Veliaj çel “Fshatin e BE” dhe ka një porosi për të rinjtë

POLITIKË


Në Tiranë po zhvillohet Java Europiane dhe sot kryebashkiaku Erion Veliaj ka celur “Fshatin e BE-së”, ku është shoqëruar nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca. Veliaj është shprehur optimist që këtë verë BE do të hapë negociatat me Shqipërinë, ndërsa shprehur ambicien e tij që Tirana të përzgjidhet si Kryeqyteti Europian i të Rinjve në vitin 2022.

“Fokusi te rinia është fabula më e bukur për Tiranën. Me shumë shpresë, negociatat do të hapen këtë vit, por ama ne duam që në 2022 të kemi një shans që, si kryeqyteti europian i rinisë, të tregojmë më të mirën e vendit tonë. Do të punojmë të gjithë bashkë që Tirana të fitojë “Kryeqytetin evropian të rinisë” në 2022”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje të rinjve që teksa vendi shkon drejt zgjedhjeve lokale, të bëhen një zë aktiv për të parashtruar kërkesat e tyre ndaj kandidatëve dhe për të kërkuar më pas llogari për plotësimin e tyre. “Mezi pres që teksa futemi në fushatën lokale në të 61 bashkitë, të ketë një zë aktiv të rinisë, për t’i bërë që tani kërkesat që çdo qytet apo çdo bashki duhet të përmbushë në mandatin e ardhshëm. Do të doja që çdo organizatë rinore në bashkinë e tyre, t’i bëjë që tani listat e kërkesave dhe të kërkojë llogari jo vetëm gjatë fushatës, por menjëherë ditën e parë të punës te kryebashkiaku i vet për plotësimin e atyre kërkesave”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se Bashkimi Evropian është më së shumti një projekt i njerëzve që punojnë çdo ditë dhe përmbushin detyra konkrete, duke shërbyer edhe si shembull frymëzimi. Shumë prej diplomatëve të huaj në vendin tonë kanë zgjedhur që të japin edhe një kontribut të drejtpërdrejtë duke iu bashkuar nismave të ndërmarra në këto katër vite nga Bashkia e Tiranës. Teksa i falenderoi për bashkëpunimin, Veliaj theksoi se vetëm falë punës mund të ecet përpara.

“Me shumë prej ambasadorëve kemi mbjellë pemë, duke ndërtuar kënde lodrash, ose një kopsht, një çerdhe a një pistë biçikletash, një festival filmi ose një koncert. Jam i sigurt që edhe ata shohin gjëra që nuk u pëlqejnë, por në vend që të jenë vetëm kritikë, thonë çfarë mund të bëj që të jap një dorë? Unë e di ekzaktësisht çfarë nuk funksionon në Tiranë, sa puseta janë vjedhur, sa pllaka janë hequr, sa gropa janë hapur, por pyetja është: zgjidhim më shumë punë duke bërë diçka apo duke qarë?”, nënvizoi Veliaj, teksa vlerësoi se Bashkimi Evropian vijon të jetë institucioni më i besuar në Shqipëri.

“Kur dikush vjen në Tiranë ose për vizitë në bashki dhe thotë: çfarë mendoni për krizën që po kalon Bashkimi Europian? Përgjigjja jonë është: cila krizë? Bashkimi Europian është institucioni më i besuar në Shqipëri. Për këto arsye unë besoj se gjërat në të cilat besojmë janë gjëra që duhet t’i kurojmë përditë”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e tij, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca theksoi se përfshirja e të rinjve në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE është vendimtare.

“Fshati i BE-së” është pjesë e aktiviteteve të “Javës së Europës” dhe organizohet nga Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri në bashkëpunim me ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Europian në Tiranë dhe Bashkia Tiranë. Të rinjtë do të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth temave që prekin të rinjtë në Shqipëri, studimin në vendet e BE-së, po ku nuk do të mungojë as aktivitetet e shumta të fokusuara tek aktivizimi i rinisë, bizneset sociale, vullnetarzimi, arsimimi dhe shkëmbimet ndërkulturore të të rinjve.



Skip to toolbar