Urdhëri për sulmin ne Bazen Ajrore Ushtarake Raf Fairford në Perëndim të Anglisë, mund të jetë dhënë nga Teherani.
Kjo është një nga pistat që po hetojnë autoritetet britanike pas arrestimit të pesë të dyshuar për përgatitjen e një akti terrorist dhe vepra penale me eksplozivë.
Alarmi u dha pak pas mesnatës së të dielës, kur u raportuan tre furgonë të dyshimtë pranë bazës ajrore. Policia ndërhyri menjëherë dhe bllokoi zonën, ndërsa banorët e fshatit të afërt Whelford u evakuuan për arsye sigurie.
Njësitë britanike për çaktivizimin e bombave vijojnë kontrollet në zonë. Tre automjete po ekzaminohen nga ekipet e specializuara, ndërsa pranë bazës janë kryer edhe dy shpërthime të kontrolluara.
Pesë të dyshuarit ndodhen ende në paraburgim. Policia kundër terrorizmit thotë se hetimi është në fazat e para dhe deri tani nuk është bërë i ditur as motivi dhe as identiteti i personave të arrestuar.
Sipas raportimeve të mediave britanike, banorët e zonës mund të kenë luajtur rol në njoftimin e autoriteteve. Ky version ndryshon nga deklarata e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se të dyshuarit ishin nën vëzhgim prej një kohe të gjatë.
“Synonin të shkaktonin dëme të mëdha. i kishim nën vëzhgim prej shumë kohësh dhe në fund arritëm t’i kapnim”, tha Trump.
RAF Fairford është një bazë e rëndësishme ushtarake që përdoret nga Forcat Ajrore amerikane dhe ka shërbyer si bazë për bombardues amerikanë me rreze të gjatë veprimi.
Pikërisht për shkak të përdorimit të saj nga avionët amerikanë, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që sulmi i dyshuar të jetë i lidhur me Iranin.
Hetimet vijojnë, ndërsa masat e sigurisë janë shtuar rreth bazës dhe në zonat përreth


