Lojtari i Hamburg ndryshoi emrin dhe moshën për të fituar lejeqëndim

SPORT


Në Gjermani së fundmi ka shpërthyer një skandal në lidhje me futbollistin Bakery Jatta, por që në të vërtetë quhet Bakery Dafeh. Mediat gjermane kanë publikuar se lojtari ka mashtruar rreth emrit dhe moshës së tij, teksa historia nis prej vitit 2015 kur futbollisti emigroi në Gjermani. Për të lehtësuar qëndrimin e tij në Gjermani, Dafeh bëri manipulimin për të ulur moshën dhe ndryshoi emrin, në këtë formë përfitoi nga ligji i mbrojtjes së refugjatëve minorenë.

Lojtari ka deklaruar se është i datëlindjes 6 qershor 1998, por në të vërtetë ka lindur më datë 6 nëntor 1995. Në këtë formë, Dafeh është 2 vite e gjysmë më i vjetër. Ndërkohë, në momentin kur firmosi për Hamburgun, lojtari u shpreh se nuk kishte luajtur për ndonjë klub elitar në vendin e tij. Sakaq, dy trajnerë të mëparshëm të Dafeh, këmbëngulin se futbollisti ka luajtur i huazuar në skuadra të Nigerisë dhe Senegalit, ndërsa pretendojnë se ka qenë i përzgjedhur edhe me Kombëtaren U 20 të Gambias në vitin 2014, kur praktikisht ka qenë vetëm 16 vjeç.


Mediat gjermane kërkojnë t’i shkojnë deri në fund investigimit, ndërsa kanë dërguar pyetje edhe te klubi i Hamburgut, por nuk kanë marrë përgjigje. Kjo çështje mund të sjellë pasoja për lojtarin dhe klubin e Hamburgut.




Skip to toolbar