Ishin kthyer në shqetësim për prindërit pasi tregtonin ushqim të shpejtë jashtë çdo standardi higjienik, ndaj dhe IKMT në Durrës ka marrë vendimin për të hequr të gjitha kioskat që ndodhen pranë shkollave në këtë qytet.
Sipas drejtuesve të IKMT-së dhe policisë bashkiake në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës janë evidentuar 70 kioska pranë ambienteve shkollore, 26 prej të cilave vetëm në qytetin e Durrësit.
Këto kioska në të shumtën e rasteve ishin kthyer në shqetësim për prindërit, pasi tregtonin produkte ushqimore, larg standardeve të nevojshme higjieno-sanitare. Brenda datës 16 shtator, para fillimit të vitit të ri shkollor pritet që të hiqen të gjitha këto ambiente ambulante para dhe pranë shkollave duke çliruar hapësirat dhe kthyer normalitetin pranë tyre.
Aksioni do të ketë dhe një fazë të dytë për heqjen e kioskave dhe në ambiente të tjera të qytetit.