Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve kërkoi në një konferencë për shtyp që prokuroria të nisë hetimin dhe të vërë para ligjit ata prokurorë apo oficerë gjyqësor që kanë nxjerrë në publik sekretin hetimor.
Ai tha se nxjerrja e sekretit hetimor është vepër penale. Sipas Ulsi Manjës përdorimi i dosjes 339 nga Partia Demokratike, kujton kohërat e errëta të diktaturës kur njerëzve i bëhej gjyq publik.
“Jam i shqetësuar për dy gjëra. Është koha që prokuroria dhe policia gjyqësore të vlerësojnë seriozisht çështjet e daljes në publik të sekretit hetimor dhe të kthehen në hullitë e zbatimit të ligjit penal. Jo vetëm për personat e dosjes 339 por për çdo person tjetër dhe të hetojë të gjithë ata prokurorë dhe oficerë që kanë braktisur misionin që i ngarkon kushtetuta duke i marrë dhe duke i çuar dosjet penale nën hetim në zyrat e PD-së duke thyer rëndë sekretin hetimor.
Për të gjitha ata që janë juristë e dinë shumë mirë që sekreti hetimor është vepër e dënueshme sipas kodit penal.
Prokuroria e ka për detyrë që të hetojë autorët e përfshirë për vepra penale, edhe brenda rradhëve të veta.
Jam i shqetësuar për përdorimin politik të dosjes 339 nga PD e cila ka dalë në rrugë dhe po e kthen në një gjyq publik si në kohërat më të errëta të diktaturës”, tha Ulsi Manja, duke iu referuar përgjimeve të dalë në gazetën gjermane Bild.