Shkarkohet gjyqtari i Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnoca

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të shkarkojë nga detyra gjyqtarin e Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnoca.

Vendimi është marrë nga trupi gjykues i vettingut, me anëtarë Xhensila Pine, Suela Zhegu dhe Olsi Komici.


KPK i gjeti mospërputhje për pasurinë gjykatësit Përnoca, i cili edhe pse kërkoi shtyrje të seancës për të siguruar provat, sërish nuk arriti të justifikonte pasurinë.

Gjovalin Përnoca ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka shërbyer fillimisht si gjyqtar në Mirditë dhe Shkodër dhe për 4 vjet si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në vitin 2003, Përnoca është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, detyrë të cilën e ka ushtruar tashmë prej 15 vitesh.

Përnoca ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës për Gjykatën e Lartë, pa mundur që të zgjidhet më pas në Parlament.

Por nga analiza që i është bërë pasurisë së tij është faktuar se nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017

pasuria familjare e tij është rritur me 3 herë, duke kapur vlerën e 16.1 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 43.7 milionë lekë. Rreth 55% e të ardhurave burojnë nga paga si gjyqtar, ndërkohë që paga e bashkëshortes zë rreth 26% të totalit. Rreth 15% e të ardhurave kanë si burim fitimin nga shitja e pasurive, ndërsa të ardhurat nga qiratë janë diku te 2%.

Kontrolli për 14 vitet e deklarimit rezultoi me 2 deklarata me probleme dhe 12 të tjerat pa probleme.

Subjekti Përnoca rezultoi me mungesë burimesh të deklaruara për të justifikuar shtesën e pasurisë për vitin 2011 në vlerën e 1.9 milionë lekëve dhe për vitin 2016 në vlerën 1 milion lekë.




Skip to toolbar