Veliaj: Kam energjinë dhe frymëzimin për të vijuar punët në Tiranë, ja projektet tona

Më të fundit


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, tregoi projektet për këtë mandat dhe ambicien e tij për të çuar përpara punët e mira në qytet.

“Kam një adrenalinë dhe një optimizëm për ditët e Tiranës, që do të vijnë më të mira dhe këtë s’ma heq kush. Kam një zjarr që nuk ma shuan askush kur vjen puna për të mbaruar fundin e Bulevardit të Ri. Sapo kemi siguruar një grant masiv nga qeveria e Katarit, për ta mbyllur aksin. Jo vetëm po mbarojmë liqenin e Farkës, po kemi vajtur tek liqeni i Çekrezës në Zall Herr, sepse unë besoj se zona tjetër rezidenciale e Tiranës nuk do jetë tek zengjinët e Lundrës, por në veri, sepse aty, pak a shumë, është konturuar zona”, tha ai.

Një vëmendje në investimet e Bashkisë së Tiranës zënë edhe institucionet e reja arsimore. “Sot filluam lotin tjetër të shkollave të reja. Pra, mbaruam 9 shkolla. Po hapet “Partizani”, “Besnik Sykja”, “Asim Vokshi”, shkolla simbol e Gjuhëve të Huaja. Kemi edhe 5 kopshte të tjera, ndërkohë loti tjetër, që janë shkollat e Saukut dhe shkollat e Liqenit të Thatë, sot filloi procedura. Kemi edhe shkollat e asaj që quhet lagjja “Rilindja” sot, e deri dje njihej si Astiri. Kur ti shikon se si stadiumi “Arena Kombëtare”, përveç se na ekzaltoi 2-0 me Poloninë, na ka dhënë një shembull fantastik, se përtej histerisë është historia, përtej zhurmës është ajo që mbetet. Ky është një inkurajim fantastik që të vijojmë me Pallatin e Sportit dhe stadiumin “Selman Stërmasi”, shtoi kreu i Bashkisë

Dy projekte madhore do të jenë dhe projekti i Kopshtit të ri Botanik si dhe Teatri i Ri Kombëtar. Për të dyja këto projekte, Veliaj siguron se do të sjellin transformim. “Ne duam të fillojmë menjëherë kopshtin Botanik. Po presim datën e gjyqit. Ajo është një pronë e Bashkisë së Tiranës, por politizimi nga Fakulteti i Shkencave prodhoi një konflikt gjyqësor. Ne duhet ta çojmë deri në fund të gjithë atë transformim që ka ndodhur tek Liqeni Artificial dhe Kopshti Zoologjik. Unë besoj fort se Teatri Kombëtar do jetë ndoshta fituesi më i madh i çmimeve në nahijen tonë, në këtë pjesë të Evropës. Bjarke Ingels ka bërë një design unik”, theksoi Veliaj, teksa shtoi se Tirana është kthyer në një qendër graviteti për rajonin.



Skip to toolbar