ai tha se shkoi në Gjermani për arsye familjare dhe më pas u arrestua atje. “Arsyeja e udhëtimit për Gjermani mund të faktohet edhe nga tabulatet telefonike. Dua të sqaroj se 90% të rasteve udhëtimet me avion i bëja nga aeroporti i Kosovës, për arsye sepse atje çmimi i biletave është dyfish më i lirë se nga Tirana. Biletën e kam pasur vetëm vajtje pasi dhe kthehesha me një fugon që do e blija atje, si shumë herë të tjera. Nuk u arratisa asnjëherë, as nuk iu shmanga hetimit por vetëm po prisja momentin më të sigurt për jetën time për të ardhur e përballur me drejtësinë. Më datë 04 Maj 2018 u arrestova nga policia Gjermane me qëllim ekstradimin në Shqipëri.”

Çekaj tha se prokuroria ka bërë komplot kundër tij dhe se ka dekonspiruar operacionin duke lajmëruar trafikantët e vërtet të drogës. Ai u shpreh para gjykatës se prokurorisë i duhej të bënte show mediatik dhe arrestoi atë për të fshehur trafikantët e vërtetë. Sipas Çekaj, policia e prokuroria e dinte shumë mirë ku ishte droga dhe sasinë e saj pasi ishte  njoftuar nga autoritetet italiane.

Po ju parashtroj disa fakte të patjetërsueshme, që në këto momente dihen nga të gjithë, pse unë nuk kam besim tek kjo prokurori e që faktojnë një komplot të bërë ndaj meje nga policia e prokuroria për të bërë show mediatik që gjoja po punon fort por faktikisht me këtë komplot ka fshehur trafikantët e vërtet: Pasi autoritetet Italiane gjetën drogën, instaluan kamera në kontejner vendosën të bënin dorëzim të kontrolluar e për këtë vunë në dijeni policinë e prokurorinë Shqiptare. Policia e Prokuroria e Krimeve të Rënda dekonspiruan operacionin e vunë në dijeni trafikantët e vërtetë. Në dorëzimin e kontrolluar normal, pa dekonspirime, çdo gjë do të ishte mbajtur e fshehtë dhe nuk do të ishte kontrolluar ngarkesa një herë në portin e Durrësit e as nuk do të ishin thirrur punonjësit e kompanisë time për të shkarkuar frutat në port, por kjo u duhej për të krijuar alibinë sepse trafikantët e lajmëruar, nuk do ta merrnin më kurrë drogën e fshehur në kontejnerin e CMA-CGM-së. Sapo kamioni me kontejnerin e CMA-CGM-së ngarkuar, që kishte frutat e mia brenda, hyri në pronën time, akoma pa u shkarkuar, e gjitha policia e shtetit e prokuroria kanë ndërhyrë duke ndërprerë dorëzimin gjoja të kontrolluar që nuk bëhej te ne dhe kanë ndaluar të gjithë punonjësit. Ky ishte një tjetër veprim nga policia e prokuroria, për të gjetur justifikime për ndërprerjen e aksionit, duke thënë që nuk e dinim sasinë e drogë se mund të zhdukej droga. Kjo bie poshtë, sepse policia e prokuroria ishin në dijeni të sasisë së drogës, vendit ku fshihej droga edhe nga autoritetet Italiane por edhe nga skaneri i portit të Durrësit. Pasi punonjësit e mi shkarkuan arkat me banane, në prani të policisë e prokurorisë, këta të fundit nuk duhet ta kishin kontejnerin në pronën time, por duhet ta linin të largohej sepse as kamioni as kontejneri as droga nuk janë të mitë.  Por prokuroria vendosi hapjen me dhunë të kontejnerit të CMA-CGM-së në pronën time me ndihmën e zjarrfikësve. Kjo gjë u bë që më pas të thoshin që drogën e kam porositur unë e të ma linin mua në derë e për të gënjyer edhe Italianët që gjoja i kapëm “trafikantët”. E theksoj përsëri që kontejnerin e CMA-CGM-së, e kanë hapur zjarrfikësit me mjete të sofistikuara pas 5 orësh e jo punonjësit e “Arbri Garden” tha Çekaj në deklaratën e tij.

613 kg kokainë në banane, Prokuroria kërkon 21 vite burg për Arbër Çekajn

Prokuroria e Krimeve të Rënda dha pretencën duke kërkuar 21 vite burg për Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë “Arbi Garden” në kontejnerët e së cilës bashkë me bananet u zbuluan dhe 613 kilogramë kokainë.

Gjatë seancës së sotme prokuroria kërkoi 21 vite burg për Çekajn 21 vite burg, që me pranimin e gjykimit të shkurtuar do të vuajë vetëm 14. Prokuroria ka kërkuar edhe për shoferin Armando Pezakun 13 vite burg, që me gjykim të shkurtuar shkon 8.8 vite, ndërsa për menaxherin e kompanisë Donaldo Lushaj u kërkuan 14 vite, me gjykim të shkurtuar ulet në 10.8 vite.

Prokurori i dosjes Edvin Kondili gjatë leximit të pretencës akuzoi se Çekaj është organizatori i grupit kriminal të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Shqipëri, ndërsa dyshohet edhe për një tjetër sasi droge prej 90 kg kokainë që u kap në Kolumbi. 

“Arbër Çekaj është i dyshuar edhe për 90 kokainë të kapur në Kolumbi në 2015.  Çekaj iku me 25 shkurt 2018 nga pika kufitare Vernicës dhe u fsheh në Kosovë  dhe më pas iku në Gjermani. Çekaj bisedoi me menaxherin e kompanisë Donaldo Lushaj se çfarë gjeti antidroga në kontejnerët në Durrës” tha prokurori, referuar sasinë prej 613 kg kokainë që u sekuestrua në Maminas.

Sasia e drogës u zbulua në kontejnerët me banane që vinte nga Kolumbia për llogari të “Arbër Garden”. Pas ngjarjes pronari i kompanisë Çekaj u arratis në Gjermani ku kërkoi edhe azil, por u ekstradua drejt Shqipërisë pak muaj më parë për të përballuar me drejtësinë shqiptare.

613 kg kokainë, gjykim i shkurtuar për Arbër Çekaj

Kërkesa e Arbër Çekaj për gjykim të shkurtuar është pranuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. I akuzuari për trafikun e 613 kg kokainë, e cila u kap në Durrës në shkurt të vitit 2018, e fshehur në disa kontenier me banane, do të përfitojë ulje të 1/3 së dënimit, në rast se gjykata e shpall fajtor. Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbi Garden”, dyshohet se ishte personi që do të priste kokainën në Shqipëri. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar edhe për dy persona të tjerë të akuzuar për këtë çështje.

Shoferi i kamionit, të kompanisë “Arbi Garden”, shtetasi Armando Pezaku dhe menaxheri i kompanisë “Donald Lushaj”, do të gjykohen si ish-shefi i tyre, Arbën Çekaj, pasi të tre akuzohen për të njëjtën vepër penale. Armando Pezaku kërkoi lirinë, pasi është shprehur se nuk kishte dijeni për ngarkesën që po transportonte.

“Jam vetëm një shofer. Nuk kam pasur dijeni. Me 340 mijë lekë mbaj familjen sepse jam në gjendje të vështirë ekonomike”, është shprehur Pezaku. Nëse gjykata do t`i dënojë tre të akuzuarit për kokainën e kapur në Durrës, ata do të përfitojnë ulje me 1/3 e dënimit. Ndërkohë, Arbër Çekaj, vetëm pak ditë më parë u ekstradua nga Gjermania në Shqipëri. Prokuroria e Krimeve të Rënda do të lexojë konkluzionet e hetmit për Arbër Çekajn në datën 15 tetor.

Akuzat për trafikimin e 613 kg kokaine lënë në burg Arbër Çekaj

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për Arbër Çekaj, i akuzuar për trafikun e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit.

Gjatë seancës gjyqësore, Çekaj nuk i ka pranuar akzuat duke deklaruar se nuk ka lidhje me sasinë e drogës së gjetur në kontenierët e firmës së tij në Portin e Durrësit.

‘Nuk kam lidhje me drogën në kontenierë’ është shprehur Çekaj në seancën e gjyqit, ndërsa avokati mbrojtës i tij tha se policia duhet të kishte kontrolluar kontenierin pasi të dilte nga magazina. “Arbër Çekaj kishte porositur banane që janë certifikuar nga firma si të pastra. Kërkojmë revokimin e masës pasi nuk është e drejtë” u shpreh avokati.

Arbër Çekaj akuzohet për 613 kg kokainë të sekuestruar në portin e Durrësit vitin e kaluar, ndërsa u ekstradua dy ditë më parë nga Gjermania.

Kokaina ishte e fshehur në kontenierët me banane, ngarkesë që shoqërohej nga shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri i “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj, të cilat janë gjithashtu të arrestuar.

Kokaina në kontenierët me banane, Arbër Çekaj do gjykohet në Shqipëri

Arbër Çekaj, biznesmeni që u shpall në kërkim për trafikim të kokainës në kontenierët me banane në portin e Durrësit, do të ekstradohet në Shqipëri. Vendimi është marrë nga autoritetet gjermane, të cilët bën arrestimin e tij pak muaj më parë. Një gjykatë gjermane ka lejuar ekstradimin e tij, edhe pse vetë Çekaj kishte bërë disa kërkesa që kjo të mos ndodhte dhe kishte bërë edhe kërkesë për azil me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohej jeta njofton News 24.

Çekaj, biznesmeni i kompanisë “Arbri Garden”, akuzohet për trafikimin e një sasie rekord të 613 kilogramëve kokainë kolumbiane drejt portit të Durrësit. Ai është marrë i pandehur nga Prokuroria për Krime të Rënda për akuzën e trafikut të narkotikëve kryer në bashkëpunim me menaxherin e kompanisë Donald Lushaj dhe shoferin e kamionit që transportoi kontenierët me banane nga porti i Durrësit drejt magazinave të “Arbri Garden” në Maminas.

Sasia e drogës që vinte nga Kolumbia, më e madhja e kapur ndonjëherë në vendin tonë u bllokua në mars të 2018, në kontenierët me banane që ishin porositur nga biznesmeni. Vlera e drogës përllogaritej 180 milionë euro.

Edhe pse i arrestuar para pak kohësh në Gjermani, Çekaj është akuzuar edhe nga drejtësia italiane si koka e grupit kriminal të trafikimit të drogës nga Shqipëria drejt Novaras. Rrjeti kriminal u shkatërrua pas një hetimi 2 vjeçar, ndërsa policia italiane thotë se Çekaj ishte kryetari i këtij grupi kriminal për trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali.

Shkatërrohet rrjeti i trafikut të kokainës në Itali, Arbër Cekaj koka e grupit kriminal

Arbër Cekaj është një emër i njohur për policinë shqiptarë i cili akuzohet për trafikun e mbi 600 kg kokainë në Shqipëri përmes bananeve. Edhe pse i arrestuar para pak kohësh në Gjermani, emri i tij sërish ka dalë në media, por këtë herë nga drejtësia italiane.

Arbër Cekaj dyshohet se është dhe drejtuesi i një grupi kriminal i shkatërruar gjatë të martës në Itali që trafikonte kokainë nga Shqipëria drejt Novaras . Gjatë aksionit u arrestuan 19 persona,7 prej tyre janë shqiptarë.

Rrjeti kriminal u shkatërrua pas një hetimi 2 vjeçar, ndërsa policia italiane thotë se Cekaj ishte kryetari i këtij grupi kriminal për trafikimin e drogës nga Shqipëria në Itali. Hetimet kanë nisur dy vite më parë, më 2017 pas arrestimit të shtetasit shqiptar  Elton Shano, 38 vjeç me 3 kg kokainë e 1 pistoletë. Pak muaj pas arrestimit ai ka vendosur të bashkëpunoj me forcat e policisë e rrëfimi i tij ka ndihmuar në zbardhjen e një trafiku kokaine që jo vetëm tranzitonte në qytetin e Novarës, por dhe kishte një qendër magazinimi në këtë qytet.

Kokaina e cilësisë së pastër 95% trafikohej nga Kolumbia në Shqipëri e më pas transportohej në Novara. Kokaina furnizonte tregjet e shitjes së saj jo vetëm në Novara, por dhe në Alessandria, Bustio Arsizio, Massa Carrara e Pavia.

Skip to toolbar