Veliaj ankimoi burgosjen/ Apeli i Posaçëm vendos më 11 Mars për kryebashkiakun

AKTUALITET


Apeli i Posaçëm i GJKKO do të shqyrtojë kërkesën e bërë për lirim të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, më 11 Mars. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e Klan News Glidona Daci.

Mbrojtja e kryebashkiakut ka apeluar masën e sigurisë “arrest me burg”, të caktuar nga Gjykata e Posaçme.

Ankimi do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi. Kujtojmë se Veliaj kërkon një masë më të butë sigurie. Kjo kërkesë u bë edhe në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë, ku u propozua dhe vendosja e një garancie pasurore, por gjykata nuk e pranoi atë dhe e la në arrest me burg.

Sipas SPAK kryebashkiaku ka konsumuar veprat penale “korrupsion pasiv” të kryer në bashkëpunim në të paktën 9 raste dhe pastrim parash. Krahas Veliajt në akuzë është vendosur dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa për të cilën GJKKO, ndryshoi masën nga “arrest në shtëpi” në “detyrim paraqitje”.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj aktualisht po mbahet në ambientet e paraburgimit në Durrës, burg ku u dërgua 1 ditë pasi SPAK i relatoi faktet dhe provat në seancën për vlerësimin e masës.

Lidhur me dyshimet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, kryebashkiaku i ka cilësuar si të bazuara në fakte të fabrikuara.



Skip to toolbar