Erion Veliaj u betua si kryetar i Bashkisë së Tiranës duke marrë mandatin e tij të dytë. Ai do të drejtojë Bashkinë Tiranë për 4 vitet e ardhshme, ndërsa betimi i tij u bë në prani të këshillit të ri bashkiak dhe kryeministri Rama. Gjatë fjalës së tij, i emocionuar, Veliaj tha se ai është dashuruar me bashkinë duke falënderuar PS që ia besoj drejtimin e Tiranës.
“Kam rënë në dashuri me Bashkinë, sot jam dyfish i nderuar për besimin që mu dha nga PS dhe nga qytetarët e Tiranës, dhe e kuptoj edhe Edi Ramën kur ma ka dhënë detyrën se sa të vështirë e ka pasur. Nuk mjafton vetëm të krijojmë një histori të Tiranës, duhet ta komunikojmë këtë histori të Tiranës, reformave dhe punës në administrimin e Tiranës. Unë besoj që arritja më e madhe është njerzillëku, fakti që këtij qyteti i shërbejmë në një mënyrë që rrogat në shtet nuk janë të atij niveli që i shohim në privat, por bashkia shihet si mision ndaj qytetarit. Kjo më bën të ndihem i përkulur dhe shumë krenar për stafin e Bashkisë së Tiranës“, tha Veliaj
Ceremonia është shoqëruar me batuta, ku Veliaj duke theksuar investimet që duhet të bëhen në periferi të Tiranës, ka përmendur edhe faktin se “ndodhet mes dy katunarëve” duke ju referuar kryeministrit Rama dhe kreut të ri të Këshillit Bashkiak, Toni Gogu. Veliaj i quajti të dy katunarë, nisur nga fakti që kryeministri Edi Rama jeton në Surrel dhe Toni Gogu është nga Peza.
“Një katunar nga Peza, Toni Gogu…Kemi dy katunar këtu tani që (Rama) është transferuar atje dhe na sjell përditë lajme nga fshati. Duhet të përmirësojmë vendimmarrjen ndaj fshatit, përfaqësimin 50 me 50 të vajzave dhe grave. Kemi një përfaqësim dinjitoz nga fshati, dhe disa nisma konkrete përtej gjelave të Baldushkut apo tregu publik i shumicës në Farkë!”, tha Veliaj.