Trysni serbe në ndeshjen Kosovë-Mali i Zi, shkarkohet trajneri serb

Më të fundit


Ndeshja e futbollit Kosovë-Mali i Zi, që përfundoi barazim 1-1, ka shkaktuar trysni politike për shkak të ndikimit serb te lojtarët dhe stafi malazez, të cilët janë me prejardhje serbe.

Trajneri dhe dy futbollistët me origjinë serbe të Malit të Zi, të cilët luajnë me ekipe serbe, për shkak të presioneve nga Beogradi nuk u paraqitën në ndeshje.


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, shkroi në rrjetet sociale se “Mali i Zi është mik dhe partner i Kosovës. Serbia nuk do ta pengojë këtë miqësi. Trysnia ndaj trajnerit dhe ndaj disa lojtarëve nga Beogradi dhe mediet serbe, e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë për të ndërhyrë në vendet fqinje. Kosova dhe Mali i Zi do t’i kapërcejnë këto pengesa nga Beogradi dhe të dyja vendet tona njohin taktikat e Serbisë”, shkroi Pacolli.

Pas këtij incidenti, kombëtarja e Malit të Zi ka vendosur që ta shkarkojë trajnerin e saj serb, Lubisa Tumbakoviç. Këtë e ka bërë të ditur Federata e Futbollit (FSCG) e Malit të Zi në faqen e saj zyrtare.

 “Bordi ekzekutiv i Federatës së Malit të Zi mori vendim unanim për të shkarkuar Tumbakoviç nga detyrat e tij, pasi ai vendosi që të mos jetë përgjegjës për ekipin e kombëtares për ndeshjen e mbrëmshme”, thuhet në njoftim.

 “Përveçse ishte një befasi e pakëndshme, bojkoti i Tumbakoviç, po ashtu përbën shkelje të detyrave të tij profesionale të përcaktuara në kontratën e tij. Gjithashtu bordit ekzekutiv i vjen keq që presioni nga disa qarqe rezultoi që edhe lojtarët Filip Stojkoviç dhe Mirko Ivaniç, po ashtu bojkotuan ndeshjen. Gjërat që nuk kanë të bëjnë me sportin, kanë mundur sportin dhe futbollin në këtë rast”, deklaron Federata e Futbollit në Malin e Zi.




Skip to toolbar