Veliaj: Nuk e lë bashkinë pa ndërtuar shkollat në Astir

Më të fundit


Në zgjedhjet e 14 majit, Erion Veliaj fitoi me një diferencë të thellë prej 60 mijë vota, por ajo që ra në sy ishte fitorja e thellë edhe në tre zonat ku “Foltorja” kishte shpresa, si Kombinati, Astiri dhe “5 Maji”.

Në një intervistë për ABC Neës, Veliaj tha se gjatë qeverisjes së saj në Tiranë për 4 vjet PD tregoi se nuk ishte e aftë të bënte asnjë shkollë të re, ndërsa në tetë vitet e fundit në kryeqytet janë bërë 40 shkolla të reja. “Deri dje, te zona e 21 Dhjetorit, pra në shkollat e Njësisë 7, gravitonte i gjithë ‘Astiri’ dhe Njësia 6. Këtu jemi në një situatë ku, në Kombinat, shkollat e reja ‘Betim Muço’, ‘Lasgush Poradeci’ dhe ‘Musine Kokalari’, praktikisht kanë zgjidhur nevojën e Kombinatit për hapësira. Na ka mbetur për të zgjidhur vetëm çështja e Astirit. Te “Shqiponja” kemi ndërtuar shkollën që mban emrin e kolegut tonë Andrea Stefani, një shkollë totalisht e re. Lulzim Basha në 2011, me Tiranën e vogël, dhe me po të njëjtët aleatë, me LSI, mori 125 mijë vota. Me Tiranën 30% më të madhe në popullsi dhe 24 herë në sipërfaqe, Foltorja mori 100 mijë vota”, tha ai.

Veliaj u shpreh se në kohën që Astiri dhe Kashari drejtoheshin nga PD, nuk lanë asnjë hapësirë për shkolla. “E dinë që ata nuk e bëjnë dot, se e kishin Astirin dhe Kasharin, dhe një nga problematikat që kemi pasur është se nuk kanë lënë asnjë vend për të bërë një shkollë aty. Këta zyrtarë të PD, dhe ata të tjerët që janë marrë me legalizimet – të mos harrojmë Shaban Meminë – si zyrtari lokal, si Saliu në qendër, si ai që legalizonte, e kthyen Tiranën në rrumpallë dhe e futën në një konflikt social urbanistik”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë siguroi se në këtë mandat edhe “Astiri” do të ketë shkollat e reja. “Janë katër shkolla njëherësh. Kemi çliruar 3 territore, po çlirojmë edhe të fundit. Nuk do e lë këtë Bashki pa zgjidhur Astirin, por dua të kujtoj se kur erdha në bashki, s’ishte zgjidhur Astiri, as Fresku. Sot Fresku ka shkollat “Klodian Tanushi” dhe “Luan Hajdaraga”. Sapo hapëm shkollën “Lekë Gjiknuri”. Në Kodër Kamzë kemi shkollat “Nënë Tereza” dhe “Kennedy”, nga më të bukurat në kryeqytet. Kush s’ndërtoi dot një shkollë, qartazi humbi me 60 mijë vota”, deklaroi Veliaj.

Ai shtoi se Tirana e sotme nuk ka lidhje me “fjetinën” që konturoi Besnik Fuçia e Shaban Memia në kohën e Sali Berishës.



Skip to toolbar