“Unë besoj vetëm te SPAK”, Vasjari: Frika që kam për Shqipërinë

#NËRADAR


Si pritet të jetë viti 2020 për Shqipërinë dhe shqiptarët? Këtë pyetje gazetari Sokol Balla ua drejtoi katër analistëve të ftuar në “Real Story”, për të cilën, Arian Vasjari tha se Shqipëria po përballet me një plagë të madhe, largimin e të rinjve nga vendi. Sipas tij, ky problem po e shndërron Shqipërinë nga një vend me demokraci pa institucione në demokraci pa popull. “Marr shkas nga ajo që u tha për këtë model ekonomik. Një analizë e thjesht e fakteve më çon në konkluzionin se strukturat dhe superstrukturat ekonomike kur ndërtohen, është e vështirë të shkallmohen. Janë këto struktura që pastaj ndërtojnë dhe strukturat politike. Madje këto ndërtojnë dhe strukturat morale”, tha analisti.

Sipas tij, nëse sot në shoqërinë shqiptare ka hedhur rrënjë ajo ideja e rrufjanit për të bërë karrierë, kjo është reminishencë e atij modeli që ne na është imponuar. “Ne jemi një hap larg që superstrukturat e korruptuara ekonomike që janë në marrëdhënie me politikën, janë futur deri aty sa ne do na kondicionojnë për të ardhmen tonë. Unë kam frikë se ne kemi kaluar nga faza e demokracisë pa institucione, në fazën e demokracisë pa popull. Plaga jonë është se shqiptarët nuk ndiejnë dot më atraksion për Shqipërinë. Të rinjtë shqiptar nuk ndërtojnë dot një projekt në Shqipëri. Unë kam të bëjë me student, e kam të vështirë të gjej një që do të ndërtojë të ardhmen e tij në Shqipëri. Ne po shkojmë te demokracia pa popull. Kjo arratisje, nuk është fluks emigrator, na heq çdo lloj argumenti. Ky është një vend që për popullin e tij nuk vlen më. Mua kjo më shqetëson”, tha Vasjari.

Duke shprehur skepticizmin edhe për funksionimin e Reformës në Drejtësi, ku sipas tij po bëhen përpjekje për të politizuar segmente të caktuara të Reformës në Drejtësi, Arjan Vasjari mbetet optimist vetëm për funksionimin e SPAK. Ai tha se beson te funksionimi i kësaj strukture për shkak se është nën kontrollin e ndërkombëtarëve. Ndaj, në përgjigje të pyetjes se si do të jetë 2020 për Shqipërinë dhe shqiptarët, Vasjari tha se “do të  jetë një shtet më i drejtë”.

“Unë jam mbështetës i qartë i Reformës në Drejtësi. Skepticizmi im ka lindur në një përpjekje për t’i shkallmuar themelet e saj dhe për të shfaqur një dominim politik në një pjesë të reformës. Ne të gjithë këtu jemi në një rreth vicioz dhe nuk dalim dot. Ne këtu jemi viktimë të optimizmit tonë në këto 30 vjet. Për mua tre janë shtyllat kryesore për të parë shëndetin e një demokracie; pjesëmarrja, barazia dhe e drejta”.

“Unë them që në vitin 2020 kemi një pritshmëri që të shikojmë hapat e para të një demokracie të drejtë. Këtë e kam dhe e kam për shkak të SPAK. Duke qenë një strukturë që komandohet nga të huajt, që ka marrë përsipër të vendosë të drejtën. Nëse kjo strukturë realizon atë pritshmëri që unë kam, që do të thotë që të gjithë zyrtarët dhe oligarkët që kanë spekuluar me ligjin, edhe këta të shkojnë para gjykatësit dhe më pas në burg. Unë them se do të ndodh diçka e tillë. Unë them se kjo nuk e bën demokracinë tonë më të mirë, por mund ta bëjë më të drejtë”, përfundoi ai. /Realstory.al/



Skip to toolbar