Trump: Ndalimi i votimit në Kolorado mund të shkaktojë ‘kaos’

BOTA


Ish-presidenti Donald Trump i kërkoi Gjykatës së Lartë të SHBA-së të enjten të anulojë vendimin e Kolorados, i cili e ka ndaluar atë që të marrë pjesë në zgjedhjet e atij shteti.

“Gjykata duhet t’i japë fund sa më shpejt këtyre përpjekjeve për skualifikim nga lista zgjedhore, të cilat kërcënojnë të heqin të drejtën e dhjetëra miliona amerikanëve dhe që do të shkaktojnë kaos dhe rrëmujë nëse gjykatat e tjera shtetërore dhe zyrtarët e shteteve ndjekin shembullin e Kolorados dhe përjashtojnë kandidatin e mundshëm presidencial republikan nga lista zgjedhore”, tha Trump.

Vendimi për të hequr Trump nga votimi paraprak presidencial i Kolorados u mor nga Gjykata e Lartë e atij shteti më 19 dhjetor 2023, për të cilin avokatët e ish-presidentit thanë se bazohej në “një interpretim të dyshimtë të seksionit 3 të Amendamentit të 14”.

Amendamenti i 14-të ndalon një person që të mbajë ndonjë post në Shtetet e Bashkuara nëse ata nxisin kryengritje pasi janë betuar se do të respektojnë Kushtetutën e SHBA-s, kurse Gjykata e Lartë e Kolorados tha se Trump nuk ka të drejtë kushtetuese për të kandiduar për shkak të sjelljes së tij gjatë trazirave të 6 janarit 2021 në Kapitol.

“Gjykata duhet të ndryshojë vendimin e Kolorados, sepse presidenti Trump nuk është një ‘oficer i Shteteve të Bashkuara’ sipas Kushtetutës”, argumentuan avokatët e Trump.

“Dhe edhe nëse presidenti Trump do t’i nënshtrohej seksionit 3, ai nuk ‘u përfshi’ në asgjë që kualifikohet si ‘kryengritje'”.

Avokatët e Trump theksuan faktin se më shumë se 30 shtete janë aktualisht të përfshira në përpjekjet për të hequr ish-presidentin si nga lista zgjedhore të votimit paraprak, ashtu edhe nga zgjedhjet e përgjithshme bazuar në vendimin e Kolorados.

Ata shtuan se Trump duhet të jetë në të gjitha listat zgjedhore sepse është “parim themelor i demokracisë përfaqësuese” dhe se populli ka të drejtë të zgjedhë kë të dojë për të qeverisur,

“Gjykata duhet të tërhiqet mbi këto arsye dhe t’i japë fund këtyre përpjekjeve antikushtetuese për skualifikim njëherë e përgjithmonë”, thanë avokatët e Trump.

Gjykata e Lartë e SHBA-së do të dëgjojë argumentet më 8 shkurt, ndërsa vendimi nëse Trump do të mbetet jashtë votimit në Kolorado ka të ngjarë të krijojë një precedent dhe nuk do të dihet nëse ai do të figurojë në listat zgjedhore në shtetet e tjera.

Trump gjithashtu u hoq nga listat zgjedhore edhe në Maine, por ky vendim u pezullua gjithashtu në pritje të epilogut që do të marrë në Kolorado.



Skip to toolbar