Trondit Tottenham, Coutinho dhe Dybala në Londër

SPORT


Vetëm 24 orë nga mbyllja e merkatos së verës në Premier League, Tottenham ka dhënë një goditje të fortë për tregun e transferimeve, pasi lajmëron se është shumë pranë dy kontratave të mëdha. Sipas mediave angleze, “Spurs” kanë arritur marrëveshjen me Barcelonën dhe Juventusin për transferimin e Philippe Coutinho dhe Paulo Dybala.

I pari pritet të kalojë te skuadra londineze në formë huazimi me të drejtë blerjen e kartonit të tij në fund të sezonit. Ndërkohë, për sulmuesin argjentinas, “Gjelat” e Londrës janë gati të paguajnë 70 milionë euro. Kjo shifër është pranuar nga Juventus, ndërsa vendimi përfundimtar i takon futbollistit. Këto dy blerje të mëdha të Tottenham ndezin një reaksion zinxhir në merkaton e verës.


Kështu, Barcelona lirohet nga një pagë e lartë sezonale, ndërsa largimi i Coutinho i hap vendin në skuadër objektivit më të madh në tregun e transferimit për klubin, që mban emrin e Neymar.

I njëjtë diskutimi edhe për Juventusin. Sipas mediave italiane, me 70 milion euro të arkëtuara nga shitja e Dybala, “Zonja e Vjetër” do të nisë sulmin e fundit për blerjen e Romelu Lukaku nga Manchester United.

Ky i fundit përfshihet në këtë “vorbull” të merkatos edhe në forma të tjera. Si fillim, transferimet e Coutinho dhe Dybala te Tottenham detyrojnë londinezët të “sakrifikojnë” Kristian Eriksen.

Mesfushori danez është shumë pranë kalimit te Manchester United, çka do të thotë se Paul Pogba ka një arsye më shumë për t’u larguar. Këtu del në skenë Real Madrid, që gjithashtu do të nisë ofensivën e fundit për të rrëmbyer mesfushorin francez.




Skip to toolbar