Udhëheqësi i grupit Wagner, Yevgeni Prigozhin, vdiq muajin e kaluar, kur avioni i tij u rrëzua mbi rajonin rus të Tverit, në veri të Moskës, tre muaj pasi udhëhoqi një rebelim kundër Kremlinit. Avioni, i cili udhëtonte nga Moska për në Shën Pjetërburg, vendlindja e Prigozhinit, mbante shtatë pasagjerë dhe tre anëtarë të ekuipazhit.
Duke pasur parasysh vakumin e krijuar në këtë organizatë paraushtarake, pritej që “kompani të tjera private të sigurisë” ruse të konkurronin për të zënë vendin e Wagnerit. Epo, vendin duket se e ka zënë Redut, një grup mercenar i kontrolluar nga inteligjenca ruse që filloi si një marrëveshje midis oligarkëve me marrëdhënie të ngushta me Kremlinin dhe komandantët e lartë të ushtrisë.
Redut ka deklaruar se Prigozhinin nuk e kishin “mik” dhe se, nëse rebelimi do të kishte zgjatur vetëm një ditë më shumë, udhëheqësi i grupit Wagner do të ishte bërë “kundërshtari” i tyre.
Origjina e këtij grupi mercenar
Historia e Redut është befasuese. Nga të qenit në prag të zhdukjes deri në zgjedhjen për të zëvendësuar grupin Wagner. Krijuar 15 vjet më parë nga anëtarët e Forcave Speciale Ruse nga një grup i njohur si Antiterror, ai u krijua për të mbrojtur fabrikat që ishin blerë nga Genadi Timchenko, një ish-agjent i Komitetit për Sigurimin e Shtetit (KGB) dhe oligark i lidhur me Putinin.
Veprimtaria e Redut fillimisht nuk ishte e madhe. Në fakt, ky grup u dislokua në Siri me dy ekipe, njëri me 55 burra dhe tjetri me 65. Megjithatë, roli i tij filloi të ndryshojë ndjeshëm gjatë pushtimit të Ukrainës, kur rusët kërkuan të gjenin një forcë mercenare për të zvogëluar varësinë nga grupi Wagner.
Konkretisht, Redut u përdor nga Kremlini për të konkurruar me këtë grup mercenarësh përmes një plani të hartuar nga nënkryetari i inteligjencës ruse (GRU). Për më tepër, besohet se ishin anëtarët e Redut që planifikonin t’i jepnin fund jetës së Volodymyr Zelensky në ditën e parë të pushtimit.
Ndikimi i Kremlinit
Por, mercenarët jo vetëm që nuk arritën të eliminonin Presidentin ukrainas, por gjithashtu humbën 90% të trupave të tyre gjatë ofensivës së Kievit, duke i lënë rrugë të lire grupit Wagner. Ishte vetë Kremlini që e mbajti në këmbë Redutin, që ka mundur të rekrutojë 7000 ushtarë këtë vit, shumë prej tyre të burgosur.
Roli i Redut sot
Gjithçka tregon se, aktualisht, Redut mund të marrë drejtimin e operacioneve të Wagner në Siri dhe disa vende afrikane. Para vdekjes së Prigozhin dhe Dmitry Utkin, Redut kishte filluar tashmë përgatitjet për të hyrë në Afrikë dhe po fokusonte përpjekjet e rekrutimit në këtë fushë. Nëse ata do ta arrijnë këtë, është një çështje tjetër, pasi misionet e Wagnerit në Afrikë bazoheshin shpesh në lidhjet personale që Prigozhin dhe Utkin krijuan me udhëheqësit afrikanë.