Kokaina me banane, Çekaj: Policia shpëtoi trafikantët

AKTUALITET


Gjatë seancës gjyqësore në Krimet e Rënda për Arbër Çekaj dhe kokainën e gjendur në kontejnerët me banane që vinin për llogari të firmës së tij, është zbardhur dëshmia që ai dha para gjykatëseve. Prokuroria kërkoi për Çekajn 21 vite burg, por gjatë dëshmisë së tij ai kërkon pafajësi dhe se nuk ka lidhje me drogën.

Dua të theksoj se edhe në këtë rast si gjithmonë unë kam porositur banane e më kanë ardhur banane. Kontejnerët nuk janë pronë e imja, në kushte normale e në vende normale nuk ka pse të më interesojë fare se çfarë gjendet apo çfarë bëhet me pronën e huaj, kontejnerët. Pra porosita banane, erdhën banane, nuk kishte asnjë gramë drogë në banane se kilogram jo e jo, e unë prap jam në burg.” tha Çekaj gjatë dëshmisë së tij, i cili sqaroi se vajtja në Gjermani përmes Kosovës, ishte një rrugë që e bënte shpesh për shkak të biletave të ulëta të avionit. Ai tha se shkoi në Gjermani për arsye familjare dhe më pas u arrestua atje. “Arsyeja e udhëtimit për Gjermani mund të faktohet edhe nga tabulatet telefonike. Dua të sqaroj se 90% të rasteve udhëtimet me avion i bëja nga aeroporti i Kosovës, për arsye sepse atje çmimi i biletave është dyfish më i lirë se nga Tirana. Biletën e kam pasur vetëm vajtje pasi dhe kthehesha me një fugon që do e blija atje, si shumë herë të tjera. Nuk u arratisa asnjëherë, as nuk iu shmanga hetimit por vetëm po prisja momentin më të sigurt për jetën time për të ardhur e përballur me drejtësinë. Më datë 04 Maj 2018 u arrestova nga policia Gjermane me qëllim ekstradimin në Shqipëri.”


Çekaj tha se prokuroria ka bërë komplot kundër tij dhe se ka dekonspiruar operacionin duke lajmëruar trafikantët e vërtet të drogës. Ai u shpreh para gjykatës se prokurorisë i duhej të bënte show mediatik dhe arrestoi atë për të fshehur trafikantët e vërtetë. Sipas Çekaj, policia e prokuroria e dinte shumë mirë ku ishte droga dhe sasinë e saj pasi ishte  njoftuar nga autoritetet italiane.

Po ju parashtroj disa fakte të patjetërsueshme, që në këto momente dihen nga të gjithë, pse unë nuk kam besim tek kjo prokurori e që faktojnë një komplot të bërë ndaj meje nga policia e prokuroria për të bërë show mediatik që gjoja po punon fort por faktikisht me këtë komplot ka fshehur trafikantët e vërtet: Pasi autoritetet Italiane gjetën drogën, instaluan kamera në kontejner vendosën të bënin dorëzim të kontrolluar e për këtë vunë në dijeni policinë e prokurorinë Shqiptare. Policia e Prokuroria e Krimeve të Rënda dekonspiruan operacionin e vunë në dijeni trafikantët e vërtetë. Në dorëzimin e kontrolluar normal, pa dekonspirime, çdo gjë do të ishte mbajtur e fshehtë dhe nuk do të ishte kontrolluar ngarkesa një herë në portin e Durrësit e as nuk do të ishin thirrur punonjësit e kompanisë time për të shkarkuar frutat në port, por kjo u duhej për të krijuar alibinë sepse trafikantët e lajmëruar, nuk do ta merrnin më kurrë drogën e fshehur në kontejnerin e CMA-CGM-së. Sapo kamioni me kontejnerin e CMA-CGM-së ngarkuar, që kishte frutat e mia brenda, hyri në pronën time, akoma pa u shkarkuar, e gjitha policia e shtetit e prokuroria kanë ndërhyrë duke ndërprerë dorëzimin gjoja të kontrolluar që nuk bëhej te ne dhe kanë ndaluar të gjithë punonjësit. Ky ishte një tjetër veprim nga policia e prokuroria, për të gjetur justifikime për ndërprerjen e aksionit, duke thënë që nuk e dinim sasinë e drogë se mund të zhdukej droga. Kjo bie poshtë, sepse policia e prokuroria ishin në dijeni të sasisë së drogës, vendit ku fshihej droga edhe nga autoritetet Italiane por edhe nga skaneri i portit të Durrësit. Pasi punonjësit e mi shkarkuan arkat me banane, në prani të policisë e prokurorisë, këta të fundit nuk duhet ta kishin kontejnerin në pronën time, por duhet ta linin të largohej sepse as kamioni as kontejneri as droga nuk janë të mitë.  Por prokuroria vendosi hapjen me dhunë të kontejnerit të CMA-CGM-së në pronën time me ndihmën e zjarrfikësve. Kjo gjë u bë që më pas të thoshin që drogën e kam porositur unë e të ma linin mua në derë e për të gënjyer edhe Italianët që gjoja i kapëm “trafikantët”. E theksoj përsëri që kontejnerin e CMA-CGM-së, e kanë hapur zjarrfikësit me mjete të sofistikuara pas 5 orësh e jo punonjësit e “Arbri Garden” tha Çekaj në deklaratën e tij.




Skip to toolbar