Vdekja e 36-vjeçarit në punë, lirohen përgjegjësi teknik dhe manovratori

AKTUALITET


Katër ditë pas aksidentit të rënë në Korçë, ku vinçi i mori jetën një 36-vjeçari, gjykata ka lënë të lirë dy personat e ndaluar.

Gjykata e Korçës ka vendosur sot të pranojë kërkesën e prokurorisë për përgjegjësin teknik dhe manovratorin e vinçit. Prokuroria ka kërkuar për shtetasi Flamur Palla dhe Aurel Zyma masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’, kërkesë që është pranuar nga gjykata.

Prokuroria është në pritje të konkluzioneve të ekspertëve për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 36-vjeçarit Elvis Josifi dhe plagosjen e kolegut të tij në 3 janar.

Avokati i përgjegjësit teknik, Esmerald Xhafa e konsideron të padrejtë këtë masë sigurie pasi sipas tij nuk ka asnjë lloj prove që të bëjnë fajtorë Pallan dhe Zumën. Ai thotë se përgjegjësi teknik dhe manovratori i vinçit do të rrinë në këtë masë sigurie deri në daljen e aktit të ekspertimit më pas do të vendoset se çdo të ndodh me ta. “Masa është detyrim paraqitje dhe janë në masë sigurie. Ata janë nën efektin e kësaj masa. Sot nuk u paraqit asnjë provë përveç dyshimit të arsyeshëm. Por çdo dyshim duhet të jetë i bazuar në prova. Ne kërkuam që të mos caktohet asnjë masë, por gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë. Detyrim Paraqitje do të jetë masa e sigurisë deri në përfundimin e hetimeve”, tha avokati.



Skip to toolbar